‘E bëri padinë në mëngjes, e tërhoqi në darkë’, avokati i Xhisela Malokut: U habita

“News24” dhe “Balkanweb” kanë kontaktuar me avokatin e caktuar kryesisht nga shteti, Elton Frangu ,i cili ka qenë i pranishëm në komisariatin e policisë së Fushë Krujës, mbrëmjen kur Xhisela Maloku tërhoqi kallëzimin e bërë ndaj djalit të deputetit të PS. Avokat Frangu thotë së është është thirrur nga oficeri i policisë, Gentian Çitozi pas orës 22:00 të mbrëmjes, ndërsa për datën thotë se nuk i kujtohet saktësisht, përvecse se ka qenë muaji korrik. Për gazetaren Klodiana Lala, avokati  shprehet se i është kërkuar të shkojë në komisariatin e Fushë- Krujës nga oficeri i policisë, Gentian  Çitozi, pasi një vajzë kërkonte të tërhiqte një kallëzim penal të bërë mëngjesin po e asaj dite.

Frangu thotë se në raste të tilla nuk është e nevojshme prania e avokatit, por ka vajtuar në komisariat për të mbrojtur interesat e vajzës. I pyetur nëse ka parë persona të rrezikshëm jashtë komisariatit apo persona me armë, avokati thotë se ka qenë natë dhe nuk ka patur shumë lëvizje. Në lidhje me gjendjen psikologjike të vajzës, Frangu thotë se më mirë mund të shprehet psikologu që ka qenë gjithashtu i pranishëm në komisariat.

Avokat Frangu thotë se nga momenti që është është larguar nga komisariati nuk ka qenë më pjesë e kësaj çështje, por shpreh gatishmërine e tij për t’u paraqitur në prokurori në rast se do të kërkohet nga organi i akuzës. Ndër të tjera ai tregon  se tërheqja e kallëzimit është një shprehje e vullnetit personal, edhe pse në rastin në fjalë, avokati thotë se i është dukur e çuditshme pasi kallëzimi është kryer në mëngjes, po në mbrëmje është tërhequr. I pyetur nëse ka parë shenja dhune në trupin e vajzës, ai shprehet se nuk ka vënë re gjë.

Klodiana Lala: Në këtë historinë ku një oficer policie denoncon për një ngjarje në komisariatin e Krujës, rezulton që avokat keni qenë ju në gjithë marrjen në pyetje. Mund të më japësh një qëndrim, i referohem Rexhep Rrajas dhe Xhisela Malokut?

Avokati: Me kanë thirrur nga ora 22:00 e mbrapa meqë jam avokat i caktuar kryesisht dhe kam zyrën në Fushë Krujë.

Klodiana Lala: Mban mend datën, periudhën? Kush të ka thirrur?

Avokati: Datën s’e mbaj mend, korrik ka qenë. Më ka thirrur oficeri, që ishte Çitozi.

Klodiana Lala: Dhe cfarë të tha?

Avokati: Ka një rast nëse mund të vish si avokat kryesisht.

Klodiana Lala: Interesat e kujt do mbronit?

Avokati: Në telefon m’u tha ka një rast vetëm. Shkova dhe kur pashë ishte vajza që donte të bënte tërheqjen e kallëzimit. Unë më shumë isha se tërheqja nuk ka nevojë për avokat në Kodin e Procedurës Penale. Më shumë i thashë kujdes se ti ke dhënë një kallëzim e mos mbash përgjegjësi për kallëzim të rremë, vetëm ky moment.  Që mos rëndohen pozitat e vajzës, më pas kam ikur.

Klodiana Lala: Keni konstatuar cili ishte djali që vajza kishte kallëzuar apo persona të tjerë?

Avokati: Kam qenë natën dhe nuk e di. Ngjarja ka filluar nga mëngjesi unë në darkë kam shkuar. Shkova vetëm që vajza mos mbajë përgjegjësi ligjore për tërheqjen, veç këtu jam përqendruar ta orientoj…

Klodiana Lala: Vajza ishte ne praninë tuaj?

Avokati: Ishte edhe psikologu.

Klodiana Lala: Keni qenë më pjesë e çështjes?

Avokati: Jo, nuk më ka thirrur kush. Nëse më kërkohet, do jap sqarimet.

Klodiana Lala: Po Rexhep Rrajan e njihni?

Avokati: E njoh si emër se është bërë edhe publik tani.

Klodiana Lala: Ligji e lejon tërheqjen e kallëzimit?

Avokati: Është shprehje e vullnetit. Unë jam munduar që mos mbajë përgjegjësi penale. Është vullneti i saj, s’kam pse ndikoj unë.

Klodiana Lala: Konstatuat frikë?

Avokati: Jo, përveç habisë asgjë tjetër. Habi, m’u duk e çuditshme që kallëzimi është kryer në mëngjes dhe tërhiqet në darkë.

Klodiana Lala: Shenja të dukshme dhune?

Avokati: Jo, nuk kam parë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Nga trafiku i drogës te përdhunimet, VIP-at shqiptarë me probleme me ligjin

Artistët shqiptarë krahas famës dhe arritjeve në art, kanë pasur problemet e...
Read More