Ekspozita dokumentare: Ish-Sigurimi në Konispol, 1500 vite burg për “grupin armiqësor çam”

Për herë të parë Autoriteti i Dosjeve ekspozon dokumente, materiale arkivore tashmë të deklasifikuara dhe dosje gjyqësore e hetimore të të ashtuquajturit “grupi armiqësor çam”. Mijëra dokumente e qindra mikrofilma që zbulojnë intrigat e ish-Sigurimit të Shtetit dhe makinerisë totalitare që regjimi komunist ndërmori ndaj më shumë se 150 personave dhe familjarëve të tyre në zonën e Konispolit dhe që dëshmojnë viktimat, të ekzekutuarit, torturat në burgjet komuniste, mbi 1500 vite burg dhe dhjetëra familje të internuara

Rexho Plaku kur mori dënimin e parë, atë me vdekje, të ndryshuar më pas me 30 vite burg, e në dënimin e dytë, merr 25 vjet burg, konfiskim pasurie, e 5 vjet heqje e së drejtës elektorale, – në fjalën e fundit të mbajtur para gjykatës ushtarake Gjirokastër, datë 17.12.1946, del botërisht se, ai nuk pranon aspak akuzat që i bëhen, duke argumentuar për çdo rast, si dhe deklaron: “Lufta jonë ishte e drejtë dhe ne e bëmë pa marrë parasysh pasuri, jetë dhe për asnjë regjim etj. Reformat i prita mirë, tamam mund të jem tronditur nga reformat, se kam qenë i djegur dhe i shkatërruar nga armiku”. Me dënimin e Rexhep Plakut, themelues i batalionit “Çamëria”, nisi në vitin 1946 goditja e elementit me kontribute antifashiste në jug të vendit, dhe vijoi në mënyrë të përshkallëzuar me dënimin e admiral Teme Sejkos dhe “grupit të tij” në 1961, që legjitimoi prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Deri në vitin 1973, terrori u shtri në dhjetëra emra e familjet e tyre, duke e shënjuar për disa breza fatin e një bashkësie të tërë. Gjyqi farsë ndaj të ashtuquajturit “grupit armik të Teme Sejkos dhe Tahir Demit”, – i pari lindur në Konispol, dhe tjetri në Pilat të Çamërisë – që përfundoi me 65 të dënuar, 13 të pushkatuar, 9 prej tyre vdiqën në burg, 4 të dënuar me vdekje që më pas bënë 25 vite prapa hekurave dhe mbi 1000 vite burgim të dhëna nga gjykata. Historia e njërit prej tyre, Sejkos, ka një fund të tmerrshëm, duke u dënuar në fund të majit 1961, me 25 vjet burgim, por tri ditë më vonë, kafka e tij ishte thyer duke u mbytur me një kordon.

Kjo është konsideruar një nga ngjarjet më tronditëse, me një histori komplekse të akuzuar nga regjimi për “pjesëmarrje në konspiracion që përfshinte Jugosllavinë, Greqinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Materialet mbi këto personalitete të kohës, si Teme Sejko, Tahir Demi, Rexhep Plaku e dhjetëra të tjerë, janë disa mijëra faqe të janë ekspozuar dje në mjediset e Autoritet të Dosjeve pranë gardës së Republikës në formën e një ekspozite dokumentare, mbi persekutimit në jug të vendit.

Për të mbërritur në këtë paraqitje të dosjeve, Autoriteti i Dosjeve bën të ditur se janë kryer kërkime të thelluara mbi viktimat e zonës gjatë viteve 1946-1973, në dokumente dhe mikrofilma. Mbi bazën e tyre janë verifikuar të dhëna mbi akuzat, vitin e arrestimit, vitin e dënimit dhe formën e dënimit. Në total janë verifikuar 40 dosje të natyrës formulare, hetimore-gjyqësore dhe bashkëpunëtori, për 46 viktima të evidentuara, ku të gjitha materialet e ekspozuara dje, janë të deklasifikuara duke u shfaqur për herë të parë edhe në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror duke mundësuar korrespodencën e një pjese të të dënuarve me Komitetin Qendror të PPSH, ku hidhet dritë në aspektet që çuan në dënimin e tyre. Po ashtu, edhe “letra të popullit” në mbështetje të dënimit të grupit të Teme Sejkos.

Ceremonia u hap dhe u moderua nga z. Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit, i cili u shpreh se “janë qindra dosje, disa dhjetëra mijëra dokumente, qindra mikrofilma, që pasqyrojnë intrigat e ish- Sigurimit të Shtetit dhe gjithë makinerisë totalitare që regjimi komunist ndërmori ndaj më shumë se 150 personave dhe familjarëve të tyre në zonën e Konispolit, ndaj të ashtuquajturit “grupi armiqësor çam”. Janë këto dokumente që evidentojnë viktimat, të ekzekutuarit, torturat në burgjet komuniste, mbi 1500 vite burg dhe dhjetëra familje të internuara”.

Kryetarja e Autoritetit, znj. Gentiana Sula, e mbështeti fjalën e saj në parimet e ENSR, Rrjetit Europian të Kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si: paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe; evitimi i përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë, duke u qëndruar larg stereotipizimeve, sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku gjatë punës, çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe të certifikuar për njohuritë specifike dhe njohuritë e duhura për këtë punë. Si përfaqësues i shoqatës “Çamëria”, mes të pranishmëve të shumtë, familjarë, studiues, përfaqësues të institucioneve publike dhe ndërkombëtare, organizatave joqeveritare dhe shoqërisë civile, z. Shpëtim Idrizi çmoi hedhjen dritë mbi të vërtetën, duke vënë në dukje se persekutimi i dhjetëra familjeve çame në brezni të tëra, i programuar dhe sistematik, është tragjedia e dytë që përjetoi ky komunitet pas asaj të vitit 1913, por kësaj here, në vendin e vet. Shoqata “Çamëria” vlerësoi me mirënjohje kryetaren e AIDSSH për punën e bërë në kuadër të rishqyrtimit historik të dokumenteve të kësaj bashkësie.

Në fund të takimit e morën fjalën trashëgimtarë të personaliteteve të martirizuar, të përndjekur për vite me radhë si familjarë të kundërshtarëve të regjimit. Rezistenca dhe dinjiteti njerëzor i përcjellë nga fjalët e Agim Plakut, djalit të Rexho Plakut dhe Sanije e Nesibe Plakut, vajzave të Beqo Plakut të pushkatuar, ishin mbresëlënëse dhe i flasin më shumë se çdo retorikë shoqërisë së sotme, e cila mund të mbështetet në fibrën morale të njerëzve të ndershëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A do të flasë Eduard Selami, ja çfarë parashikon axhenda e PD

Eduard Selami e mbajti fjalën. Ai premtoi se do të jetë pjesë...
Read More