Dekreti: Meta vë në “rresht” mazhorancën, rikthen ligjin për Teatrin

Presidenti Ilir Meta rikthen për shqyrtim në Parlament ligjin për teatrin Kombëtar. Nëntë argumentet që jep presidenti si shkelje të rënda dhe mbi të gjitha mungesa e konkurrencës. Meta përmend mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe i kërkon Parlamentit që të rishohë ligjin për teatrin. Mazhoranca gati për të vënë në “rresht” deputetët e saj për të riaprovuar ligjin.

Presidenti Ilir Meta rikthen në Parlament ligjin për teatrin kombëtar duke e futur sërish çështjen në një situatë të re, që mbetet në duart e deputetëve të mazhorancës. Kjo është hera e dytë që kreu i shtetit kthen ligjin për Teatrin. Herën e parë ai renditi të paktën 9 çështje të cilat sipas tij përbënin shkelje. Mazhoranca e mori në shqyrtim, duke pranuar një pjesë të kërkesës, por më shumë se një “reflektim” nga kthimi i ligjit nga presidenti, socialistët u detyruan të bëjnë disa ndryshime nën trysninë e Komisionit Europian. Përfaqësuesit europian reaguan konkretisht, duke shprehur shqetësimin se duhet të kishte një garë të hapur për kompaninë që do merrte përsipër prishjen e teatrit aktual dhe ndërtimin e një të riu, në këmbim të së cilës do të ndërtohen shtatë kulla. Opozita dhe një pjesë e artistëve kanë kundërshtuar ligjin që i hap rrugën prishjes së Teatrit Kombëtar, por mazhoranca ngjan e vendosur dhe tashmë mbetet vetëm rifutja në kalendar në Parlament, pasi i ka votat për ta rimiratuar. Debate do të jetë në interes në vijim pasi Presidenti Ilir Meta përveçse ka renditur disa nga shkeljet ligjore e kushtetuese, kryesisht referimit për mungesën e konkurrencës së ndershme përmend edhe mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese, çka mund t’i jepte zgjidhje situatës.

Meta dhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese

Për presidentin Meta, as gara e hapur nuk i jep zgjidhje kësaj çështjeje, pasi në ligjin aktual për teatrin kompania e preferuar do të jetë pikërisht “Fusha sh.p.k”. Praktikisht gara duket se është e tillë vetëm në letër, pasi kompanitë e tjera përveç “Fushës” nuk do mund të plotësojnë të gjitha kriteret. Në ligj është parashikuar që për zhvillimin e zonës pas Teatrit, kompanitë konkurruese duhet “të kenë nënshkruar marrëveshje me pronarët privatë që posedojnë pasuritë në zonën e zhvillimit të projektit”. Por njëri nga këta pronarë është pikërisht kompania “Fusha”. Mjafton vetëm që ajo të mos dëshirojë marrëveshje me ndërtues të tjerë, dhe këta të fundit janë automatikisht të skualifikuar. “Në thelb ky ligj i ri nuk ka arritur të zgjidhë asnjë prej çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara nga Presidenti në dekretin nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi”, thuhet në qëndrimin e Presidentit Meta. Për kreun e shtetit, dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurrencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë. “Këto konstatime e bëjnë këtë ligj të bjerë sërish ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar funksionimin e vet shtetit të së drejtës”, argumenton presidenca. Ligji i ri përcakton se çdo palë private që dëshiron të marrë pjesë në konkurrim duhet që propozimin e tij për zhvillimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duhet ta shoqërojë dhe me marrëveshjet që duhet të ketë arritur, me pronarët e pasurive private që ndodhen në zonën objekt zhvillimi dhe që përfshihen në këtë projekt. “Vendosja e këtij parashikimi ligjor përbën një kusht parakualifikues për të marrë pjesë në garë, duke e bërë kështu një proces selektiv konkurrimi”, -shprehet kreu i shtetit. Gjatë analizës së detajuar të mosdekretimit të ligjit presidenti konstaton tetë shkelje të cilat sipas tij pengojnë konkurrencën e lirë. Mjaft interesante në analizën e kreut të shtetit është edhe qëndrimi që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, Parlamenti duhet të rishohë me vëmendje të gjithë pretendimet. “Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale, për të verifikuar këto konstatime apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 (dt.05.07.2018) “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, mban qëndrim kreu i shtetit. Para se Meta të rikthente për rishqyrtim ligjin në parlament pati diskutime nëse Meta kishte ose jo atribute kushtetuese për të rikthyer një ligj dy herë. Ky ishte një diskutim juridik, por këtë lëmsh duhet ta zgjidhte Gjykata Kushtetuese, e cila është inekzistente pasi ka mbetur me vetëm dy anëtarë, nga nëntë që duhet të kishte.

Urgjenca për një ligj të veçantë

Çështja e Teatrit Kombëtar nuk është më vetëm një investim dhe shkatërrim i një objekti, por një problem që detyrimisht përfshiu artistët dhe qytetarët e Tiranës. Për ndërtimin e një teatri të ri u investua kreu i Bashkisë Tiranë, që pa bërë publike vendin ku do ndërtohej, nisi një tur dëgjesash mbi projektet. Në fund doli thelbi i çështjes që përfshinte shkatërrimin e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar, një ndërtesë e ngritur në vitet ‘30 dhe ndërtimin e një objekti të ri. Thuajse të gjitha institucionet shtetërore u angazhuan që të paraqisnin raportet që e konsideronin këtë godinë jashtë çdo standardi dhe sipas tyre nuk mund të ndërhyhej për rikonstruksion, por duhej shembur. Në një kohë të shkurtër, por mjaft intensive, u arrit që të vihej në agjendë ideja e shkatërrimit të teatrit dhe për ndërtimin e një objekti të ri modern u përfshi kompania “Fusha sh.p.k”, e cila merrte përsipër ngritjen e teatrit, por me kusht që zona përreth të jepej për zhvillim, çka parashikon ndërtimin e shtatë kullave. Nuk u mjaftua vetëm me ide, por gjithçka u konkretizua me ligj specifik, madje në mënyrë të përshpejtuar. Partia Demokratike dhe një pjesë e artistëve e kundërshtuan këtë nismë, duke e konsideruar aferë të mirëfilltë korruptive për interesa të kryeministrit dhe kreut të Bashkisë. Një fije shpresë shoqëria civile dhe aktorët që dolën kundër e patën dy muaj më parë kur i nisën letër Komisionit Europian, për të kërkuar reagimin e tyre. Përgjigjja nuk mungoi dhe Komisioni Europian edhe pse nuk konstatoi shkelje që binin ndesh me parimet e konventës europiane, konstatoi se ligji i paraqitur dhe i miratuar nga mazhoranca, ishte preferencial dhe nuk i jepte të drejtën kompanive private që të merrnin pjesë në garë të ndershme. Këshillat e Komisionit Europian u lexuan në forma të ndryshme nga pozita, opozita dhe artistët. Mazhoranca u shpreh se do të bënte ndryshimet e duhura ligjore, por sërish e preferuar mbetet kompania “Fusha”. Tashmë me rikthimin e ligjit nga kreu i shtetit politika do të ketë mundësi për debate të zjarrta, ndërsa deputetët socialistë do të duhet të vihen edhe një herë në “rresht” për të rrëzuar pretendimet e presidentit dhe miratuar me votë ligjin për Teatrin Kombëtar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vasili publikon SMS-në e famshme për Tahirin: Po të përgjonin…

Një nga zyrtarët e LSI ka publikuar një mesazh që u përfol...
Read More