Çfarë i sugjeroj jurisë së ardhshme të Çmimit Kadare

Nga Bashkim Shehu*

Nga organizatorët e Çmimit Kadare, m’u kërkua të parashtroj disa sugjerime për procedurat e dhënies së këtij Çmimi në të ardhmen, gjë që e pranova me kënaqësi. Dëshira e tyre është gjithashtu që këto sugjerime të bëhen publike, për çka jo vetëm s’kam kundërshtim, por madje më duket e dobishme, për një arsye që do ta shpjegoj në vijim.

Siç e kam thënë edhe më parë, përvoja ime në edicionin e vitit të shkuar ishte e veçantë, ngase isha për herë të parë në rolin e kryetarit të një jurie për një çmim letrar dhe ngase pjesën më të madhe të kohës këtë punë e kreva nga largësia. Komunikimi me anëtarët e tjerë të jurisë bëhej me email dhe, kur ishte nevoja, me Skype. Gjithsesi, mendoj se largësia nuk e vështirësoi komunikimin dhe, sidoqoftë, ishte një situatë interesante, së paku për mua subjektivisht, siç e ndjeva sidomos kur u mblodha me anëtarët e tjerë të jurisë në takimin ku u përcaktua fituesi: mund të ishte pikënisje për një vepër letrare më vete, ndonëse të shkurtër, për një tregim, le të themi.

Ndërkaq, bazuar te kjo përvojë, po edhe te përvoja të tjera pjesëmarrjeje në juri, mendoj se në procedurën e dhënies së Çmimit Kadare mund të bëhen një sërë përmirësimesh.

Së pari, mendoj se periudha e pranimit të teksteve që konkurrojnë duhet të fillojë më herët nga sa ka filluar gjer tani dhe të mbyllet më herët nga sa është mbyllur gjer tani. Ky ndryshim kalendarik do t’i jepte mundësi çdo anëtari të jurisë të lexonte më me nge dhe, si rrjedhojë e vetëkuptueshme, të jepte vlerësime më të peshuara për çdonjërën nga veprat.

Së dyti, gjithashtu në funksion të një gjykimi sa më të peshuar, mënyra e dhënies së vlerësimeve mund të ndryshojë. Kësisoj, në vend që vlerësimet, sikurse gjer tani, të jepen duke përzgjedhur tre ose pesë vepra si finaliste dhe pastaj duke përzgjedhur prej tyre veprën fituese, mund të jepen duke vlerësuar çdo vepër në një shkallë numerike nga zero deri në pesë pikë, ndoshta duke përdorur edhe decimalet. Në të njëjtën kohë, kjo mënyrë vlerësimi, ngaqë është më e ndërlikuar, do t’i pakësonte gjasat e ndikimeve të ndërsjella midis anëtarëve të jurisë: fundja, njerëz jemi dhe gjasa të tilla gjithmonë ekzistojnë.

Së treti, për të kundërpeshuar sa të jetë e mundur atë subjektivitet që, përderisa jemi në fushën e shijeve letrare, është i pashmangshëm, për mendimin tim do të ishte mirë që të shtohej numri i anëtarëve të jurisë.

Dhe, së fundi, çka më duket edhe më e rëndësishmja: më e mira do të ishte që anëtarët e jurisë të mos i dinin emrat e autorëve të veprave që lexojnë, as titujt e veprave, gjersa të përfundojë votimi. Kjo është një praktikë e aplikuar herë-herë në vende të tjera. Dhe është e mundshme të aplikohet edhe në rastin e Çmimit Kadare, që jepet për vepra ende të pabotuara, gjë që përbën edhe veçanësinë e tij ndaj çmimeve të tjera letrare që jepen në Shqipëri. Fshehtësia e emrave të autorëve dhe e titujve të veprave do të ishte e dobishme jo thjesht për të mos u lënë hapësirë anshmërive të vetëkuptueshme njerëzore, por më shumë për të parandaluar zhurmat që rrethojnë zakonisht çdo dhënie çmimi dhe spekulimet e ndryshme që bëhen qoftë nga pakënaqësia e njërit apo tjetrit, qoftë për hir të sensacionalizmit sipas kërkesave të asaj që Guy Debrord e quan “shoqëri e spektaklit”. Dhe, për t’u mbajtur një fshehtësi e tillë gjersa të përfundojë votimi, duhet që koordinatori i jurisë të mos jetë anëtar i saj.

Këto ishin sugjerimet e mia, me të cilat nuk pretendoj kurrsesi që kam dhënë formulën përfundimtare apo që kam gjetur zgjidhjen më të mirë. Synimi është që këto sugjerime të nxitin një diskutim a një debat rreth kësaj teme: kjo përbën edhe arsyen pse më duket i dobishëm publikimi i tyre.

*Kryetari i Jurisë së çmimit Kadare për edicionin e vitit 2017

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shqipëria, votë anti-Trump, jo Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit

Asambleja e Përgjithshme e OKB votoi me 128 vota pro, 9 kundër...
Read More