Disa këshilla për studentët e rinj të degës së shkencave politike në UET

Nga Florian Çullhaj, PhD

Si student i brezit të parë të Shkencave Politike në Shqipëri dhe pas një eksperience dhjetëvjeçare si Lektor në po të njëjtën disiplinë, gjykoj se kam krijuar eksperiencën e mjaftueshme të përcjell disa këshilla për studentët e rinj që janë regjistruar, si dhe për ata që duan të regjistrohen në këtë disiplinë.

Këshilla ime e parë për ta është, të shmangin sa të munden dhënien rëndësi të thashethemeve që qarkullojnë rreth një çorganizimi kronik që ka tregu i punës për këtë disiplinë. Nuk e mohon askush se ka vështirësi, por as më shumë e as më pak se disiplinat e tjera simotra. Këshilla e dytë është që, dega e Shkencave Politike të mos jetë zgjedhja ‘rezerve’ ndaj një disipline tjetër dhe ndjekja e saj të kryhet pa vullnet e dëshirë. Kjo disiplinë ka një shkallë shumë të lartë impenjimi, për shkak të trasversalitetit të lëndëve të saj, për pasojë, studentët duhet të regjistrohen në qoftë se vërtet kanë interes ndaj saj dhe jo si një zgjedhje e sforcuar, përndryshe përballja me vështirësitë është e paevitueshme.

Një parakusht thelbësor, që duhet të kenë studentët që duan të ndjekin disiplinën e Shkencave Politike është, kurioziteti. Nëse një i ri/e re nuk ka shqetësim për atë që e rrethon, nuk lexon shtypin, nuk ka interes për atë që ndodh në botë, atëherë ai/ajo nuk mund ta përballojë me sukses këtë proces studimi. Në anën tjetër, vëmendja ndaj botës së jashtme duhet të korrespondojë me pjesëmarrjen në jetën universitare. Ata studentë që thjesht studiojnë në shtëpi dhe pastaj vijnë vetëm për të dhënë provime, nuk e plotësojnë statusin e studentit. Duhet përpjekje për të krijuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Universitetin, duke shfrytëzuar të gjitha shërbimet që ai ofron, të tilla si: frekuentimin e bibliotekës, pjesëmarrjen në klubet studentore, njohjen me Pedagogët, për të krijuar një marrëdhënie personale me ta (dhe kjo është e mundur në UET). Për të dalë nga anonimati, të mos mbetesh thjesht një matrikull, por një student me emër dhe mbiemër. E gjithë kjo fillimisht mund të duket si humbje kohe, por në planin afatgjatë do të kuptohet se nuk është kështu.

Së treti, për të tërhequr vëmendjen e studentëve në vitin e parë, Pedagogët përpiqen të bashkëveprojnë me ta duke i përfshirë në procesin mësimor, duke i caktuar ‘detyra’, për të nxitur një marrëdhënie të ndërsjellë. Kjo metodë është shumë e rëndësishme, sidomos për studentët e rinj, për përvetësimin e një forme sa më të mirë komunikimi, si me gojë po ashtu dhe me shkrim. Elemente mjaft të dobishme këto, minimalisht për të shmangur mbërritjen deri te shkrimi i diplomës me gabime gramatikore.

Së katërti, është përballja me lëndët e vitit të parë të cilat janë të gjitha risi për studentët; edhe një lëndë si Studime Politike Shqiptare, mund të konsiderohet e re për ta, duke pasur parasysh qasje të ndryshme dhe përgatitjen e varfër të ofruar në shkollat ​​e mesme. Përgjatë përvojës sime kam konstatuar se, një pjesë e mirë studentëve të rinj bëjnë gabimin e mbartjes në vitin pasardhës të një provimi të vështirë. Në këtë mënyrë, ata rrezikojnë të mos jenë në gjendje ta kapërcejnë më atë, sepse sa më shumë kalon koha aq më shumë ulet përqendrimi mbi atë lëndë, shto këtu dhe përparimin me lëndët e tjera që mund të jenë më tërheqëse, e thellon problemin. Studentët nuk duhet të shtyjnë lëndët e vështira, por duhet të ‘çlirohen’ prej tyre menjëherë, sepse këto lëndë përbëjnë bazat kryesore të nisjes për të gjithë udhëtimin.

Ndonjëherë ndodh që, studentët e rinj ju besojnë më shumë seç duhet thashethemeve që qarkullojnë për Pedagogët e ashtuquajtur “të tmerrshëm”. Rekomandimi im i pestë është, t’i shohin vetë këta Pedagogë. Ndonjëherë ka kolegë më të rreptë, të cilët ofrojnë shumë në mësimdhënie dhe për pasojë pretendojnë në mënyrë të barabartë me atë që japin. Studentët duhet të përpiqen të shkojnë përtej përshtypjes së parë dhe të krijojnë dialog me këta Pedagogë.

Këshilla e gjashtë dhe e fundit, është që studenti duhet të mendojë për një ‘kompromis’, të balancojë cilësinë me sasinë, të paktën përgjatë ciklit të parë të studimit. Tregu është shumë kritik për ata që diplomohen vonë, kështu që të përfundosh jashtë kohës normale të studimit, por me nota të mira, nuk ofron shumë mundësi punësimi në profesion. Por, në anën tjetër nuk është aspak e udhës të diplomohesh në kohë, por me nota të ulëta dhe përgatitje të dobët. Pra, nevojitet një ‘kompromis’.

Këto ishin disa këshilla për ata të cilët zgjedhin të studiojnë disiplinën e Shkencave Politike në UET. Besimplotë se akëcili student që i merr në konsideratë këto këshilla dhe ka kthjelltësinë dhe maturinë e mjaftueshme për të qenë në koherencë me zgjedhjen e tij, vështirësitë e rrugëtimit universitar do t’i davariten edhe më lehtë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Koalicion i madh PD-PS në vjeshtë: A do të ndodhë, a mund të ndodhë, a duhet të ndodhë?

Shtyrja e hapjes së negociatave, ngecja e reformës në drejtësi dhe ligji...
Read More