Dosja M

Për herë të parë publikohen pasazhe nga Dosja sekrete e Maks Velos, që së shpejti do të vijë në një libër

Nga Alda Bardhyli, Revista Mapo

“Kam një javë që nuk fle, më është prishur gjumi”. I veshur sportiv, me flokët që ia bëjnë më të qartë në portret atë çfarë ndodh brenda tij, Maks Velo po përpiqej të më thoshte ende pa u ulur në këndin tonë tek “Sofia”, (një nga kafet e tij të preferuara tek 9-katëshet) se këto dy javë që nuk ishim parë kishte ndodhur diçka e ngjashme me një stuhi. Fjalët e mia se “Përkthyesi”, (vëllimi me tregime i sapodalë nga mapoedition ishte pritur mirë nga lexuesi) ndryshe nga herët e tjera humbën në ajër, dhe ai vazhdonte të përsëriste se “kjo është e pabesueshme”. Emra miqsh artistë që i kishim sjellë shpesh në biseda mbi artin e së shkuarës, apo soc-realizmin, po dilnin në rrëfimin gati të pabesueshëm për një kafe mëngjesi që ia feksin më shumë atë damarin e kaltër në duar.

Shumë shpejt do të kuptoja se biseda mbi tregimet e burgut dhe takimi që i kisha përgatitur me nxënësit e gjimnazit ‘Ismail Qemali’ në COD në kryeministri nuk mund t’ia fashiste tronditjen që i dallohej në çdo lëvizje vështrimi. Dy javë më parë, Autoriteti i Hapjes së Dosjeve i kishte thënë se dosja e tij ishte gati, dhe nëse donte mund të shkonte ta tërhiqte.

Me kureshtjen dhe dyzimin e njeriut përballë të vërtetës, Maks Velo e kishte ndjerë tronditjen që para se në duar t’i dorëzohej dosja e bardhë që mbante dhjetëra materiale të shtypura me makinë shkrimi, raporte dhe shënime operative që në fillim të viteve ‘80-të do t’i kushtonin vite të tëra burg. Ai e kishte marrë dosjen pa thënë asnjë fjalë dhe me padurimin e së vërtetës kishte tërhequr pas vetes portën e shtëpisë për t’u zhytur në trishtimin e së vërtetës. Nuk e kishte menduar asnjëherë që do të ishte më mirë që të mos e kishte marrë dosjen. Me temperamentin apo dhe artin që bën, Velo ka treguar një lloj qëndrese. “Ishte miku im, më kishte shkuar në shtëpi e kur isha në burg”, vazhdonte ai të përsëriste fjali që kërkonin të shpjegonin atë çfarë ndjen njeriu kur përballet me të vërtetën. Pastaj më tregonte se dosja vetëm i kishte konfirmuar atë ndjesinë e hershme që kishte pasur për miq të ndryshëm, apo austriaken Gertrudë Buheskes (vjehrra e tij), e cila teksa flet në shënime për të “bijën që po i luan mëndsh” nga martesa me të, nuk rresht së treguari histori familjare. Apo rrëfimi i ish-gruas që “gjatë bashkëjetesës me Maksin kishte konstatuar se ishte i dhënë pas artit dekadent. Ai në shtëpi kishte piktura që për mendimin tim nuk i përgjigjeshin realizmit socialist”.

Dosja e kishte zhytur thellë në kohë, duke i rishfaqur ngjarje e njerëz që kujtesa i kishte fshirë me vitet.

Çdo pseudonim në fund të raporteve i kishte rishfaqur portretin e një miku. I tillë ishte dhe “Motori”, i cili në vitet 1964-1965 shënonte në raport se “i ka shkuar në studio Maksit, në shtëpi, të cilën e ka në rrugën “Fortuzi”, për t’i parë punimet në pikturë. Në studio Maksi kishte piktura dekadente, ekstreme për frymën e tyre antirealiste dhe formë ekstravagante. Tema e punimeve ishte krejtësisht me varreza, kënga nga grupe labe me ngjyra të errëta dhe në sfond gjithnjë varreza. Gjithashtu Maksi kishte një bibliotekë me libra arti, të huaja, të cilat sipas vetë Maksit, ia kishin sjellë të vjetra nga jashtë. Në studio, burimi i bëri vërejtje për mënyrën dhe frymën që trajton, kurse Maksi ishte i vendosur në të tijën duke thënë: “se mua më pëlqejnë shumë këto””.

