“Çlirimi i zgjedhjeve” duhet të nisë edhe nga listat e hapura

Nga Ndriçim Kulla

Një nismë e lavdëruar e opozitës në legjislacionin e shkuar ishte padyshim dekriminalizimi, por gjithsesi nuk mund të mos pranojmë se kulmi i diskursit apo zhvillimit të programit politik të saj ishte lufta për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që u bashkëshoqërua edhe me të ashtuquajturat “ditët e çadrës”. A nuk ishte pikërisht kjo kauzë ajo që frymëzoi aq shumë besim majtas e djathtas, për t’u lartësuar kështu në cilësorin më thelbësor të shpresës që ngjalli çadra? Zgjedhjet, me deformimet e përfaqësimit politik të popullit, të shoqëruara nëpërmjet vjedhjeve e manipulimeve, pra me deformimin e vullnetit të tij të lirë kanë qenë vazhdimisht, gjatë gjithë tre dekadave të demokracisë, plaga më e mavijosur dhe kurrë e shëruar e të gjithë sistemit tonë shoqëror. Për këtë arsye besoj, se zgjidhja e këtij problemi është një element që ngjall shpresë dhe besim te shqiptarët, barabar me luftën kundër krimit dhe korrupsionit, e ndoshta dhe me shumë. Ndaj, është për t’u përshëndetur kauza e “çlirimit të zgjedhjeve”, për t’u zgjedhur si prioritet dhe për t’u vijuar me konsekuencë dhe qëndresë. Ashtu si dikur dekriminalizimi, po kështu edhe “vetingu i politikës” dhe i lidhjeve të saj me krimin, është një cilësor i rëndësishëm i këtij programi, i cili do të duhet të trajtohej më thellë, pasi përfshin edhe studimin e rrjetit ekonomik e të nëndheshëm të përfitimeve informale, të lidhura ngushtë me pushtetet e fshehura ose të padukshme. Duke e lënë si temë të një shkrimi tjetër, mund të themi vetëm se është një përpjekje për t’u lavdëruar, por që nuk mjafton. Po njëlloj e lavdërueshme është edhe detyra që kjo platformë merr përsipër për ndërprerjen e “traditës së gjatë” të manipulimit të vullnetit të zgjedhësve, nëpërmjet formave të gjithfarshme të ndikimit, qoftë për para, qoftë për një vend pune apo një favor tjetër që rrjeti i pushtetit ekonomiko-politik e ka të lehtë ta ofrojë. Veçse një paralajmërim është i padyshimtë, i diktuar nga përvoja e hidhur shqiptare: teorinë nga praktika e ndan një det i tërë. Edhe pse parashtrimi i një platforme dhe bllokimi i të gjitha këtyre fijeve që manipulojnë zgjedhjet mund të jetë shumë i mirëmenduar, përsëri zbatimi në praktikë i këtij bllokimi është krejt tjetër gjë, ai kërkon një tjetër përqendrim të hollësishëm politik, që duhet detyrimisht të vijojë. Aq më tepër që ne kemi një shembull të freskët të degradimit që mund të marrë në praktikë një nismë, qoftë edhe e shkëlqyer, siç ishte rasti i çadrës, kur edhe pse qëllimi i realizimit të marrëveshjes që ajo prodhoi, mund të ketë qenë i mirë, rezultati i saj zgjedhor ishte një katastrofë.

