Dani Rodrik: Sa demokratike është euro

Kur presidenti i Italisë së fundmi vuri veton ndaj emërimit të euroskeptikut Paolo Savona si ministër Finance në qeverinë e propozuar nga aleanca mes partive Pesë Yjet dhe Liga e Veriut, a ishte ky një vendim që e mbronte demokracinë e vendit të tij apo ishte një veprim që e minonte atë? Përtej kritereve kushtetuese që janë specifike për kontekstin italian, pyetja prek zemrën e legjitimitetit demokratik. Problemet e vështira që ngrihen nga kjo duhet të trajtohen në mënyrë parimore, në rast se duam që demokracitë tona liberale të shërohen nga problemet aktuale.

Euro përfaqëson një traktat angazhimesh nga i cili nuk ka rrugë të qartë daljeje brenda rregullave ekzistuese të lojës. Presidenti Sergio Mattarella dhe mbrojtësit e tij vunë në dukje se dalja nga euro nuk kishte qenë temë debati në fushatën elektorale që solli koalicionin e populistëve në pushtet dhe se emërimi i Savonës kërcënoi një katastrofë në tregjet financiare dhe kaos ekonomik. Kritikët e Matarelës argumentuan se ai tejkaloi autoritetin e tij dhe lejoi që tregjet financiare të vendosnin veton ndaj një ministri Financash të zgjedhur nga një qeveri e dalë nga zgjedhjet demokratike.

Duke u bashkuar me euron, Italia e dorëzoi sovranitetin e vet monetar te një institucion i jashtëm dhe i pavarur vendimmarrës, Banka Qendrore Europiane. Ajo ndërmori gjithashtu angazhime specifike në drejtim të sjelljes së saj mbi politikën fiskale, megjithëse këto angazhime nuk janë aq detyruese se sa janë ato të politikës monetare. Por këto detyrime vendosin limite reale mbi zgjedhjet në politikat makroekonomike që mund të bëjnë autoritetet italiane. Në veçanti, mungesa e një monedhe vendëse nënkupton që italianët nuk mund të zgjedhin objektivin e vet të inflacionit apo të zhvlerësojnë monedhën e tyre kundrejt monedhave të huaja. Ata duhet gjithashtu të mbajnë deficitet fiskale poshtë një tavani të caktuar.

Kufizime të tilla të huaja mbi veprimin politik nuk ka pse të jenë drejtpërsëdrejti në konflikt me demokracinë. Në disa raste ka kuptim që elektorati të lidhë duart e veta në rast se ky veprim ndihmon për arritjen e objektivave të rëndësishme. Kjo është arsyeja se pse kemi parimin e “delegimit demokratik”: demokracitë mund të përmirësojnë performancën e tyre përmes delegimit të aspekteve të caktuara të vendimmarrjes te agjenci të pavarura.

Rasti kanonik për delegimin demokratik shfaqet veçanërisht kur ka nevojë të madhe për një angazhim të besueshëm te një rrugë e caktuar veprimi. Politika monetare është ndoshta rasti më i qartë i kësaj. Shumë ekonomistë pranojnë idenë se bankat qendrore mund të gjenerojnë prodhim dhe punësim përmes politikës monetare ekspansioniste vetëm në rastet kur këto të fundit mund të prodhojnë inflacion surprizues në terma afatshkurtër. Por, për shkak se pritshmëritë i përshtaten sjelljes së bankës qendrore, politika monetare diskrecionare është e kotë: ajo sjell inflacion më të lartë por jo rritje në prodhim apo në punësim. Për rrjedhojë, është shumë më mirë që të izolosh politikën monetare nga presionet politike duke e deleguar atë te bankat qendrore teknokratike dhe të pavarura që janë të ngarkuara me një objektiv të vetëm: stabilitetin e çmimeve.
Në sipërfaqe, euro dhe BQE mund të shihen si zgjidhje për këtë dilemë inflacionare në kontekst Europian. Euro dhe BQE mbron elektoratin italian nga tendencat kundërprodhuese inflacionare të politikanëve të tyre. Por ka disa pekuliaritete te situata aktuale Europiane që e bëjnë argumentin e delegimit demokratik paksa të dyshimtë.