Në dosje ishin dhe udhëzimet që operativët merrnin për të provokuar artistin. “Në bisedat që “Semani” do të bëjë me Maks Velon t’i thotë: “Kam marrë vesh se qenka arrestuar Fadil Paçrami. Po ti ke marrë vesh gjë? Ti ke pasur njëfarë njohje me të, nuk ke frikë se mund të të implikojë? Ç’është e vërteta, të ka përkrahur ca Fadili ty në kohën e vet, sidomos ai, me sa më kujtohet mua, kishte qejf dhe i pëlqente krijimtaria jote në pikturë e arkitekturë. T’i flasë për piktorët tanë të realizmit socialist si Fatmir Haxhiun, Nexhmedin Zajmin etj., për krijimet e tyre të kohëve të fundit etj.”, thuhet në një raport të vitit 1976.

Gjithë jeta e detajuar në copëza letrash që për vite me radhë kishin ndenjur në sirtarët e rëndë të klasifikuar si “sekret” tashmë ishte në duart e tij. Ndaj me portretin e një njeriu të lënduar për së dyti, Maks Velo kërkonte vetëm të fliste atë mëngjes, me fjalitë që shpesh ndërpriteshin nga heshtja.

Dosja, të cilën do të ma tregonte më vonë, ishte më e rëndë se vetë burgu. Në debatin që bëjmë shpesh për të kaluarën dhe në katarsasin e nevojshëm që duhet të bëjmë si shoqëri, reagimi i Maks Velos është ndërgjegjia e lënduar e së shkuarës. Guximi për t’u përballur me denoncuesit duke hequr atë frikën se një jetë e tërë mund të rrëzohej brenda tij, është shembulli sesi duhet të sillemi me të vërtetën. Jo si një hakmarrje, por si një lartësim për të pranuar rrugëtimin tonë për vetë kontekstin historik ku jetuam, për të parë se si komunizmi dhe diktaturat mund ta shndërrojë qenien njerëzore, duke denoncuar dhe miqtë më të ngushtë. Kjo dosje, të cilën Velo ma ka besuar për ta risjellë në një libër së shpejti, të plotësuar me rrëfimin e tij, është rrëfimi për komunizmin e vërtetë, dhe një distancim ndaj tij. Më poshtë po botojmë disa fragmente nga kjo dosje, e cila rrëzon dhe ndërton një tjetër histori të së shkuarës.

 

 

GERTRUDA

SEKRET

Ekzemplar i vetëm

Tiranë, më 4.7.75

Shënim Operativ

Sot me datën 4.7.75 pata një bisedë në prezencë të P.Operativ Gekim Bejko, me qytetaren Gertrudë Buheskes, që banon në rrugën Bajram Curri 36/4, p. 10. Kjo ishte vjehrra e Maks Velos që ndiqet nga ana jonë në P.Paraprak për agjitacion e propagandë. Gertruda u ankua për dhëndrin e saj Maksin si dhe për të bijën, se ata e trajtojnë shumë keq, bile edhe e rrahin. Gertruda është më kombësi austriake. Ajo, duke qarë, fliste me një urrejtje të madhe për Maksin dhe familjen e tij. Për Maksin ajo thoshte se është njeri hipokrit, egoist. Ndërsa për familjen e tij: familje aristokrate. Më ka ndodhur, tha ajo, në ndonjë rast të shkoj te shtëpia e tyre dhe kam dëgjuar fjalët e së ëmës së Maksit, e cila më thoshte se Maksi im është rritur me çokollata, se ai ka lindur në Paris etj. Vajza ime, vazhdon më poshtë Gertruda, qysh se është martuar me Maks Velon ka humbur fare. Ajo bile ka humbur dhe botëkuptimin e saj të mëparshëm. Megjithëse Maksi e trajton shumë keq, ajo përsëri e do atë. Qysh se është martuar me time bijë, Maksi nuk ka sjellë asnjë lek në shtëpi, bile as tani që ka lindur djalë. Ai është një tip psikopati dhe shumë i ulët në karakter. Tani ka dy a tre muaj më ka sjellë në shtëpi vajzën me gjithë djalin dhe nuk interesohet fare për to. Do që ta ndajë time bijë, por guxon që ta padisë në gjyq. Me një fjalë, Maksi është një tip borgjezi që unë nuk gjej fjalë ta shpjegoj karakterin e tij. Ai tani më quan mua spiune, se gjoja kam dorëzuar dy libra të tij në Degën e Brendshme, që kanë përmbajtje jo të mirë. Unë me të vërtetë kam shpënë dy libra në Lidhjen e Shkrimtarëve që më janë dukur jo të mirë, por jo në Degën e Brendshme. Nuk e di kush mund t’i ketë thënë Maksit për këto. Bile edhe ime bijë më thotë që po qe se do t’i ndodhë gjë Maksit, dije se kam për të të zhdukur ty. Ime bijë bile më ka goditur mua. Ajo është bërë si e luajtur mendsh. Në këtë gjendje atë e solli Maks Velo. Vajza ime ka rënë në një pesimizëm të madh sa që mua më zë meraku se ajo për shkak të Maksit mos kalon në vetëvrasje. Dua ta bind që të shtrohet në spital, por ajo nuk pranon me mua. I them që ta ndajë Maksin, por ajo përsëri nuk pranon.