Gjithsesi, nuk do të donim ta quanim si handikap të platformës, një hamendësim të tillë, përkundrazi do të donim që pësimi të përcillte një korrigjim të thellë e cilësor të praktikës së ardhme. Çdo nismë apo platformë, që të qëndrojë drejt dhe pa deformime, ka nevojë për një ekuilibër, të cilin mund t’ia japë vetëm harmonia ose uniteti midis brendësisë dhe jashtësisë së saj, midis formës së jashtme dhe asaj të brendshme. Ky është një parim nga i cili nuk mund të largohemi pa rënë në gabim. Po si mund të arrihej vallë ky realitet unitar, harmonik, shpresëngjallës? Po të shikohet me kujdes, të gjitha masat dhe qëllimi kryesor i platformës është të korrigjojë problematikat e “jashtme”, pra problematikat që sistemi i sotëm zgjedhor dhe gjendja e vendit, krijojnë për të sjellë mos funksionimin, qoftë edhe total, të filtrave mbrojtës kundra manipulimit të zgjedhjeve. Diçka kjo e arsyeshme dhe e nevojshme për një opozitë që e sheh vullnetin e popullit të vet si të deformuar nga zgjedhjet. Mirëpo, nëse shohim historinë shqiptare, thelbi i zgjedhjeve të lira e të ndershme ka dhe anën tjetër të medaljes, anën e brendshme të saj, ose e thënë më hapur, deformimin tjetër të madh të vullnetit të popullit elektoral, për të zgjedhur përfaqësuesit e vet politikë. Sistemi i përzgjedhjes nga ana e partive shqiptare të përfaqësuesve të vet politik, në parlament apo nëpër bashki, është po kaq një plagë tjetër e mavijosur (ku edhe për shkak të saj sot politika është në krizë të thellë besimi), që ndikon drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor, me listat e veta të mbyllura, të diktatizuara nga kryetari, nga interesat monetarë, personalë, klientelistë dhe aspak partiakë, sepse nëse do të qe në interes të partisë dhe rezultatit të saj zgjedhor, do të duhej të zgjidheshin përfaqësuesit më të mirë e më popullorë, ata që do baza dhe elektorati. Në këtë kuptim, aksioni opozitar, me të drejtë mund të shkaktojë edhe “tërmet” së jashtmi” duke reformuar të gjithë sistemin që ndikon te zgjedhjet, por nga ana tjetër nuk mund të refuzojë ta tregojë veten të gatshme e të përgatitur për të përballuar edhe së brendshmi, një “tërmet”, një “shkundje” të tillë kapilare. Lista të hapura, zgjedhje nga baza të kandidatëve të saj politikë, për deputet e bashki, kjo është ajo që i mungon kësaj platforme, për t’u plotësuar në të dyja anët e saj, nga brenda dhe jashtë, në kërkim të atij uniteti të domosdoshëm qëllimesh dhe interesash që populli do të donte të shihte në këtë lëvizje. Hapja, natyrisht që nuk duhet të mbetet vetëm një simbolikë ose një propaganda fasadë si deri më tash dhe asgjë brenda. Ajo duhet të jetë e vërtetë sepse ndryshon me fuqinë e saj çdo raport, çdo marrëdhënie të kalbur apo klienteliste, ajo bën fuqinë e besimit të rrjedhë për zgjimin dhe zgjerimin e popullit opozitar, që sheh më në fund një parti, që edhe pse merr një vendim që mund të mos i pëlqejë liderit ose kryesisë, është në funksion të shëndoshjes së gjithë jetës demokratike jo vetëm të saj, por të gjithë vendit. Tek e fundit, gjatë ditëve të çadrës, për të qenë koherent me vetveten, liderët e opozitës e artikuluan idenë e madhe që “këto do të jenë listat e fundit që do të hartoheshin prej tyre, listat e reja të kandidatëve do të zgjidhen nga populli opozitar”. Nevojat dhe shtrëngesat që hasen në zgjidhjen e një problemi, prodhojnë këmbënguljen në zgjidhjen e tij. Kjo këmbëngulje më pas, me kalimin e kohës formon përvojën për të gjetur rrugët e volitshme të zgjidhjes. Në këtë kuptim, parimi i listave të hapura, përtej të qenit një kartë e fortë morale, dinamikëzuese, besimkrijuese, rezulton parësisht të jetë edhe në praktikë një element elektoratbindës. Përvoja e hidhur e pabindjes që opozita provoi nga elektorati i saj në zgjedhjet e shkuara, duhet të bëhet mësim, përvojë, sepse vetëm shëndoshja e kësaj përvoje të keqe mund ta lindë shpresën, jo një shpresë që të na turpërojë si herën e parë, por që të dijë të rrijë besnike dhe e ndershme ndaj misionit të saj, pse jo, le të themi edhe “gati të pamundur” për realizimin më në fund në Shqipëri të zgjedhjeve të lira e të ndershme, por sidomos, ajo që është më e rëndësishmja, në përputhje me vullnetin e pandikuar apo të padeformuar të elektoratit, si brenda partive, ashtu edhe jashtë tyre.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi Read More