E para, BQE është një institucion ndërkombëtar, e cila ka përgjegjësi për politikën monetare për eurozonën si e tërë dhe jo për Italinë më vete. Rrjedhimisht ajo do të jetë në përgjithësi më pak reaguese ndaj rrethanave ekonomike italiane nga sa do ishte një bankë qendrore italiane, gjithashtu e pavarur. Ky problem përkeqësohet nga fakti se BQE e zgjedh vetë objektivin e saj të inflacionit, i cili u përkufizua për herë të fundit më 2003 si “poshtë por pranë 2% në terma afatmesëm”.

Është vështirë të justifikosh delegimin e objektivit të inflacionit te teknokratë të pazgjedhur. Kur disa vende në eurozonë goditen nga humbja e kërkesës, ky objektiv përcakton përmasat e deflacionimeve të dhimbshme të pagave dhe çmimeve që duhet të kalojnë këto vende për t’u ripërshtatur. Sa më i ulët të jetë objektivi, aq më i lartë duhet të jetë deflacioni që duhet të durojnë këto vende. Ka një argument të mirë ekonomik që thotë se BQE duhej të kishte rritur objektivin e vet të inflacionit pas shfaqjes së krizës së euros për të lehtësuar përshtatjet në konkurrueshmëri në Europën Jugore. Izolimi nga llogaridhënia politike në këtë rast ka gjasa të ketë qenë element negativ.

Siç e thotë edhe Paul Tucker, një ish-zëvendës guvernator i Bankës së Anglisë në librin e tij kryevepër Pushteti i pazgjedhur: Përpjekja për Ligjshmëri në Bankingut Qendror dhe Shteti Administrativ, argumenti për delegim demokratik është shumë delikat. Dallimi mes objektivave politike dhe se si ato zbatohen duhet të jetë i qartë. Deri tani ata detyrojnë pasoja shpërndarëse ose pazare mes objektivave kundërshtuese (punësim kundër stabilitet çmimesh, për shembull), objektiva politike që duhet të përcaktohen përmes politikës. Delegimi kërkohet në rastin më të mirë për të kryer politika që i shërbejnë objektivave të përcaktuara politikisht. Tucker argumenton me të drejtë se shumë pak agjenci të pavarura mbështeten në aplikimin e kujdessshëm të parimeve që mund të kalojnë në testin e legjitimitetit demokratik.

Kjo dobësi është shumë më e madhe në rastin e delegimit të kompetencave te agjenci ndërkombëtare apo traktate. Tepër shpesh, angazhimet ekonomike ndërkombëtare nuk shërbejnë për të rregulluar problemet demokratike në shtëpi, por i shërbejnë interesave të privilegjuara korporative apo financiare, të cilat dobësojnë fuqinë negociuese shoqërore të një vendi.

Deficiti në legjitimitetin e Bashkimit Europian rrjedh nga dyshimet popullore se organizimi i saj institucional ka mbështetur shumë më tepër korporatat në krahasim me popullin. Kur Matarela citoi reagimin e tregjeve financiare për justifikimin e vetos së tij për Savonën, ai thjeshtë i përforcoi këto dyshime.

Nëse euro – dhe me të vërtetë edhe vetë BE-ja – duhet të mbetet njëkohësisht një institucion funksional dhe demokratik, politikëbërësit do të duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kërkesave imponuese të delegimit të vendimeve te institucione të pazgjedhura. Kjo nuk do të thotë se ata duhet t’i rezistojnë dorëzimit të sovranitetit te agjencitë supranacionale me çdo kusht. Por ata duhet të kuptojnë se preferencat në politika të ekonomistëve dhe teknokratëve të tjerë rrallë herë kanë legjitimitet demokratik të mjaftueshëm. Ata duhet të promovojnë delegime të tilla të sovranitetit vetëm kur kjo masë me të vërtetë përforcon ecurinë afatgjatë të demokracive të tyre dhe jo thjeshtë kur i shërben interesave të elitave globaliste.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ekspertiza e armës së vetëvrasjes: Te “MP5” u gjetën gjurmët e gishtave të shoferit të Xhafajt

Në banesën e familjes Qordja në Qytetin Studenti vijojnë të jenë të...
Read More