Punëtori Operativ

/ Ropi Postoli /

 

 

Tiranë, më 14.2.76

Ekstrakt

Nxjerrë nga e thëna e agjentit “Semani” datë 14.2.76

….Ai njofton se më datën 5 shkurt 1976, shkoi në Ndroq ku u takua me Maks Velon dhe pasi u përshëndetën, Maksi e pyeti atë: “A e ke lexuar “Nëntorin”? Jo i përgjigjet ai. Maksi ja kthen: “Lexoje,lexoje unë mendoj se për atë që është kritikuar Ismaili nuk janë gjë, ato të tjerat, ajo është”. Për çfarë e kishe fjalën a mund ta di? Maksi nuk ia tregoi atij. Por, me sa kuptoi burimi e kishte fjalën për një poemë. Ai, në bisedë e sipër i thotë Maksit: “A e more vesh se Fadili është në burg dhe nuk na pëlqen të na dalë emri”. Ashtu është pra dhe pikërisht tani që bie dhe rrufeja. E kishte fjaln për rrëzimin e një stalle të projektuar nga vetë Maksi, dhe që ditët e fundit u shkatërrua duke vrarë dhe dy viça të kooperativës, për të cilën Maksi është shumë i trembur se mos e arrestojnë. Më andej ra biseda, për të cilin Maksi i thotë atij: “që ai ka të drejtë të ketë frikë i ka bërë të gjitha të këqijat, pasi kanë ambicie personale, edhe shkrimtarëve të tjerë ai ua bën”. Më vonë ai e pyet se sa është norma e këtij procesi të punës që bëjnë kooperativistët. Maksi tha: “1200 në ditë, e për çfarë për 130 lekë. Është lodhje e madhe dhe të ardhurat janë të pakta”. Fshatarët e kësaj zone janë të ligj për ne qytetarët, është e vështirë që të ikësh me karakteristika të mira që këtej.

Me datën 7.II.1976 Maks Velo shkoi në shkollën e natës të Liceut Artistik dhe gjatë bisedave me atë i thotë se: “Jam duke lexuar një libër me historinë e arkitekturës, ku del qartë se nuk mund të bësh arkitekturë pa njohur kubizmin, pa njohur pikturën modern të fillimit të shekullit. Arkitektët tanë nuk e njohin pikturën deri në fund të shekullit të XIX-të. Ishin ligjet e gjeometrisë së Euklinit, tani duhet një gjeometri e re përndryshe nuk mund të bësh arkitekturë të kohës, dhe sot në botë bëhet një arkitekturë që të detyron të jetosh në një mënyrë të re. Kam parë një revistë Italiane, aty shikon vila shumë të bukura që i kanë bërë gjeometrat. Në Itali janë gjeometrat në një nivel më të lartë se arkitektët tanë.

“Semani”

 

Marrë P.Op. F. Malaj.

