Drejt zgjidhjes finale?

Departamenti Amerikan i Shtetit reagon në lidhje me “korrigjimin e kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që palët të arrijnë në marrëveshje që është e qëndrueshme dhe e pranueshme. Deklaratat e Thaçit dhe Haradinajt, thellësisht të kundërta. Kryeministrja serbe: “Synojmë të humbim sa më pak dhe të marrim sa më shumë”…

Në kulmin e debateve të hapura mbi idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë ka ardhur edhe reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, që iu bëri thirrje palëve që të shmangin retorikën negative dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje që siguron qëndrueshmëri për të dyja vendet dhe rajonin. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se “politika e kësaj administrate është e qëndrueshme: thelbi i çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të dyja palët dhe Bashkimin Europian si lehtësues”-tha zëdhënësi. Tashmë duket se ideja e “korrigjimit të kufijve” nuk është një “deklaratë e pamenduar” e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në këtë verë të nxehtë, por një ide e shoshitur më parë, që gjithsesi ka shumë të panjohura, ku sidomos në Kosovë janë kundër ndryshimit të kufijve. Për Departamentin Amerikan të shtetit marrëveshja është e nevojshme, për të siguruar një paqe në këtë zonë të trazuar. “Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon. Kjo do të kërkojë largpamësi dhe elasticitet nga të dyja anët. Ne inkurajojmë palët që të marrin pronësinë e plotë të procesit, të ulin retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive”- thuhet në deklaratë. Analistët, por edhe klasa politike në Kosovë gjykojnë se me termin “korrigjim kufijsh” të artikuluar thuajse çdo ditë nga presidenti Hashim Thaçi, nënkuptohet që Veriu i Mitrovicës t’i kalojë Serbisë, ndërsa Kosova të marrë Luginën e Preshevës. Ky shkëmbim territoresh në emër të “stabilizimit” të marrëdhënieve, mund të çonte në një destabilizim të mëtejshëm, madje edhe precedent me rrezik që mund të përdorej dhe në vende të tjera të Ballkanit.

Thaçi: Korrigjim, jo shkëmbim

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar dje në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat se korrigjim do të ketë vetëm pas një pajtueshmërie të dyanshme. “Dua të theksoi se dialogu ka vetëm një qëllim thelbësor, arritjen e marrëveshjes ndërshtetërore paqësore. Unë jam i përkushtuar për arritjen e marrëveshjes dhe kam propozuar, pas kërkesës së përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, për korrigjimin e kufijve. Si një mundësi e vetme që ato t’i bashkohen Kosovës, kjo nënkupton jo ndarje të Kosovës”, tha Thaçi. Me një gjuhë më të moderuar dhe gati në ndryshim rrënjësor nga deklaratat e mëparshme, presidenti theksoi se procesi do të jetë transparent në dakordësi mes dy vendeve dhe nën monitorimin e ndërkombëtarëve. “Synimi nuk është ndryshimi i kufijve, është korrigjimi i tyre, kemi 400 km kufi që duhet të saktësohet me kufirin e Serbisë. Ky proces duhet të jetë i rregullt dhe transparent për llogaridhënie, ndaj shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Nëse ndodh pajtueshmëri e dyanshme, askush s’do të jetë kundër. Koha e luftës ka përfunduar, nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë autonomi. Korrigjim mund të ketë”, tha ai. Gjithashtu u kap pas idesë se kanë qenë vetë forcat politike të Luginës së Preshevës që ia kanë kërkuar presidentit Thaçi për një referendum për bashkimin me Kosovën. Ideja e referendumit automatikisht do përhapej edhe në Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe, ndaj “reciprociteti” në këtë rast do të ishte shkëmbim territoresh, pavarësisht emërtimeve që synohet t’i vendosen. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në një reagim për mediat në Vlorë shprehu qartas kundërshtitë për lëvizjen e kufijve. “Për popujt e Ballkanit luftërat kanë qenë tragjike. Kufijtë nuk lëvizen me fjalë. Kufijtë janë të vendosura me luftë. I qëndroj deklaratës sime, kufijtë nuk duhet të preken”, tha Haradinaj. Përveç kreut të qeverisë kosovare, të gjitha partitë e tjera politike në opozitë dhe bashkëqeverisje kanë dalë haptas kundër ndryshimit të kufijve. Në këtë mënyrë duket se në Kosovë u hodh një ide trazuese, pa u konsultuar dhe analizuar pasojat që mund të vijnë nga ndryshimi i kufijve.

Serbia: Duam të fitojmë sa më shumë…

Por loja që po zhvillohet ashpër në Kosovë po “shijohet” qetësisht në Serbi, e cila ende nuk ka një qëndrim zyrtar për “korrigjimin e kufijve”, por ka lënë të nënkuptohet se kjo çështje duhet parë si mundësi që Serbia të fitojë… Ana Brnabiç, kryeministre e Serbisë në një deklaratë të shkurtër të dhënë dje për mediat fillimisht është shprehur kundër ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç, që deklaroi se nuk mund të ketë dialog me Kosovën nëse këmbëngulin për Luginën e Preshevës. “Ivica Daçiç përfaqësojnë qëndrimin e tij personal dhe jo pozicionin e Qeverisë së Serbisë. Shprehja e mendimeve personale nuk e shqetëson qeverinë. Nuk kemi ende një qëndrim zyrtar, por do ta publikojmë sa më parë nëse do të ketë propozime konkrete”-deklaroi ajo. Brnabiç tha se Beogradi mirëpret çdo propozim që i sjell përfitime Serbisë dhe nuk e nxjerr atë të humbur. “Nuk mendoj se zgjidhja është afër, por presidenti Vuçiç po e sheh problemin nga të gjitha këndet për të gjetur diçka që Serbisë mund t’i sjellë diçka, të humbë sa më pak dhe të marrë sa më shumë nga ajo që mund të merret. Vetë Daçiç në deklaratat e ditëve të fundit ka pranuar se është ndarjen e Kosovës, duke pohuar se ky është vetëm një qëndrim i tij personal”-shtoi ajo. Në të vërtetë qëndrimet në Serbi paralajmërojnë se janë të gatshëm që të ulen për një marrëveshje, ku synimi i tyre mbetet aneksimi i Mitrovicës së Veriut, çka mund ta bënte që të hiqte dorë nga Lugina e Preshevës. Mënyra si Serbia po e menaxhon konceptin “korrigjim kufijsh” duket se është një hap para Kosovës, duke u artikuluar së është e gatshme për të arritur paqen e madhe, por nga ana tjetër shijon zjarrin e paprecedent që u ndez në Kosovë, nga nxitimi i Presidentit Hashim Thaçi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Këshilla: Kundër rrezeve të dëmshme të diellit me domate, peshk dhe karotë

Në listë bën pjesë peshku dhe salmoni, pasi janë të pasur me...
Read More