“Charming tour”: A do t’ia dalë?

Afrimi i ditëve për vendimin e BE-së për negociatat me Shqipërinë dhe tri vendet skeptike që po prishin planin. Kryeministri Rama në “turin e negocimit” përballë rezervave të Presidentit francez, Macron dhe shpresa te mbështetja gjermane. A është plani për kampet e refugjatëve nga Lindja çmimi për negociatat?

Nga Sebi Alla

Kryeministri Edi Rama po i ngjan një “turisti aventurash” me atlete veshur që do i duhet të vizitojë çdo vend skeptik të BE-së, në prag të vendimit të madh për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Ndalesat më të shumta dhe punën më të madhe e ka me presidentin francez Emmanuel Macron, një lider i ri, që protagonizmin politik europian ndoshta mund ta nisë nga Shqipëria, për të treguar se BE nuk është një magazinë pa dyer ku mund të futet kushdo. Krahas Francës, shtete si Holanda dhe Danimarka janë artikuluar me rezerva të mëdha për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Jo rastësisht në këto tri shtete e djathta ekstreme është gjithnjë në kurbën e ngjitjes elektorale dhe në një mënyrë apo tjetër, nëse Shqipërisë i hapen dyert për të marrë negociatat, forcat politike ekstremiste në këto vende do e shfrytëzonin për kapital politik brenda shtetit të tyre. Rritja e kriminalitetit shqiptar në këto shtete është shqetësimi që qëndron, ndonëse ka doza hiperbolizimi. Këtë dilemë Macron apo drejtuesit e qeverisë së Holandës dhe Danimarkës e kanë ende, ndaj hapja e negociatave me Shqipërinë është një vendim që për ta duhet bluar mirë para se të vendoset. Skepticizmi i tri vendeve sa vjen e shtohet, ndaj kryeministri Rama ka kohë që është “me çantë në krahë” sigluar “BE”, për të bindur të pavendosurit, duke moralizuar me shprehjen e tij: “Shqipëria ka nevojë për Europën dhe Europa ka nevojë për Shqipërinë”…

Rama dy muaj më parë, i vari shpresat në vizitën në Gjermani dhe takimin me kancelaren Angela Merkel. Shumëkush mendoi se një fjalë e “gruas së hekurt” do të vinte në rresht gjithë liderët e vendeve të tjera dhe Shqipëria do merrte hapjen e negociatave. Parashikimi në këtë rast nuk është vërtetuar ende. Burimet thonë se Gjermania është pozitive për vendimin e 28 qershorit, por pengesa BE këtë radhë vjen kryesisht nga Parisi… Kryeministri do të duhet të udhëtojë sërish me “çantën bosh” në turin e fundit (pasi rezultate konkrete në luftën ndaj drogës, korrupsionit dhe shtetit ligjor thuajse nuk ka), por ende shpreson te “magjia e fjalës” për të marrë një “Po” nga tri vendet skeptike, Franca, Holanda dhe Danimarka.