Dhënë B.P. “SEMANI”

Datë 3.3.1976

RAPORT

-Burimi njofton se si më datën 28/II/1976, në liceun e mbrëmjes shkoi Maks Velo, ku atje u takua me atë. Pastaj Maksi e ftoi atë për t’i shkuar për vizitë në shtëpi, ftesë të cilën e pranoi. Ai pasi shkoi në shtëpinë e Maksit, ky i fundit e prezantoi me disa vizatime që kishte bërë vetë Maksi, në përgjithësi këto ishin realiste por kishte dhe nga ato që tregonin një gjendje shpirtërore të vrarë. Kishte dhe një pikturë të vjetër (valle) që ishte ekspresioniste në formë. Ndonjë bisedë rreth detyrave të marra më parë nuk bëri, pasi Maksi vetëm sa i tregonte vizatimet dhe pikturat dhe nuk bisedonte për çështje të tjera.

Vlerësimi i të dhënës: E dhëna në përgjithësi ka karakter informative. Bën fjalë për Maks Velon, i cili ndiqet nga organet tona dhe që në shtëpinë e tij mban piktura jo me përmbajtje të shëndoshë.

Shënim: B.P. ju tha që të zbatojë detyrat që ka patur më parë në drejtim të Maks Velos. Në të njëjtën kohë ju tërheq vëmendje që detyrat që i ngarkohen t’i zbatojë, për të cilën ishte dhe vetë dakord.

Masa operative: E dhëna atë shtypet me një kopje dhe t’i kalohet p.op. përkatës që ndjek përpunimin.

-Për b.p. të hartohet një vijë sjellje në drejtim të Maksit, si dhe të drejtohet me kujdes pasi është i ri dhe objekti është i rafinuar.

Punëtori operativ

/ Filat Malaj /

 

 

KUJTIM BUZA

 “SEKRET”

Ekzemplar i vetëm

Tiranë, më 21.3.1975

SHËNIM OPERATIV

Në bisedën e zhvilluar me datën 20.III.1975 me Kujtim Buzon, në lidhje me Maksim Velon më tha:

Maksim Velo ka qenë në punë në Komitetin Ekzekutiv dhe për krijimtari të gabuar është dënuar dhe çuar në fshat. Vazhdimisht krijimtaria e tij është kritikuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kohë më parë ka dashur të bëjë një ekspozitë personale në të cilën kishte dhe vepra të gabuara nga të cilat sa më kujtohet mua ka qenë ajo ku ishte duke pirë me një kocke njeriu. Kjo ishte shtrembërim i realitetit njerëzor. Tendencat e tij kanë qenë për ta futur artin tonë në ekspresionizëm. Ky edhe si njeri është arrogant dhe element shumë negativ. Në mendjen e tij ka pasur teorizma të cilat i ka shprehur edhe në mbledhjet që bënte Lidhja. Ka arritur deri atje sa piktorët tanë realist e shumë të mirë si, Fatmir Haxhiu, Foto Stamo etj. t’i mohojë dhe të thotë që këta duhet të lënë artin e tyre se janë vjetruar dhe janë arkaikë, këta janë njerëz të pazotë etj. Pikëpamjet e tij janë shprehur edhe në shkrime. Ka paraqitur në Lidhje e Shkrimtarëve një artikull mbi “Gdhendësit” popullorë ku ka mjaft gabime ideologjike.

Di që në një rast më ka ardhur mua në Lidhje dhe së bashku me Petraq Kolevicën, më kërkoi që unë të asistoja në një mbledhje që do të bëntë Organizata e Partisë dhe kolektivi ku punonte Maksi, rreth krijimtarisë së gabuar të tij. Këtë e kërkonte së ashtu si më tha vetë: “të sqaroja kolektivin e tij se krijimtaria e tij nuk është ashtu si thonë ata dhe sepse këta nuk marrin vesh nga arti e nuk i kuptojnë disa gjëra”. Unë , thotë Kujtimi, i fola për këtë dhe i thashë që të shpjerë krijimtarinë e tij dh eta shikojë kolektivi por nuk e bëri këtë gjë. Edhe në veshje ky paraqitet shpesh shumë ekstravagant. Është shumë individualist dhe nuk shoqërohet shumë.

