Drejtuesja e departamentit në UET, Belina Budini: Të gjithë kanë nevojë për Marrëdhënie Publike dhe Komunikim

Si çdo hapësirë akademike edhe Komunikimi në tërësinë e tij është përballur me një shumësi paragjykimesh dhe skepticizmi në lidhje me tregun e punës që ofron, dilemën nëse është kjo zgjedhja e duhur për ndjekjen e studimeve apo jo nga studentët që vijnë në UET dhe nëse po çfarë benefitesh do ju sjellë. Përgjegjësja e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini tregon mënyrën se si funksionon dhe hapësirat që ofrojnë Marrëdhëniet Publike dhe Komunikimi. Gjatë bashkëbisedimit ajo thekson se nuk ka profil studimor që të jetë kaq i pasur me mundësi punësimi sa ai i Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike.

Bisedoi: Ada Kacmoli

Një pjesë dërrmuese e shoqërisë nuk e njohin rëndësinë dhe rolin e fushës së Komunikimit në vetvete. Kësaj fushe u përkasin edhe degët e Komunikimit- Marrëdhënieve Publike si edhe dega e Komunikim Dizajnit. Ju si drejtuese e Departamentit  çfarë mendimi ndani në lidhje me këtë pjesë? A është më i informuar studenti për funksionin e rëndësishëm që mund të kryejë një specialist PR-i sot?

Sa kohë vijon të konsiderohet një fushë e re studimi, Komunikimi ka përparësinë të jetë një nga programet më tërheqëse dhe ende i paeksploruar apo mbipopulluar sikundër degët e tjera që ju përmendni në intervistën tuaj. Një nga arsyet kryesore që i tërheq njerëzit drejt MP në të gjithë botën, është gama e gjerë e punëve që njerëzit e MP mund të bëjnë. Të gjithë kanë nevojë për shërbime të PR-it modern, ndaj kjo degë të ofron mundësi – që nga puna me të famshmit ose markat e muzikës dhe të modës tek Marrëdhëniet Publike të konsumatorit si dhe puna në kompanitë e mëdha, qeveritë, politikanët ose shoqatat e bamirësisë apo organizatat aktiviste. Po kështu, MP kanë aftësi të specializuara gjithashtu – për shembull, sektori financiar, që është më i paguari i industrisë; lobimi ose çështjet publike; si dhe përgjegjësia sociale e korporatave. Komunikimi efektiv është pjesë e rëndësishme e qeverive moderne, ndaj MP përdoren gjithashtu për avantazh të drejtpërdrejtë politik dhe kanë marrë vend edhe më qendror në jetën politike. Kudo në botë jo vetëm që është rritur numri i të punësuarëve të brendshëm të MP, por hezitimi i të shkuarës për të përdorur agjenci këshillimi është tejkaluar dhe qeveritë janë sot përdorues të rëndësishëm të shërbimeve të këtyre agjencive. Gradualisht, dijenia rreth funksioneve të specialisti të PR-it do të rritet edhe në Shqipëri.

A vazhdojnë ende studentët e brezit të sotëm me paragjykime të tilla: “Do studioj Financë ose Juridik, sepse këto të fundit do më sjellin karrierë dhe para, kurse po të ndjek studimet në Komunikim familjarët nuk do të pranojnë, sepse nuk kanë informacion mbi të dhe me çfarë tregu pune do të përballem dhe çfarë pozicioni do të posedoj në këtë profesion”?

