Bllokimi i Kushtetueses: “Pronat” në qorrsokak, s’ka kush të shqyrtojë dosjet

Gjykata Kushtetuese në kushtet e pamundësisë për të shqyrtuar kërkesa pasi në detyrë ka vetëm 2 anëtarë nga 9 që parashikon ligji, ka lënë pezull edhe një nga problemet më serioze të vendit, atë të kompensimit të pronarëve. Gjykata Kushtetuese ka pezulluar gjykimin për 11 çështje, nga të cilat 5 kanë të bëjnë me kërkesa për kundërshtime të vendimeve të Këshillit të Ministrave për mënyrën dhe vlerën e kompensimit të pronave.

Me katër anëtarë të rrezuar në vetting dhe me tre të dorëhequr, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar gjykimin për 11 çështje, nga të cilat 5 kanë të bëjnë me kërkesa për kundërshtime të vendimeve të Këshillit të Ministrave për mënyrën dhe vlerën e kompensimit të pronave. Shoqata të ndryshme të pronarëve kanë kundërshtuar përgjysmimin e vlerës së kompensimit sipas skemës së miratuar nga qeveria me ligjin 133 të vitit 2016. Sipas këtij ligji, vlera për qëllim kompensimi të pronës bëhet sipas hartës që ka bërë qeveria. Por, sipas pronarëve, kjo është antikushtetuese pasi nuk është bazuar në çmimin e tregut, duke mos respektuar orientimet e gjykatës europiane për të drejtat e njeriut. Pavarësisht pretendimeve të palëve ky ngërç me sa duket do të vazhdojë të mbetet i tillë, pasi institucioni gjyqësor që mund të zgjidhte kushtetutshmërinë e këtij ligji dhe të pretendimit të pronarëve nuk është në gjendje të marrë vendime. Tani që ligji që do të zgjidhte problemin është kundërshtuar me forcë nga pronarët si antikushtetues, gjykata kushtetuese nuk është më në gjendje që të japë një vendim.

Ligji i ri dhe vendimi i Kushtetueses

Në mes të janarit të vitit 2017, me 5 vota pro dhe 3 kundër, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë gjysmën e formulës së kompensimit të pronave, sipas ligjit të ri, pas një ankese nga ish-pronarët. Edhe pse kishin marrë një “konsultim” nga Komisioni i Venecias, sërish gjyqtarët e Kushtetueses nuk e kanë lexuar të gjithë njëlloj rekomandimin. Si rezultat, gjykata nuk e ka rrëzuar formulën e llogaritjes së vlerës së pronës, por vetëm pjesën e kompensimit të saj. Kushtetuesja, ose 5 prej gjykatësve, mendojnë se ligji i ri i qeverisë “mund të rezultojë në një masë më të ulët kompensimi që u paguhet ish-pronarëve”, por ai është ligjërisht i drejtë. Ja si argumentohej kjo në vendim: “Nisur edhe nga analiza e Komisionit të Venecias, gjykata vlerëson se ligji, pavarësisht se parashikon një metodologji të re vlerësimi për kompensimin fizik dhe financiar të ish-pronarëve, e cila megjithëse rezulton në ndërhyrje në të drejtën e pronës dhe mund të mos u përgjigjet pritshmërive të subjekteve që prek ligji, rezulton se në tërësinë e tij respekton proporcionalitetin e ndërhyrjes në të drejtën e kompensimit të pronës së ish-pronarëve”. Por mendimi i pakicës i firmosur në atë kohë nga Gani Dizdari dhe Vladimir Kristo, kërkoi rrëzimin e të gjithë ligjit. “Ne gjyqtarët në pakicë jemi të qëndrimit që gjykata duhej të kishte deklaruar antikushtetues ligjin në tërësi”, thonë dy gjyqtarët.

