Dëshmia e rëndë e 25-vjeçares, SHKB “shkund” 4 komisariate për djalin e deputetit

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Shtetit nis verifikimet për 4 komisariatet ku Xhesiela Maloku denoncoi dhunën nga Rexhep Rrahja, djali i deputetit socialist, por nuk u morën masat e nevojshme. Reagime të forta politike. Balla padit kreun e PD-së Basha, oficerin Nuhu dhe gazetarin Çollaku.

Nënkomisar Emiljano Nuhu, tashmë i larguar për azil politik, vë në lëvizje SHKB-në dhe prokurorinë, duke nisur një hetim të thelluar për katër komisariate në vend. Të gjithë emrat e përmendur nga Nuhu do të merren në verifikim për një ngjarje të rëndë që lidhet me dyshimin se Rexhep Rrahja, djali i deputetit socialist Rrahman Rrahja, ka dhunuar fizikisht dhe seksualisht një 25-vjeçare nga Nikla e Fushë-Krujës. Tashmë çështja nuk është vetëm një vepër penale e “zakonshme”, pasi nënkomisari ka akuzuar deputetët Taulant Balla, Rrahman Rrahja dhe kryebashkiakun e Krujës Artur Bushi, se e kanë kërcënuar me armë në zyrë për të lënë të lirë djalin e deputetit Rrahja. Përveç akuzave politike, në këtë histori të rëndë policia dhe prokuroria ka dështuar për t’i shkuar deri në fund çështjes, aq sa 25-vjeçares i është dashur të denoncojë sa në komisariatet e Tiranës ashtu edhe të Fushë-Krujës dhe Durrësit për dhunën që ka përjetuar. Pas çdo denoncimi vetëm pak orë më pas vinte tërheqja e padisë dhe kjo sipas së dhunuarës Xhesiela Maloku e kushtëzuar nga kërcënimet e vazhdueshme. Përfshirja e emrit të kreut të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputetit Rrahman Rrahja dhe kryebashkiakut të Krujës ka pështjelluar politikën me deklarata të forta dhe denoncime.

SHKB “shkund” komisariatet

Nisur nga publikimi i fakteve të rënda SHKB (Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm) ka nisur verifikime të thelluara ditën e djeshme në komisariatet nr. 3 dhe 6 në Tiranë, si dhe në komisariatin e Fushë-Krujës dhe të Durrësit, që kanë marrë kallëzimet e të dëmtuarës Maloku, por veprimet procedurale të mëpasshme lënë vend për dyshime se nuk janë zbatuar procedurat ligjore. Çështja mund të mos ishte mësuar kurrë, por ish-oficeri i Policisë Gjyqësore Emiljano Nuhu dha një intervistë për gazetarin Basir Çullaku, duke pretenduar se sapo ka kërkuar arrestimin e autorit të dyshuar Rexhep Rrahja në zyrën e tij në Komisariatin e Fushë-Krujës kanë mbërritur deputetët Rrahman Rrahja, Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi, duke pretenduar se e kanë kërcënuar me armë me jetë nëse lëshon urdhër-arrestin. Ditën e djeshme është zbuluar edhe dëshmia e Malokut dhënë para Oficerit të Policisë Gjyqësore Emiljano Nuhu. Vajza rrëfen tmerrin e përjetuar duke treguar me detaje si dhunën fizike ashtu edhe psikologjike dhe seksuale. Në vijim të rrëfimit, 25-vjeçarja pranon që edhe pse e ka denoncuar në disa raste është detyruar të tërheqë padinë sërish, pasi Rrahja dhe miqtë e tij e kanë kërcënuar me jetë. Rrëfimin e mbyll me shprehjen: “unë e tërhoqa kallëzimin sepse shtetasi Rexhep Rraja më kërcënoi se do më vriste. Ata janë fis kriminelësh, rrinë gjithmonë me pistoletë, unë nuk e kam babain”.

Prokuroria, merr e prit

Nuk është vetëm policia e vënë nën akuzë në këto momente, pasi për djalin e deputetit Rrahja prej disa muajsh Prokuroria e Krujës ka një hetim, por ende ngjan e mefshtë për të dalë në konkluzione, e aq më pak të lëshojë një urdhër ndalimi. Gjithashtu, rezulton se Rexhep Rrahja ishte shpallur në kërkim më parë në vitin 2017 për shkak se dyshohet se është përfshirë në krim elektoral, gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar. Pavarësisht se ishte “në kërkim” ai hynte e dilte në komisariate ku merrej në pyetje pak minuta për konfliktin me 25-vjeçaren Maloku dhe më pas lihej i lirë. Tashmë pritet që institucioni i akuzës të vihet në lëvizje jo vetëm për të hetuar thellësisht çështjen që kërkon përgjigje sa më të shpejtë. Po dje, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal për kreun e PD, Lulzim Basha, nënkomisar Emiljano Nuhu dhe gazetarin Basir Çollaku për shpërdorim detyre dhe kallëzim të rremë. “Në lidhje me të kallëzuarin prej meje, deputeti Lulzim Basha. Në vijim, ka dalë në orët e pasdites së datës 26.09.2016 deputeti i kallëzuar prej meje Lulzim Basha, i cili pa kryer asnjë verifikim, me dashje direkte, ka përsëritur të njëjtat akuza duke cenuar kështu interesat e ligjshme të miat dhe të shtetit njëkohësisht, që në rastin konkret kanë të bëjnë me hetimin e plotë dhe transparent të një vepre penale, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë”, thuhet në kallëzimin e Ballës. Gjithashtu, të njëjtën linjë ka ndjekur edhe për Nuhun dhe Çollakun.

 

Paloka dhe Balla përplasen ashpër, Kryemadhi: Të merret në mbrojtje e dhunuara

Ditën e djeshme nëpërmjet një reagimi në Facebook ka patur përplasje të fortë në distancë mes deputetit socialist Taulant Balla dhe atij demokrat Edi Paloka. Balla është shprehur se do të kallëzojë penalisht për shpifje dhe fyerje edhe Palokën, por reagimi ishte i menjëhershëm. “Shpifësira e ‘Rilindjes’, zëvendësi i denjë dhe quasisozia i Edvin Ramës, paska shkruajtur se do me hedhë në gjyq për shpifje duke me quajtur dhe “shpifës profesionist”. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Edvini kur e akuzova për lidhjet e tij me krimin përpara se të përgjysmonte grupin parlamentar për shkak të ligjit për dekriminalizimin” shkruan Paloka, ndërsa nuk kursen edhe fjalë disi fyese drejt deputetit socialist. Ndërkohë çështja nuk është lënë në heshtje as nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetarja Monika Kryamdhi ka reaguar ditën e djeshme mbi denoncimin nga nënkomisar Emiljano Nuhu një ditë më parë, i cili tha se janë mbyllur hetimet për djalin e deputetit socialist Rrahman Rrahja, që akuzohej nga një vajzë për përdhunim. “I bëj thirrje institucioneve të marrin në mbrojtje Xhisela Malokun. E denoncoi tre herë ngjarjen. Djali i deputetit është edhe i kërkuar nga drejtësia shqiptare, por ai është edhe ‘ligji edhe Maliqi’. Vetëm nëse ajo vajzë merret në mbrojtje zbardhet e vërteta”-tha Kryemadhi, që njëkohësisht u bëri thirrje shoqatave të grave dhe shoqërisë civile të mos heshtin, por të jenë në krah të vajzës, për t’i dhënë besim për ta denoncuar rastin.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A votoj për lumturinë?

Kushtuar të ndjerit Gëzim Qëndros që më infektoi me pasionin e tij...
Read More