Debati për emigrantët, UET-Press boton librin mbi bashkimin familjar

E drejta e bashkimit familjar, ka qenë një ndër çështjet më të ndjeshme në historinë shqiptare pas viteve 90-të për shkak të emigrimit masiv që Shqipëria ka pasur.

Erjona Canaj dhe Greta Bardeli kanë sjellë në një libër një analizë mbi këtë çështje, të quajtur “E drejta e bashkimit familjar në Bashkimin Europian dhe në Shqipëri”, libër që u promovua në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës nga botimet UET-Press.

Sipas Alda Bardhylit, ky libër ndihmon në hapjen e një debati mbi mënyrën sesi legjislacioni apo ekspertët tanë të jurisprudencës e kanë trajtuar këtë çështje, tashmë kur çështja e emigrantëve dhe mënyrës së trajtimit të tyre është një ndër debatet e kohës.

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Ferid Duka, u shpreh se ky libër është një analizë e munguar, e trajtuar nga dy autoret duke marrë në shqyrtim dy legjislacionet, atë shqiptar dhe atë europian.

“Libri i autoreve Erjona Canaj dhe Greta Bardeli analizon pikërisht këtë institut të së drejtës, duke nisur fillimisht nga aktet ndërkombëtare universale dhe ato rajonale e europiane. Studimi fokusohet në mënyrë të veçantë në rendin juridik të Bashkimit Europian.

Regjimi juridik i bashkimit familjar i shtetasve komunitarë me familjarët (qofshin këta shtetas komunitarë ose jokomunitarë) inkuadrohet në regjimin e përgjithshëm të lëvizjes së lirë, e cila rregullohet nga legjislacioni i brendshëm, në përputhje me aktet juridike europiane dhe me interpretimin evolues të Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

Për të trajtuar lëvizjen e lirë edhe si premisë dhe pjesë të bashkimit familjar, autoret janë ndalur posaçërisht te direktiva nr. 2004/38/KE, e datës 29 prill 2004, e Këshillit dhe e Parlamentit Europian, e cila përfshin gjithë disiplinën e qarkullimit të lirë të shtetasve komunitarë në territorin e secilit prej shteteve anëtare të BE-së.

Ky akt shumë i rëndësishëm përmbledh në një instrument të vetëm juridik përmbajtjen e rregullave për hyrjen dhe qëndrimin e personave të vetëpunësuar, personave të punësuar, studentëve, si dhe personave që nuk janë ekonomikisht aktivë dhe familjarët e tyre, duke e zgjeruar këtë të drejtë themelore dhe zbatueshmërinë e këtij legjislacioni te të gjithë qytetarët e BE-së që ushtrojnë të drejtën e qarkullimit të lirë dhe të rezidencës.

Bashkimi familjar i shtetasve jokomunitarë i është nënshtruar për një kohë të gjatë legjislacionit të brendshëm, i pandikuar nga e drejta komunitare, sepse në legjislacionin europian mungonin aktet juridike që rregullonin institutin e bashkimit familjar”, shprehet në parathënien e librit Prof. Dr. Ksenofon Krisafi.

Erjona Canaj, ka një eksperiencë të konsoliduar në botën akademike si eksperte e çështjeve që lidhen me bashkimin familjar, rregullat europiane dhe në përgjithësi ato të emigracionit, ka trajtuar në mënyrë të plotë dhe të detajuar çdo element që lidhet me këtë fenomen.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mësoni cilat janë shenjat e autizmit…

Edhe pse çdo fëmijë zhvillohet në mënyrë të ndryshme. Janë disa shenja...
Read More