Edicioni i pestë, 7 propozimet e Rrethit Liberal të Dardhës: Garë dhe transparencë për PPP-të

Rrethi Liberal i Dardhës mbushi pesë vite. Forumi i organizuar nga Instituti Europian Pashko këtë herë diskutoi për Partneritetin Publik- Privat. Në fund u propozua që këto nisma të garantojnë garë dhe të eliminohen ofertat e pakërkuara. Rrethi Liberal i Dardhës kërkon më shumë transparencë dhe angazhim të botës akademike

“Që nga uji që konsumojmë në mëngjes e deri te treni që na dërgon në punë, të gjitha këto shërbime tashmë ofrohen nga partneriteti me privatët”. Kështu shkruante para pak kohësh gazeta e njohur amerikane, New York Times. Marrëveshjet e Partneritetit Publik-Privat janë të pranishme gjithmonë e më shumë në botë. Por diskutimi për PPP-të nuk është i lehtë edhe në vende si SHBA, pastaj për të imagjinuar Shqipërinë.

Duke pasur në mendje faktin se PPP-të shpesh janë keqkuptuar ose keqkonceptuar, Rrethi Liberal i Dardhës ia dedikoi edicionin e dytë pikërisht kësaj çështje.

Në pesëvjetorin e tij, Rrethi Liberal i Dardhës, një organizim i Institutit Europian Pashko mblodhi bashkë pedagogë, studentë, gjimnazistë, aktivistë të shoqërisë civile, aplikantë të lirë, të rinj, përfaqësues nga bota e biznesit, shoqata të biznesit si edhe të ftuar ndërkombëtarë.

Qëllimi i këtij forumi, që mblidhet çdo vit si një formë e aktivizimit të lëvizjes liberale në Shqipëri, është promovimi i vlerave të lirisë, konkurrencës, tregut të lirë, kundër etatizmit, kundër populizmit dhe kundër pranisë së shtetit në ekonomi.

Gjatë takimit të pestë të Rrethit Liberal të Dardhës u shfaq edhe filmi dokumentar për jetën e ekonomistit Gramoz Pashko, si një nga liderët e lëvizjes demokratike të “Dhjetorit 1990”, dhe një nga njerëzit me frymë liberale që në fillimet e demokracisë.

I pranishëm ishte dhe Kujtim Çashku, regjisori i njohur dhe drejtues i Akademisë së Filmit Marubi. Pas filmit për jetën e Gramoz Pashkos, Kujtim Çashko, si një ndër miqtë e tij, zhvilloi dhe një bashkëbisedim me 25 maturantë nga gjimnazet e Shqipërisë dhe studentë të Universitetit Europian të Tiranës. 

Edicioni i parë- 2014

2014

A është në rrezik liberalizmi në Shqipëri nga politika e taksave, ndërhyrja e shtetit etj.? Cili është modeli i liberalizmit ekonomik që i përshtatet vendit tonë? Si përballet liberalizmi dhe neoliberalizmi me kritikat?

Këto ishin disa nga pyetjet që u ngritën për diskutim në Rrethin Liberal të Dardhës në vitin 2014. Rrethi u ideua si një organizim i përvitshëm në çdo fundjavë të fundit të tetorit, një klub puro ideologjik, ku nuk ishin rezervuar “karriget” vetëm për liberalët, por dhe për kritikët e liberalizmit.

Jo pa qëllim zgjedhja e vendit të takimit ishte një fshat turistik malor, një nga fshatrat më të bukura të vendit, në Dardhë të Korçës, larg qytetit, larg së përditshmes, në një vend ku idetë ndihen në shtëpinë e tyre, krahasimisht me klubin më të famshëm të liberalizmit në botë, “Mont Pelerin Society”, që u mbajt për herë të parë në malin Mont Pelerin në Zvicër, dy vjet pas Luftës së Dytë Botërore, kur liberalizmi konsiderohej në rrezik, rrezik që mblodhi mbështetësit e ideve liberale nga e gjithë bota. 

 

Edicioni i pestë- 2018

2018

Në vitin 2018, tema kryesore ishte më specifike. Këtë herë u diskutua për çështjen e Partneritetit Publik-Privat. Fillimisht prof. dr Adrian Civici shpjegoi arsyet e shfaqjes së kësaj forme të re biznesi në botën moderne. Më pas foli prof. asoc. dr. Selami Xhepa, që shpjegoi disa leksione nga historia për këtë çështje. Më tej, diskutimet i ndezi prof. dr. Agim Kukeli me leksionin e tij “Një ftesë për dështim apo përpjekje për sukses?”.