“Pronat” nga Strasburgu te Këshilli i Europës

Qeveria shqiptare kërkoi nga Gjykata e Strasburgut, të mos marrë më vendime sipas dosjes pilot Manushaqe Puto, pasi kështu buxheti i shtetit do të kalonte në faliment total. Në fakt, prej më shumë se dy vitesh pagesat e rënda janë ndërprerë, pas vendimeve më të fundit që u jepnin deri në 6-8 milionë euro familjeve të ish-pronarëve. Ndërkohë, edhe disa dhjetëra dosje, të cilat tashmë kanë kaluar procedurat e shqyrtimit dhe presin vetëm vendimin nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, po mbeten në pritje. Kjo, pasi Strasburgu e ka çuar kërkesën këmbëngulëse të qeverisë shqiptare në gjykim të Këshillit të Europës, që do të vendosë nëse Gjykata do të marrë parasysh ligjin e ri, apo do të vazhdojë me vendimet automatikisht siç u veprua me dosjen Manushaqe Puto. Kjo do të hapte dritën e gjelbër për të vijuar me vendimet lidhur me dosjet e pronave. Ajo që i tremben më shumë pronarët është se ndoshta Këshilli i Europës vendos që të kthejë nga e para për shqyrtim ato dhjetëra dosje, të cilat tashmë presin vetëm vendimin, por që janë trajtuar sipas ligjit të vjetër shqiptar. Pra, një tokë, që më parë ishte kullotë, por tani është brenda vijës së verdhë të një qyteti, pra kushton dhjetëra herë më shtrenjtë, Strasburgu, sipas vendimit pilot Manushaqe Puto, e trajtonte me kategorinë aktuale-truall dhe jo me kategorinë e vjetër-kullotë. Diferenca është shumë e lartë mes metodologjisë së re, të miratuar tashmë në Shqipëri dhe asaj të mëparshme. Kështu, p.sh. në Sarandë, një metër katror kullotë do të dëmshpërblehet nga shteti me 80 lekë, ndërkohë që një metër katror brenda qytetit kushton 10.000 lekë të rinj. Me ligjin e ri, shteti shqiptar një sipërfaqe që tashmë është brenda vijës së verdhë të qytetit bregdetar po që dikur ishte kullotë nuk e paguan me 10.000 lekë, por me vetëm 80 lekë. Duke qenë se fjala tanimë është për një vendim strategjik, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka rënë dakord që atë t’ia kalojë Këshillit të Europës, si organi i saj epror. Në fakt, janë dhjetëra dosje që janë stokuar tashmë në Gjykatën e Strasburgut, që presin vendimin. Deri tani çështje e pronave nga Shqipëria janë trajtuar sipas një vendimi të unifikuar “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, që e ka ngarkuar buxhetin me detyrime marramendëse. Ligji i ri për pronat, thelbi i të cilit është pagesa e tokave sipas kategorisë që kishin kur u shtetëzuan dhe jo sipas kategorisë aktuale, përfundoi në Kushtetuese, e cila e rrëzoi pjesërisht atë, por ndërkohë procesi ka hyrë në shina. Kohët e fundit, në përputhje me këtë ligj, kanë filluar edhe pagesat e rasteve të veçanta, ku ish-pronarët mund të heqin dorë vullnetarisht nga një përqindje e caktuar e dëmshpërblimit, në favor të pagesës me këste të përshpejtuara të pjesës së mbetur.

Publikimi i përgjimit Biba-Bianku

Problematika e kompensimit të pronave, është rikthyer së fundi në qendër të vëmendjes edhe pas publikimit të një audio-përgjimi mes nënkryetarit të KQZ, Denar Bibës dhe gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut Ledio Bianku, në kohën kur qeveria Rama kërkonte nga Gjykata e Strasburgut të pezullonte ekzekutimin e vendimeve të pronave për shtetasit shqiptarë derisa të dilte ligji që do të zgjidhte në mënyrë përfundimtare problemin e pronave. Pas publikimit të materialit audio Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm. Pas kësaj vetë Denar Biba pranoi bisedën dhe tha se “Kam biseduar se përse isha në Strasburg dhe qëllimin e kërkesës së shtetit shqiptar për të shtyrë ekzekutimin e vendimeve për pronat. I kam kërkuar mendim dhe e kam pyetur nëse ka patur kërkesa të tilla të ngjashme më përpara në Gjykatën e Strasburgut. E pranoj që i kam kërkuar që nëse kishte mundësi, brenda hapësirave ligjore, të ndihmonte që shtetit shqiptar t’i pranohej kjo kërkesë”. Presionin e qeverisë mbi Strasburgun, për çështjet e pronave e ka pranuar edhe vetë ajo gjykatë në mënyrë të tërthortë. Zyrtarët e Gjykatës së Strasburgut e kanë quajtur “qasje të papërshtatshme” veprimin e qeverisë, por edhe kërkesën e saj për të mos shqyrtuar dosjet shqiptare të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përse dështuan partitë e vogla?

Nga Ervis Iljazaj Një nga tiparet e zgjedhjeve të 25 Qershorit është...
Read More