Eir Plasari: Shkrimi që lindi nga një dashuri e pamundur

Autorja vjen në një rrëfim për vëllimin me poezi i shkruaj së pamundurës. Ky është libri i dytë pas romanit Bërthama, i cili tërhoqi vëmendjen e kritikës.

“Edhe në botën e paparashikueshme të poezisë mund të jenë të nevojshme disa koordinata e sqarime.” Kështu e nis prologun në librin e saj më të ri Eir Plasari. Pas romanit Bërthama, autorja vjen me vëllimin poetik I shkruaj së pamundurës botimet “Barleti”. Vargje që përshkohen nga një ndjeshmëri e thellë, të cilat të kujtojnë kërkimet drejt së pamundurës që të gjithë i kemi bërë në jetë. Eir e shpjegon këtë kërkim që e ka çuar drejt së shkruarës në prologun që shoqëron librin duke dashur t’ia bëjë lexuesit udhëtimin më të lehtë.

“Nevoja për një prolog të shkurtër për këtë libër lindi prej faktit se periudha në të cilën janë shkruar poezitë e përmbledhura në këtë tekst nuk është e njëjta: poezitë e pjesës së parë i përkasin periudhës së adoleshencës. Dhe si rrjedhojë në pjesën e parë poezia ka njëfarë impulsiviteti. Gjuha thuajse prek dëlirin. Marrëzitë e moshës, dashuritë e gjimnazit dhe gjendja e turbullt emocionale e atyre viteve e bëjnë vargun një revoltë të vërtetë të shpirtit. Një shpirt që nuk është i qetë, që do të luftojë, por që nuk i ka ende mjetet për një luftë. Konflikti i brendshëm duket qartë, pavarësisht naivitetit dhe improvizimit të vargut, deri diku të paevitueshëm, tipik të asaj moshe”, shkruan ajo.

Plasari është përpjekur të mos i ndryshojë poezitë në fjalë duke i lënë ashtu siç i ka shkruar dora e papjekur e tetëmbëdhjetëvjeçares së atyre viteve. “Vitet në të cilat janë shkruar këto poezi përbëjnë për mua një dhuratë të vyer: përmes dhembjeve të zemrës mësova shpejt se kush isha, se cilat ishin dobësitë e pasiguritë e mia. Pasqyra e shpirtit nuk janë vetëm sytë, ose e qeshura e njeriut, siç shkruante Dostojevski; pasqyra më e kthjellët e tij për mua është ajo, dashuria, ose, si në rastin e disa prej poezive të librit, dhembja që dashuria shkakton. E nëse kjo dashuri le shenja të dukshme, ato duken jo vetëm në shprehinë e një fytyre, por në çdo lëvizje e detaj të fizionomisë së njeriut. Në pjesën e dytë të këtij libri poezia aspiron të fitojë formë dhe dimension të ri, ajo shkon drejt zgjerimit të kufijve të vegjël të dikurshëm.

Dhembja, sado e fortë, tashmë nuk arrin ta paralizojë forcën krijuese. Poezitë e pjesës së dytë janë shkruar mbas moshës njëzetepesë vjeçare, një moshë kjo në të cilën njeriu fillon t’i pranojë defektet e natyrës së tij. Arrin gjithashtu të shëtisë me kujtimet (e pakta) si me një mik të vjetër. Nuk ka frikë nga e kaluara – të paktën kështu mendon.

Në këtë periudhë fillon të bëhet më e qartë rëndësia e fjalës së shkruar dhe depërtimi në shpirtin kompleks të femrës, bashkë me vetëdijen e plotë e të qenët një e tillë. Pikërisht ky depërtim, në një botë krejt të re, është historia që vendosa të tregoj

përmes vargjeve eksperimentale, të cilat, edhe në pjesën e dytë të librit, nuk përpiqen të ndjekin rregulla specifike”, shkruan autorja.

Për të, vargu dhe mendimi duhet të bëhen një gjë e vetme: ky është i vetmi qëllim i gruas që fshihet pas këtyre poezive. Në njëfarë mënyre bashkëjetesa me ndjeshmërinë arrin t’u mbijetojë viteve të turbullta të adoleshencës.

Adoleshentja e poezive të dikurshme fle një gjumë të lehtë, duke u zgjuar herë pas here edhe në poezitë e moshës së pjekur. Është pikërisht vajza që fle brenda gruas që nuk e lejon efektin anestetizues të jetës prej së rrituri ta mpijë përfundimisht

Dashurinë, shkruan ajo.