Për këtë di se para vitit 1980 ky u ka shitur të huajve ikona të mbledhura në kisha, sepse ky ishte mbledhës i këtyre. Ka pas njëfarë shoqërie edhe me Ksenofon Dilon, i cili kur ka qenë sekretar për pikturën i ka dhënë edhe televizor këtij. Për këtë them se është një aleat që në gjithë punën që është bërë është i pandërshëm dhe në koncepte të rrezikshme për artin.

PUNËTORI OPERATIV

 

 

“SEKRET”

Ekzemplar i vetëm

Tiranë, më 23.1.1975

IMPLIKIM

NXJERRË NGA PROCESI I TË ARRESTUARIT EDISON GJERGO, DATË 21.1.1975, NË NGARKIM TË MAKSIM VELOS.

…Për pikturën “epika e yjeve të mëngjesit” që më kritikoi me të drejtë plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve, për këtë pikturë më lavdëruan edhe shokët e mi. Maks Velo duke më thënë se je njeri që ke talent dhe se në këtë pikturë unë kisha përdorur talent e mjeshtëri… Unë kisha lexuar disa revista dhe libra të huaja në bibliotekën e institutit si dhe citate të artistëve dekadent mbi “lirinë e pakufishme” të krijimtarisë dhe këto pikëpamje të tyre unë i kam komentuar duke biseduar me Maks Velon etj., që emrat e tyre tani nuk më kujtohen, duke i lavdëruar ata për mendimet, krijimet dhe pikturat e tyre. Unë u kam thënë se piktura nuk duhet të ketë asgjë të përbashkët me letërsinë. Piktura duhet të shpjegohet me fjalë dhe se piktura nuk duhet të ketë asgjë të tillë se piktura dëmtohet kur merr elemente të tilla. Kjo do të thotë që piktura të jetë e pavarur, indipendente. Me këto mendime të miat qenë dakord dhe ata. Bile, Maks Velo , një ditë aty nga viti 1972 më mori në studion e tij dhe më citoi disa thënie të autorëve dekadentë të Perëndimit si: Pikaso, Shegal, Riuart etj., dhe unë i thashë me entuziazmuar të m’i kopjosh këto citate dhe të m’i japësh. Ai tha mirë por unë nuk shkova t’i merrja dhe nuk ia kam marrë. Maksit atë ditë i pashë që kishte bërë një edhe piktura me ndikime nga këta autorë dhe unë ia lavdërova duke e inkurajuar atë. Maksi më ka ardhur edhe në studion time dhe më ka lavdëruar disa piktura që i kisha bërë unë më frymën liberale e borgjeze duke më thënë që të thelloja më tepër këtë talent e aftësi…

Vërtetohet se është një me origjinalin.

PUNËTORI OPERATIV

/ PIRO KATRO /

 

 

SEKRET

Ekzemplar i vetëm

Tiranë, më 10.10 78

EKSTRAKT

nxjerrë nga shënimi që dërgon dega e dytë për Maks Velon

Maks Sotir Velo:

-Me dt.26.10.64 në rrugën “Qemal Stafa” është takuar me një grua të përfaqësisë tregtare polake.

-Me dt.27.8.69, prej orës 17,15 deri në orën 19,00 në shtëpinë e tij ka shkuar profesoresha franceze____ dhe doli e shoqëruar me të nga ora 19,1.

-Me dt.31.8.69 prej orës 19,40 deri në 21.30 dhe më dt.2.9.68 prej orës 18.50 deri në 20.15 shtëpinë e tij e ka frekuentuar përsëri profesoresha franceze _______.

-Me dt.11.7.70 prej orës 22.05 deri në orën 22.35 është takuar më objektin e guvernimit Bijal ____.

– Me dt.15,16,17,18.3.75 është marrë objekt survejimi për zbulim lidhjesh.

Dt.22.6.76

Ky shënim ndodhet i shkruar me dorë në zarfin e dosjes së Maks Velos.

Punëtori Operativ

/ Besnik Shehu /

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kufoma në Fier: Zbardhet “vrasja me gjakftohtësi”, ja detajet e një krimi

Autoritetet kanë arritur të identifikojnë trupin e gjetur të enjten në Fier,...
Read More