Fatkeqësisht vijojnë të qarkullojnë ende keqkuptime në lidhje me studimet në komunikim, aq më tepër në Shqipëri. Një prej këtyre keqkuptimeve është mungesa e lidhjes mes kësaj dege dhe profesioneve apo pozicioneve konkrete të punës. Thjeshtë mungesë imagjinate! Dega ka natyrë mjaft praktike dhe është ndërdisiplinare. Nuk ka profil studimor që të jetë kaq i pasur me mundësi punësimi sa ai i Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike. Një gamë e tërë profesionesh lidhen pikërisht me një diplomë në komunikim, edhe në Shqipëri, që nga ai më klasiku i gazetarit dhe profesionistit të mediave tradicionale në televizion, radio dhe tani edhe në mediat e reja e portalet online, dhe deri tek pozicionet më të reja në industrinë e marrëdhënieve publike edhe në vendin tonë, si në zyrat e marrëdhënieve me publikun dhe mediat apo komunitetin edhe në administratën shtetërore dhe në pjesën më të madhe të kompanive private si në institucionet bankare, kompanitë telefonike dhe të telekomunikacioneve apo në sektorin e ri të marrëdhënieve publike dixhitale.

 A po preferohet si degë në UET Komunikim-Marrëdhënie me Publikun? Po Komunikim Dizajni ?

Me zgjerimin e Departamentit në drejtim të Shkencave Humane, dega e Dizajnit do të kalojë në Departamentin e Arteve të Aplikuara. Megjithatë, lidhur me studimet në Komunikim do të vijojë të jetë një profil i Komunikim Dizajnit sikurse gjatë këtyre viteve. Kjo, duke qenë se profili i studimit ka qenë mjaft i suksesshëm dhe është preferuar si zgjedhje kreative. Komunikimi dhe Marrëdhëniet Publike do të vijojnë të mbeten programet bërthamë të departamentit të zgjeruar tanimë edhe me programe të reja në Bachelor dhe Master në drejtime si Letërsia, Historia, Filozofia, Gjuhësia dhe Religjioni.

Pesë vitet e fundit, numri i studentëve ka qenë në rritje dhe në disa vite është dyfishuar. Komunikimi dhe Marrëdhëniet Publike kanë ende numrin më të madh të studentëve, mirëpo aplikimet në Komunikim Dizajn kanë qenë gjithashtu të shumta dhe disafish më tepër sesa kuota e pranimeve për këtë degë.

Çfarë këshille do ju jepnit studentëve që vijnë në UET, kanë pasion komunikimin ose duan të bëhen gazetarë, këshilltarë, drejtues të imazhit të një kompanie, por kanë mëdyshje për këtë zgjedhje?

Është e rëndësishme që të kuptohet se marrëdhëniet publike janë një nga sektorët më dinamikë ndonjëherë kontroversial, por mjaft tërheqës. Ato të vendosin në qendër të zhvillimeve dhe shpesh lidhen me pozicione të rëndësishme drejtimi, duke qenë se janë shumë pranë vendimmarrjes së lartë në organizata dhe institucione. Mirëpo, pikërisht kjo është edhe arsyeja pse hyrja në botën e Marrëdhënieve Publike do të bëhet gjithnjë e më konkurruese. Nëse kërkon të depërtosh në këtë industri, të gjesh dhe të ruash punën e kërkuar, duhet të përgatitesh me formim solid dhe të zhvillosh aftësitë vazhdimisht. Studimet në programe studimi të Komunikimit, edhe në nivelin e Masterit Profesional, Shkencor dhe sidomos atë të Masterit Ekzekutiv janë të dobishme jo vetëm për ata që duan të gjejnë një punë në marrëdhënie publike, por edhe një punë më të mirë sesa ajo që kanë tanimë. Thellimi në shqyrtimet praktike që ndodh gjatë cikleve master të studimeve në komunikim dhe MP ka për qëllim t’ju ndihmojë të bëheni një praktikues më i informuar, reflektues dhe i aftë. Kombinimi i qasjes së informuar ndaj industrisë dhe këshillave sa u përket aftësive praktike synon t’ju ndihmojë të ndiqni dhe të shijoni përvojën e punës, të kaloni me sukses intervistat dhe së fundi ta arrini dhe të keni sukses në punën e dëshiruar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Financimi i partive, mbartësi i të gjitha problemeve në politikën shqiptare

Nga Ervis Iljazaj Politika shqiptare ka shumë probleme, me korrupsionin, me drejtësinë,...
Read More