Le ta nisim bisedën pikërisht nga poezia që mban dhe titullin e librit. Duket si një metaforë për të pamundurën që të afron gjithnjë me shkrimin …

Poezia në fjalë me titullin I shkruaj së pamundurës u bë titull i librit, sepse shënon përpjekjen time të parë për të shkruar poezi. Në një moshë fare të re vendosa të shkruaj një poezi për atë që ndodh kur përjetojmë një dashuri të pamundur. Në thelb dashuria e pamundur për të cilën flas është dashuria e njëanshme, ajo “dhurata e hidhur” e vetmisë … Në pjesën e parë të librit kam përmbledhur disa poezi të adoleshencës sime, të cilat ishin produkt i dhembjes së zemrës së një vajze të re. Vetëm në pjesën e dytë fillojnë të shfaqen poezitë e tanishme, të shkruara me një vetëdije më të plotë. Kjo vetëdije, e shkëputur disi nga dhembja shpirtërore, shfaqet zakonisht në një moshë më të pjekur kur njeriu fillon ta kuptojë gjithashtu edhe rëndësinë e fjalës së shkruar.

Por e pamundura (dashuri) më afroi në ato vite me të shkruarin, sepse pasi nisa të shkruaja poezi, unë nuk ndalova më se shkruari edhe në vitet në vazhdim. Edhe pse teknika ndryshonte e bashkë me teknikën

edhe njeriu që unë isha kalonte nëpër transformime, ajo shkëndijë fillestare, dëshira për t’i përkthyer në fjalë emocionet do të mbetej me mua për shumë gjatë. Është e çuditshme sesa shumë mund të na ndihmojë e pasurojë një dashuri e hidhur; ndonjëherë dëmet që shkakton nuk janë asgjë në krahasim me kreativitetin dhe forcën krijuese, me të cilën na pajis …

Ju vini me këtë libër pas një sprove në prozë … Çfarë është poezia për ju?

Poezia është ajo që ndodh kur “e vërteta” bashkohet me “fjalën”. Por nuk mund të jap një përkufizim të plotë të saj, sepse nuk ekziston ende. Kufijtë e poezisë nuk janë aspak të qarta dhe nuk mund të flitet për të objektivisht. Në këtë aspekt, poezia i ngjan shumë filozofisë: të dyja janë mbartëse të një intensiteti të jashtëzakonshëm, i cili mund të plotësojë e të forcojë çdo fushë tjetër, ekonominë, politikën, artin, fenë e çdo aspekt tjetër të jetës. Poezia u ngjan më shumë fenomeneve të natyrës (stuhive, përmbytjeve, ndryshimit të stinëve), është më e lehtë ta krahasosh atë me një lule që çel (edhe pse në kushte klimatike shumë të veçanta) ose me një konflikt të brendshëm, sesa ta përkufizosh konkretisht. Pavarësisht faktit se kësaj radhe vendosa të botoj poezi, proza është mënyra më spontane në të cilën arrij të shprehem; poezia përbën një rrezik për këdo që shkruan. Është e lehtë të gabosh kur shkruan poezi, thuajse e paevitueshme … Duhet një shpirt shumë i pastër për të qenë poet.

Libri i parë, “Bërthama”, ishte një prezantim me lexuesin. Në atë vepër krejt modeste unë u përpoqa të analizoj njeriun modern dhe dramën e tij të brendshme. Do të vazhdoj të shkruaj në prozë, aty nuk ndihem aq e pafuqishme sa ndihem gjatë ndërtimit të vargjeve të poezive …

Ajo që i bashkon të gjitha vargjet në këtë libër është kërkimi i dashurisë. Në fakt ky kërkim ka bërë poezinë ndër shekuj. Por a ka ndryshuar ky kërkim sot?

Dashuria është prezente në shumicën e vargjeve të këtij libri, a thua se kërkimi i saj tashmë ka përfunduar dhe s’mbetet gjë tjetër përveç përleshjes me prezencën e saj. Dashuri e cila shpesh është e ndërlikuar, është burim vuajtjeje dhe pakënaqësie. Një dashuri jo e plotë, në perëndim e sipër dhe që shkon drejt mbylljes së ciklit të saj. Kërkimi i dashurisë, i cili ju përmendët, ndoshta arrin ta frymëzojë poetin përpara se të nisë të shkruajë. Ky kërkim ngjason me idetë, por “poezitë nuk shkruhen me ide, duhen fjalët për t’i shkruar”, thoshte Hemingway … Edhe ajo që ndodh përpara se të shkruajmë një poezi ka rëndësinë e saj, por sidoqoftë vargu krijohet nga konflikti i brendshëm dhe vetëm nga ky konflikt mund të lindë diçka. Kërkimi në vetvete nuk prodhon gjë, thjesht na përgatit për atë që do të vijë. Mund të them se ky kërkim karakterizon letërsinë në përgjithësi, por siç po thosha më sipër, thjesht e përgatit autorin për hapin që do të hedhë. Autorja franceze, Annie Ernaux, në të tilla raste thoshte: “Nuk ka njeri më të papërgatitur për të folur për një vepër sesa vetë autori i saj”.

