Deutsche Welle: A mund të jetë Kosova në rend dite në takimin Trump-Putin?

Çfarë pret dhe çfarë mund të presë Beogradi nga takimi i ardhshëm Trump – Putin më 16 Korrik në Helsinki? Në këtë kontekst në Beograd përmendet shpesh edhe Kosova.

Nuk është krejt e saktë nëse flasim për një kthesë të madhe në politikën e jashtme serbe, por kohët e fundit po shihet se krerët e politikës në Beograd po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje takimit të ardhshëm Putin – Trump, i cili do të mbahet më 16 korrik në Helsinki. Ka disa sinjale që e dëshmojnë këtë.

Sinjali i parë është pohimi i ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç, se takimet me sekretarët e sekretarëve të sekretarëve amerikanë nuk kanë më asnjë kuptim dhe se tani duhet të kërkohet rruga drejt kreut të Shtëpisë së Bardhë. Vetëm pak më vonë erdhi ftesa e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dërguar presidentit amerikan Trump që të vizitojë Serbinë. Presidenti i Rusisë e ka pranuar këtë ftesë.

Autoritetet e Serbisë nuk do ta pranonin kurrë hapur, por hapat dhe veprimet e tyre të çojnë në konkludimin: Respekt për punën e Bashkimit Evropian, por disa gjëra nuk mund të zgjidhen pa Uashingtonin dhe Moskën.

Orientimi drejt figurave kryesore

Problemi më i madh që i rëndon Serbisë është çështja e Kosovës dhe paaftësia e burokratëve evropianë që ta përfundojnë këtë proces. Politikanët në Serbi kanë shtuar kohët e fundit kërkesat ndaj palës shqiptare në Kosovë që ajo të përmbushë detyrimet e veta. Pakënaqësia me veprimet në terren ka bërë që pala serbe t’u kthehet figurave kryesore në politikën ndërkombëtare.

Kur themi Bruksel, siç shpjegojnë bashkëbiseduesit e Deutsche Welles, mendohet në radhë të parë tek vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por edhe në mesin e tyre ka vende të cilat në kontakte me politikanët e Beogradit thonë se në vitin 2008 e kanë njohur Kosovën vetëm për shkak të presionit nga Uashingtoni. Ndaj takimi i ardhshëm i Trumpit dhe Putinit shihet si një shans i madh për impulse të reja në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ose të paktën që ky problem të përmendet, sepse autoritetet e Serbisë nuk mund të presin asgjë nga BE-ja.

Moska dhe Uashingtoni vendosin

“Mendoj se Serbia e ka kuptuar se ka vetëm dy qendra kryesore që mund ta influencojnë seriozisht gjendjen e sigurisë në rajon”, thotë për DW Dushan Prorokoviç nga Qendra për Alternativa Strategjike. “Ndaj pala serbe po përpiqet që përmes komunikimit të përbashkët me palët të vendoset në rend dite edhe çështja e Kosovës”.

Gazetarja Ljiljana Smajloviç thotë për DW se ajo pajtohet me qëndrimet e palës serbe, “se pa angazhimin e Moskës dhe Uashingtonit nuk mund të zgjidhet ky problem. Beogradi është shumë i interesuar për relaksimin e raporteve mes SHBA dhe Rusisë, sepse kjo do të hapte mundësinë që Perëndimi të dëgjojë më me vëmendje edhe qëndrimet e Beogradit dhe të gjejë një kompromis, për të cilin Vuçiqi flet tërë kohën”.

Mediat në Serbi kanë vlerësime të ndryshme për këtë takim. Disa prej tyre thonë se Trumpi dhe Putini do të flasin për Kosovën vetëm 1-2 minuta, por kjo do të jetë shumë e rëndësishme. Por është shumë vështirë të dallosh dëshirat e kota të autoriteteve serbe nga realiteti. Çfarë mund të presë Serbia nga këto pak minutat e këtij takimi, kur mund të flitet eventualisht për Kosovën? Dushan Prorokoviç thotë, se nuk dihet fare nëse presidentët do ta përmendin Ballkanin, e të mos flasim për Kosovën. “Rendi i ditës në këtë takim do të jetë i stërngarkuar me çështje shumë të rëndësishme. Nëse përmendet edhe Kosova, kjo do të jetë në kuadër të çështjes së Krimesë, sepse Rusia insiston që rasti i Kosovës mund të shërbejë si rast precedent edhe për Krimenë.”

