E kuqja e teatrit, një ngjyrë, gjendje shpirtërore dhe një kujtim…

Nga Marjana Kondi

Kujtimet mbeten. Impresionin e parë si aktore ajo sallë ma transmetoi nëpërmjet të kuqes, lozhave, poltronave dhe perdes kadife. Nuk shihja për herë të parë teatër të këtij stili, por ndjesia ishte e tillë. Atyre viteve unë isha nismëtare e një kauze për mbrojtjen e “Estradës së Shtetit” së bashku me kolegë të mi. Sot nuk dua që historia të përsëritet, por si artiste e skenës nuk mund të jem indiferente ndaj kauzës së prishjes dhe rindërtimit të “Teatrit Kombëtar” dhe zgjedh të jem faktor në krah të kolegëve. Gjithmonë realiste, në mbrojtje të artit dhe institucioneve kulturore.

Perdja e kuqe e “Teatrit Kombëtar”, e cila më impresionoi aq shumë, nuk arriti të më zërë sytë dhe la zbuluar teatrin përpara meje. Përtej së kuqes, lozhave, poltronave dhe perdes kadife, lëngonte një teatër i amortizuar e i braktisur nga instancat shtetërore.

E kuqja e sallës ishte skuqja nga turpi i këtij shpirti që vuante. Të tillë për fatin e keq e gjej dhe sot. Kjo gjendje shton nevojën për të kërkuar një teatër të ri, të mirëmbajtur, me të gjitha elementet teknikë si; hapësira skenike, akustika, numri i sallave, elementët audio dhe ndriçim, kapacitet të lartë të vendeve për publikun, ambiente bashkëkohore pune për aktorët. Dhe këtë se kërkoj për vete, por për gjeneratat që do vijnë. Kërkesa për një teatër të tillë (pa cenuar asnjë centimetër nga territori ekzistues). Jam e dëshiruar të luaj në një skenë të tillë. Një skenë, e cila i përgjigjet më së miri nivelit artistik të kolegëve të mi. Një teatër, i cili lejon të prehen të qetë shpirtrat e emrave të mëdhenj që kanë dhënë aq shumë për artin shqiptar. Unë si person nuk pushtohem nga nostalgjia. Më pëlqen e reja, modernia, e ardhmja… Ndaj mbështes çdo iniciativë që kërkon t’i japë kombit, qytetit, publikut, aktorëve, regjisorëve një teatër qe kemi dashur, por pa gjymtuar shtratin e sotshëm të teatrit. E cilësoj, pa cenuar shtratin e sotshëm të teatrit. Thyhem kur flitet për teatrin, sepse i kam një teatër e shpirt. Ne duhet të shtrëngojmë në zemër të kaluarën dhe të drejtojmë shikimin nga e ardhmja. Me shpresën që të bëhet më e mira për të gjithë ne…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Letërsia e kujtesës, Dine Dine: Të vërtetat thuhen siç i ke përjetuar

Është promovuar dje në mjediset e UET romani memuaristik “Mbi varkën e...
Read More