Sigurisht që ky kërkim i dashurisë ka ndryshuar sot, a thua se gjuha përbën më tepër një pengesë për të shprehurin. Të shprehurit ka marrë një formë krejt prolikse, duke e bërë të vështirë për lexuesin të marrë pjesë në historinë që fshihet ndaj narrativës ose vargut të poezisë. Thuajse hermetike, poezia kërkon të kthehet në një mënyrë jetese duke u shfaqur te lexuesi si një forcë krijuese që e ka humbur rrugën.

Cilët janë poetet që lexoni e ju frymëzojnë nga letërsia shqipe dhe e huaj?

Nga poetët shqiptarë preferoj Lasgush Poradecin, i mbetem besnike atij. Ndërsa të huajt janë shumë, por po përmend disa, të cilët më kanë formuar që në moshë krejt të re dhe kanë qenë për mua një orientim i vërtetë në botën e poezisë, ato janë: Baudelaire, Paul Valery, Emily Dickinson dhe William Blake, këtë të fundit e lexoja shumë kur isha në gjimnaz. I fundit që po përmend është Arthur Rimbaud për të cilin jam shumë xheloze, sepse poezitë e tij përbëjnë ende një mister magnetik për këdo që përpiqet t’i afrohet leximit të poezisë.

Poetët duhet të jenë të errët, shprehej Ezra Pound, duke pasur parasysh stilin e jetës që duhet të bënin për të shkruar. Sa ndikon jeta në shkrimin e një autori?

Më pëlqen të mendoj se Ezra Pound e ka pasur fjalën për errësirën e anonimitetit, edhe pse kam përshtypjen se nuk i referohet asaj … Pra të një errësire që kërkon t’i largohet egos, e cila, larg impulseve të dëmshme të saj kërkon qetësinë dhe modestinë. Një ego e madhe, një dëshirë e pakontrollueshme për të jetuar ndryshe dhe me një shpirt rebel mund të kthehet fare lehtë në një pengesë për kreativitetin, i cili nuk e toleron peshën e saj të rëndë … Herët ose vonë kreativiteti mbytet nën trysninë e egos. Dhe pikërisht ajo, egoja, i shtyn disa poete të mendojnë se janë ndryshe, ta bindin veten se forca e tyre krijuese vjen vetëm nga brenda, nga një talent i lindur … Por zëri i egos duhet shuar sa më shpejt. Kush vendos të shkruajë, edhe pse kjo vlen për të gjitha fushat, nuk duhet ta lejojë egon që ta kontrollojë; egoja është armiku ynë më i madh.

Prej saj shkrimtarët bllokohen me vite të tëra e nuk arrijnë të krijojnë asgjë. Duhet ta zëvendësojmë besimin se kemi talent, se jemi dikush me besimin me shenjë të kundërt se nuk jemi asgjë dhe se për të arritur të krijojmë diçka duhet një punë e jashtëzakonshme dhe e vazhdueshme, përkushtim dhe thjeshtësi. Duhen evituar etiketat “poet”, “shkrimtar”, “arkitekt”, “doktor” etj., etj. Duhet të përpiqemi t’i mënjanojmë e t’i përdorim sa më pak, sepse njerëzit nuk janë të etiketueshëm, nuk mund të katalogohen si librat. I ashtuquajturi “poet” është për mua një njeri i thjeshtë që punon vazhdimisht me fjalën (një artizan i vërtetë i fjalës), i cili preferon të punojë me kujdes e me dashuri me vargun, krejt larg misterit, mistifikimit dhe eksentrizmit të personaliteteve komplekse.

Ka një diferencë të madhe midis “të qenët” dhe “të bërit”: duhet të bëjmë më shumë dhe të jemi më pak. Ndikimi i jetës në veprat e një autori është i dukshëm, sidomos në ata libra që na pëlqejnë: kam vënë re se shpesh kryeveprat janë libra me tendenca autobiografike. Por edhe kur trillon shkrimtari arrin të jetë real, prandaj të shkruash është gjëja më e bukur në botë. Jeta jonë është ajo që jemi, vetë të jetuarit kërkon kurajë, të shkruarit është një kurajë e dyfishtë, saqë ndonjëherë mendoj se vetëm kur shkruajmë jetojmë plotësisht në të tashmen. Është e rëndësishme jeta e shkrimtarit, ai nuk mund të jetojë përherë në botën e fantazisë; kontakti me realitetin është për të një ushqim dhe pa këtë kontakt me forcën sublime të jetës një shkrimtar nuk do të arrinte kurrsesi të shkruante mirë”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Festat e fundvitit në Tiranë/ Rrugët ku kufizohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë

Për shkak të fluksit të shtuar dhe ngarkesës që krijohet në trafik...
Read More