Donald Trump shpërthen ndaj Gjermanisë: Kontrollohet totalisht nga Rusia

Presidenti amerikan, Donald Trump shpërtheu ashpër në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai tha se varësia e Gjermanisë nga importi i gazit natyral prej Rusisë është një arsye për t’u shqetësuar.

“Kjo është një gjë e keqe për sigurinë e NATO-s,” tha Trump, duke shtuar se Gjermania është totalisht e kontrolluar nga Rusia.

Sipas BBC, Trump tha se 70 përqind e gazit të importuar në Gjermani vjen nga Rusia, por të dhënat zyrtare thonë se shifra është 50 përqind.

Trump akuzoi europianët se nuk kanë paguar mjaftueshëm për operacionet e NATO-s.

Samiti i Brukselit vjen një javë përpara se Trump të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në Helsinki, duke ngjallur shqetësime mes aleatëve të NATO-s për afrimitetin e tij me presidentin rus.

Trump shokoi ekspertët kur tha se samiti i NATO-s do jetë më i vështirë se samiti i të hënës me zotin Putin.

****************************

Presidenti amerikan Donald Trump nisi këtë të mërkurë udhëtimin e tij njëjavor në Europë, me kritika të ashpra ndaj aleatëve të NATO-s, duke parashikuar madje se “më i lehti” i takimeve gjatë udhëtimit të tij mund të jetë ai kokë më kokë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ndërkohë që linte Shtëpinë e Bardhë për turneun e tij në 4 shtete europiane, Trump bëri shumë pak përpjekje për të garantuar aleatët, të shqetësuar nga rreziku që ai mund t’i shkaktojë paktit 69-vjeçar të mbrojtjes së përbashkët transatlantike, e me gjasë edhe nga “përqafimi” me Putinin gjatë samitit në Helsinki.

Trump tha këtë të martë se, “nuk mund ta deklaroj tani” nëse Putini është mik apo armik, por thjesht e quajti atë një “konkurrent”.

Komuniteti i shërbimeve sekrete amerikane ka dalë në konkluzionin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, për të favorizuar kandidaturën e Trumpit, e paralajmëron gjithashtu përpjekje të mëtejshme për ndërhyrje në zgjedhjet e mesmandatit të sivjetshme dhe ato europiane të vitit të ardhshëm.

Duke folur për reporterët përpara largimit nga Uashingtoni për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në samitin e NATO-s, Trump e kritikoi paktin, duke thënë se “e thënë shkoqur, ai ndihmon më shumë ata, sesa neve”.

Trump u ka bërë presion vendeve anëtare të NATO-s të përmbushin detyrimin e tyre për shpenzime sa 2 për qind e GDP-ve të vendeve respektive në fushën e mbrojtjes deri në vitin 2024. Gjatë fushatës së tij presidenciale, ai sugjeroi se do t’i shkonte në ndihmë vetëm aleatëve të NATO-s që e përmbushin këtë detyrim, por kritika vijon edhe sot e kësaj dite.

Pas Belgjikës, rrugëtimi i Trumpit do të vijojë me Londrën, ku qeveria e kryeministres Theresa May është në kaos për shkak të planeve të saj për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Gjatë vizitës së tij në Londër, ai me gjasë do të pritet me protesta masive. Më tej, ndalesa e radhës do të jetë në Skoci, përpara se të përfundojë me takimin me Putinin në Helsinki të Finlandës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Demokraci pa shtyllë kurrizore

Nga Klementin Mile - E kemi dëgjuar shpesh që demokracia varet nga ekzistenca...
Read More