Ekspertiza e vdekjes së shoferit të Xhafajt: U konstatuan edhe faktorë…

Ekspertiza paraprake ka konfirmuar vetëvrasjen e gardistit 31- vjeçar Shkëlzen Qordja, me detyrë shofer i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Mjekët ligjorë kanë konstatuar se vdekja ka ardhur nga një plumb në anën e djathtë të kokës në lobin temporal. Nga ana tjetër, ekspertët kriminalistë, pasi kanë analizuar provat, kanë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri, në dorën e tij të djathtë.

Gjithashtu edhe gjurmët e gishtave në armën automatike tip “MP5”, përputhen me ato të 31-vjeçarit Qordja. Megjithatë, deri tani ende nuk është përcaktuar motivi i kësaj ngjarjeje, për të cilat po vijojnë hetimet, me pyetjen e njerëzve të tij të afërt, miqve dhe atyre që e njihnin. Gjithashtu, janë sekuestruar dhe po verifikohen kamerat e sigurisë në ambientet e garnizonit të Gardës.

Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën në mëngjes, në garazhin e Gardës së Republikës, në Tiranë. Viktima Shkëlzen Qordja, 31 vjeç, ishte pranuar në Gardë që prej marsit të vitit 2017, ndërsa prej disa vitesh shërbente si shofer i Fatmir Xhafajt. Trupi i pajetë i gardistit u gjet rreth orës 09:30 të mëngjesit të së shtunës nga efektivët e Gardës, të cilët lajmëruan menjëherë Policinë.

GRUPI HETIMOR

Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë shërbimet e Policisë së Tiranës, nën drejtimin e prokurorit Albert Demirneli, ndërsa gjatë veprimeve hetimore ishte i pranishëm edhe kryeprokurori i rrethit, Dritan Rreshka.

Në vendngjarje kryen veprimet e para oficerët e Policisë Gjyqësore, ekspertë mjekoligjorë e kriminalistë, si dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë se viktima u gjet në sediljen e shoferit, në makinën e Ministrisë së Brendshme, që ishte parkuar në garazhin e Gardës së Republikës. Ndërsa dera ishte e mbyllur nga brenda.

Njoftimin paraprak për ngjarjen e dha vetë Garda e Republikës ku thuhej se: “Rreth orës 09:30 të mëngjesit, në garnizonin e Gardës së Republikës është gjetur i pajetë brenda garazhit, të caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, gardisti me detyrë funksionale shofer i ministrit të Brendshëm, shtetasi Shkëlzen Qordja, 31 vjeç. Trupi i pajetë u konstatua nga punonjës të Gardës. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është duke punuar për të qartësuar shkaqet e ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave”.

VETEVRASJA

Në një njoftim të përbashkët për shtyp, Prokuroria e Tiranës, Policia e Shtetit dhe SHÇBA shpjeguan rrethanat e ngjarjes së ndodhur në ambientet e Gardës së Republikës. Policia tha se është ngritur grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit të Rrethit Gjyqësor Tiranë, me përbërje oficerë të Policisë Gjyqësore ekspertë mjeko-ligjorë, ekspertë të kriminalistikës dhe hetues të SHÇBA-së.

Sipas burimeve zyrtare, nga veprimet e para hetimore rezulton se në mjetin e Gardës u gjet i pajetë, i ulur në sediljen e shoferit, punonjësi Shkëlzen Qordja. Nga këqyrja, rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuara nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”.

PANORAMA

Shkruar Nga
More from Redaksia

Blerjet ndikojnë në shëndetin mendor

Të bësh blerje ndikon në shëndetin mendor. Kjo nuk është e re...
Read More