Gjeopolitika në favorin tonë

Nëse do të merreshin një më një kriteret për hapjen e negociatave, vendi ynë nuk ka një bilanc pozitiv në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Reforma në Drejtësi po ecën disi, por me hapa mjaft të ngadaltë. Gjithashtu, skandalet politike në vend, të veshura me dyshime të forta në përfshirjen e drejtuesve të lartë në trafikun e narkotikëve, apo çështjet e korrupsionit të kthyera në sistem, janë tregues që do na mbanin gjithnjë e më larg Europës. Veç lupës së kritereve, çështja Shqipëri, për hapjen ose jo të negociatave nuk është vetëm një hall i yni, por edhe i vetë vendeve të BE-së, liderët e së cilës po bëjnë disa kalkulime gjeostrategjike. Në një intervistë të fundit, eurokomisioneri për zgjerimin Johannes Hahn këmbëngul në faktin se BE duhet të eksportojë qëndrueshmëri dhe se zgjidhja më e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor është rruga e integrimit. “Një qetësi e qëndrueshme dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor është e mundur vetëm përmes integrimit në BE! Eksportimi i qëndrueshmërisë në vend të importimit të paqëndrueshmërisë është në interesin më të mirë të BE”-theksoi Hahn. Për të, perspektiva e BE-së për këto vende është çelësi për qëndrueshmëri, siguri dhe prosperitet në kontinent. Nëse lexohet nën rreshta deklarata e Hahn, duket se e njeh mirë problematikën ballkanike, për më shumë që i është dashur të djersijë në këto vende, sa herë afrojnë zgjedhjet dhe palët politike mprihnin brirët në përplasjen e radhës, aq sa rrezikojnë edhe stabilitetin e vendit. Dhe Hahn nuk është i vetmi që mendon kështu, pasi mjaft lider nga shtete të tjera i druhen destabilitetit social dhe politik në vendet e Ballkanit Perëndimor. Lënia jashtë monitorimit Europian, do ishte një vendim me shumë të panjohura. E parë në këtë këndvështrim prej tyre, do ishte favori ynë. Vetë Europa është e ndarë në tri qëndrime. Disa janë pro integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si mundësi për të importuar më lehtë demokratizimin, zbatimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Të tjerë mendojnë se një zgjerim pa kriter do ishte dëm mjaft i madh dhe do vinte në pikëpyetje vetë Bashkimin Europian. Ndërsa pala e tretë, disi në minorancë, por me ide më të largëta se aktualiteti, i druhet ndikimit rus, turk apo kinez në vendet e Ballkanit, gjithnjë nëse braktisen nga Europa.

Rama i gatshëm të lëshojë…

Kryeministri Rama e ka treguar veten se kur i kërkohet diçka si “sakrificë”, për një arritje më të “madhe” lëshon shumë, e madje ofron më tepër nga çfarë i kërkohet. Tre muaj pasi mori pushtetit në vitin 2013, kryeministri futi emrin e Shqipërisë në listën e vendeve që ishin të gatshme për të pritur arsenalin e armëve kimike të Sirisë dhe më pas në vendin tonë të kryhej demontimi i tyre. Reagimi masiv qytetar bëri që Rama të tërhiqej, duke dalë “besëshkelur” ndaj fjalës së dhënë ndaj partnerëve amerikanë, por shpëtoi veten nga një reagim popullor. Gjithashtu në një tjetër fazë, tre vjet më parë qeveria Rama miratoi nismën për pranimin e rreth 3000 muxhahedinëve nga Irani, pasi asnjë shtet europian nuk i pranoi. Kjo i solli disa benefite politike në arenën ndërkombëtare dhe qeveria shqiptare pranoi këtë grup që njihet si opozitare e krahu i dhunshëm kundër qeverisë iraniane. Në ditët e sotme, fenomeni i emigrimit nga vendet e lindjes po kthehet në problem serioz dhe Shqipëria mund të luajë rolin e tamponit. Pak ditë para se vendet e BE-së të japin verdiktin përfundimtar për çeljen ose jo të negociatave po del në skenë shprehja: “Europa ka nevojë për Shqipërinë”… Kjo lidhet pikërisht me fluksin gjithnjë në rritje të emigrantëve, të cilët synojnë kalimin në një nga shtetet e BE-së, kryesisht Austri dhe Gjermani. Në takimin e fundit që Rama pati në Austri me Kancelarin Sebastian Kurz, premtoi se Shqipëria ishte e gatshme që të ndihmonte në parandalimin e fluksit të emigrantëve. Me fjalën parandalim nënkuptohet ngritja e disa qendrave të pritjes dhe vendi ynë të bëhet si “stacioni i fundit” i emigrantëve nga lindja, me synim që ata të mos mbërrijnë në mënyrë të pakontrolluar në Europë. Po a do ishte ky çmimi që do paguajë Shqipëria për të marrë hapjen e negociatave? Rama me siguri do e pranojë këtë kosto, për të treguar se kemi rëndësinë tonë në sfidën e emigrimit masiv. Kjo është dilema që po ngre zërin edhe opozita. “Një dimension i tillë që kapërcen kufijtë e vendit tonë nuk mund të jetë një vendim i vetëm një personi, aq më pak nëse kjo serviret si karamele për të ëmbëlsuar gojën e hidhur të Europës nga skandalet Tahiri, Xhafaj dhe lufta e pamjaftueshme kundër drogës dhe krimit”-deklaroi kryedemokrati Basha, duke iu përgjigjur pyetjes mbi ngritjen e mundshme të kampeve të refugjatëve. Pavarësisht përplasjeve të brendshme me opozitën, kryeministri Rama duket i vendosur që nëse Europa do i vendosë si “kusht” pranimin e refugjatëve, në këmbim të negociatave, do ishte i gatshëm të vetofrohej në këtë nismë.