Politika ruse – edhe Kosova edhe Krimeja

“Nëse Kosova vendoset në rend dite, e gjitha që mund të presim është që Donald Tramp të kuptojë se çështja e Kosovës ka një rëndësi edhe për Putinin”, mendon Ljiljana Smajloviq. “Mendoj se Kosova për Putinin është vërtet e rëndësishme. Krimeja është natyrisht më e rëndësishme, por nuk mendoj se Putini do të heqë dorë nga mbështetja e Serbisë në çështjen e Kosovës vetëm për shkak të Krimesë. Pohimet se Putini është i gatshëm të shkëmbejë Kosovën me Krimenë janë mosnjohje fundamentale e politikës së jashtme ruse dhe e Putinit vet“.

E kur merret parasysh fakti që Kosova është vënë në rend dite me insistimin e diplomatëve serbë, siç thotë Smajloviç, “kjo mund të jetë edhe një lloj përgatitje e terrenit në Serbi dhe të thuhet se zgjidhja e ardhshme është pasojë e marrëveshjeve mes Putinit dhe Trumpit dhe jo lëshimeve të palës serbe”. Ka dhe të tillë që thonë se kjo është një shuplakë e rëndë për Brukselin dhe se kjo mund të ndikojë në keqësimin e raporteve mes Serbisë dhe BE-së. Ndërsa të tjerët thonë se hapja e çështjes së Kosovës në këtë takim mund të sinjalizojë angazhimin më aktiv të SHBA-së dhe Rusisë në dialogun për Kosovën.

Dusha Prorokoviç thotë, se “BE-ja ka përjetuar kaq shumë goditje vitet e fundit sa që kjo çështje nuk do të vërehet fare. Me sa e njoh unë burokracinë evropiane, mendoj se fajtor për ngecjet në procesin e Kosovës do të shpallet një person, ndërsa gjërat do të vazhdojnë me të vjetrën. Mund të ketë edhe zemërime, por me këtë çështje nuk do të merret askush seriozisht në Beograd apo Prishtinë”.

Zbehen premtimet e BE-së

Nëse arrihet ndonjë marrëveshje mes SHBA dhe Rusisë për Ballkanin, Kosova do të jetë vetëm një prej temave, thotë Prorokoviç. „Këtu ka shumë përzierje interesash dhe çështje të hapura, për të folur vetëm për Kosovën. SHBA-ja dhe Rusia kanë interesat e tyre në të gjithë rajonin dhe në këtë kontekst është e mundur që të flitet për parimet e funksionimit të Ballkanit. Por dua të nënvizoj, se ky është vetëm një skenar hipotetik”.

Serbia është futur në një periudhë tensionesh në raport me Kosovën, thotë Smajloviç, ndaj është mirë që fuqitë e mëdha të dërgojnë një sinjal, mesazh, në radhë të parë në drejtim të Kosovës që të pranojë ndonjë kompromis. „E sa i përket BE-së, mendoj se fuqia joshëse e BE-së po zbehet. Ndaj këtë problem mund ta zgjidhin vetëm Uashingtoni dhe Moska”, mendon Smajloviç.

Edhe Prorokoviç pohon, se “fjalët për anëtarësimin në BE janë shndërruar në Ballkan më shumë në një pjesë folklori, sepse askush nuk beson sinqerisht se do të bëhet pjesë e BE-së, kur nuk dihet nëse BE-ja do të jetë e njëjtë si tani deri në vitin 2020. E të mos flasim për anëtarësimin e Serbisë në BE, brenda një kohe të shkurtër”./Deutsche Welle

Shkruar Nga
More from Redaksia

Biblioteka- Muzeume të Tiranës!

    E sjellim artikullin e mëposhtëm të Arshi Pipës, botuar në...
Read More