Në fund u miratua edhe rezoluta e Rrethit Liberal të Dardhës, duke e vënë theksin te dy çështje kryesore: nevoja për garë dhe formulimi i duhur dhe zbatimi i kontratës.

“Rrethi Liberal i Dardhës propozon ndryshime esenciale thelbësore në legjislacionin dhe praktikën shqiptare të prokurimeve duke ELIMINUAR plotësisht përdorimin e çdo praktike të prokurimit të drejtpërdrejtë me një ofertues (me përjashtim të situatave të emergjencës kombëtare)” , thuhet në rezolutë.

Lexoni tekstin e plotë: 

Rrethi Liberal i Dardhës- 2018

Partneriteti Publik-Privat: -Zgjerim apo kufizim i lirisë ekonomike

Forumi diskutoi konsiderata teorike dhe praktike të eksperiencave ndërkombëtare dhe kombëtare të PPP-ve. Vëmë re se intensioni liberalo-konservativ i përdorimit të PPP-ve shkon në linjë me aktivizimin e sektorit privat si entitet që ka në zemër fitimin e për rrjedhojë edhe eficiencën e përdorimit të fondeve dhe ofrimit të mallrave/shërbimeve publike. Por, në praktikë, në Shqipëri ashtu sikundër edhe në vendet e tjera, përdorimi i PPP-ve përmes negocimit direkt dhe ofertave të pakërkuara, shkon në drejtim të kundërt. Këto praktika shkaktojnë një deformim të tregut dhe institucioneve të tij, efektet e të cilave do të zvarriten në ekonominë shqiptare për një periudhë afatgjatë.

Forumi sugjeron që është esenciale ndërgjegjësimi i votuesve, operatorëve ekonomike, dhe enteve publike për avantazhet e PPP-ve përmes zgjerimit të sektorit privat dhe tkurrjes së atij publik: – zgjerimit të lirive ekonomike, si dhe të pasojave deformuese të kontratave me negocim të drejtpërdrejtë dhe ofertave të pakërkuara.

Në frymën e diskutimeve, opinioneve dhe sugjerimeve të pjesëmarrësve, Rrethi Liberal i Dardhës:

  1. Propozon ndryshime esenciale thelbësore në legjislacionin dhe praktikën shqiptare të prokurimeve duke ELIMINUAR plotësisht përdorimin e çdo praktike të prokurimit të drejtpërdrejtë me një ofertues (me përjashtim të situatave të emergjencës kombëtare).
  2. Rishikimin e legjislacionit që menaxhon procesin e prokurimeve duke përfshirë publikun (shoqërinë civile, botën akademike universitare, grupet e ndryshme të interesit, shoqata përfituesish) si pjesë integrale e procedurës së prokurimeve publike.
  3. Rishikimin e mekanizmit të ankimimit ndaj praktikave të prokurimet nga subjektet garuese. Komisionet e Prokurimit Publik duhet jenë ente të pavarura nga qeveria, veprimtaria e tyre të jetë subjekt i auditimit edhe nga shoqëria civile. Të rishikohet edhe mundësia e rikthimit të ombdusmenit të prokurimeve.
  4. Të rishikohet legjislacioni mbi PPP-të për të fuqizuar kërkesat e hartimit, përzgjedhjes, dhe të kontraktimit të projekteve.
  5. Eliminimin e çdo projekti PPP që vjen si ofertë e pakërkuar dhe negocimi i drejtpërdrejtë.
  6. Përfshirjen e institucioneve kërkimore, botës akademike, shoqërive të konsulencës në procesin e hartimit të projekteve PPP dhe kryerjen e fizibilitetit të tyre duke nxjerrë nga konflikti i interesit ofertuesit private.
  7. Ndërtimi i një mekanizmi transparent, rigoroz, dhe efektiv të monitorimit të kontratave të PPP-ve. Duke përfshirë edhe detyrimin e hartimit dhe publikimit të një raporti vjetor mbi value-for money të çdo projekti PPP.
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Wind of Change

Letërkëmbimi Mapo-Danas Nga Zoran Panoviç Partizani e pati përshëndetur me entuziazëm Vokrrin....
Read More