Kohë e zymtë për negociatat

Kreut të qeverisë në situatën aktuale i ka mbetur vetëm fjala, lobimi dhe “magjia e aparencës” për të bërë të mundur që pikë së pari të “magjepsë Parisin”. Nëse Franca vendos për hapjen e negociatave, atëherë dy vendet e tjera skeptike, Holanda dhe Danimarka që në rëndësinë e BE-së janë në rreshtin e “dytë”, nuk do dalin të vetme kundër të gjithëve. Kryeministri ynë nuk ka një dosje me arritjet e Shqipërisë, pasi tre nga gjashtë kriteret për t’u marrë në konsideratë i ka në rënie. Lufta kundër trafikut, lufta ndaj korrupsionit apo Reforma në Drejtësi çalojnë ngado që ta kapësh. Aktualisht çështja e skandalit “Xhafaj” i ka kapërcyer kufijtë e përplasjes politike brenda vendit. Deputetët Reinhold Lopatka dhe Michael Hammer të Partisë Popullore Austriake, pavarësisht se janë pro hapjes së negociatave, ngritën shqetësimin mbi situatën politike dhe krimin e organizuar në vend. “Më duhet të theksoj se ne jemi të shqetësuar për çështjen Xhafaj. Rasti i ministrit Xhafaj duhet të hetohet në mënyrë të besueshme në mënyrë që të mbështesë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Qytetarët austriakë janë të shqetësuar për sa i përket krimit të organizuar” -deklaroi Lopatka të premten gjatë një konference shtypi me kryedemokratin Lulzim Basha. Gjithashtu, edhe vendimi i gjykatës në lidhje me çështjen Tahiri nuk ka shkuar në zyrat e BE-së si një raport rutinë. Ish-ministri Saimir Tahiri aktualisht është nën akuzë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, por u la i lirë nga masat e sigurisë në një vendim të dyshimtë të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, shqetësim i ngritur një ditë para vendimit edhe nga ambasadori amerikan Donald Lu. Nga ana tjetër, vëllai i ministrit aktual të Brendshëm Fatmir Xhafaj ndodhet në burg në Itali si i dënuar për trafik të narkotikëve. Thuajse të gjitha raportet ndërkombëtare përfshi edhe DASH e renditin Shqipërinë si vendin problematik në përhapjen e krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit në nivele të larta. I vetmi justifikim për ecurinë e mirë do ishte Reforma në Drejtësi, por edhe ajo ndonëse ka nisur të funksionojë mbetet me ritme të ngadalta, duke futur në kolaps të gjithë sistemin gjyqësor, pasi nga ecuria e vettingut varet ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë. Në gjendjen aktuale për kryeministrin nuk mbetet gjë tjetër përveç intensifikimit të kontakteve në një “tur europian” për të siguruar përkrahjen për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Nëse jo, vera politike e mazhorancës parashikohet të jetë më e nxehta e pesë viteve të fundit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Po vijnë gjermanët!!!

Nga Ervis Iljazaj Po vijnë gjermanët… ishte shprehja që terrorizonte pjesën më...
Read More