Ëndrra amerikane 3

Rekordi tronditës i aplikantëve për Lotarinë Amerikane në 2018 dhe pse shqiptarët vijojnë të synojnë “ëndrrën amerikane”. Rreziku i zbrazjes së vendit dhe fenomeni i fundit i “largimit të trurit”. Nga shkaqet ekonomike te mungesa e stabilitetit dhe e të ardhmes së fëmijëve. Flasin pedagogët e UET, Roland Lami dhe  Besarta Vladi

Nga Nevila Perndoj

Shqiptari i pasur apo ai që llogarit muajin, e kanë një të përbashkët. Kamja dhe skamja vijojnë të kenë të njëjtën ëndërr. Kanë kaluar gati tri dekada nga përmbysja e sistemit komunist në vend, por synimi mbetet toka e premtuar, Amerika e largët. Njësoj si dikur, para shpalljes së pavarësisë kur shumë shqiptarë iu bashkuan mijëra europianëve që kaluan Atlantikun, ndërsa në vitet ’90 ishte vala e dytë emigratore e shqiptarëve drejt SHBA, por jo vetëm.

Ndryshimi i vetëm është se tashmë mënyra e emigrimit është; lotaria amerikane.

Njerëz të thjeshtë, intelektualë, studentë, së fundmi edhe kryebashkiakë i janë dorëzuar fatit gjithnjë e më shumë edhe pse administrata “Trump” kërkon të ndryshojë rregullat e hyrjes në SHBA.

Reporter.al raportoi se më pak se 4500 shqiptarë u shpallën fitues të lotarisë për këtë vit, me një rritje të konsiderueshme nga 2400 të zgjedhur në vitin 2017. Por kjo shifër është tejet e vogël krahasuar me numrin e atyre që aplikojnë.

Departamenti i Shtetit publikoi statistikat e aplikimeve, një procedurë kjo e ndjekur një herë në tre vjet.

Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2016, numri i aplikantëve (bashkë me familjarët e tyre) ishte 246 mijë ndërsa në vitin 2017 kishte 162,521 aplikime për 315,842 vetë. Viti 2018  shënoi një tjetër rritje të konsiderueshme në këtë drejtim me 367,231 aplikantë.

Shqipëria rezulton një nga vendet me më shumë aspirantë për emigrim në SHBA nëse merret parasysh edhe numri i popullsisë. Nuk mbeten pas edhe disa vende të rajonit si Kosova dhe Maqedonia, por jo në përmasat e Shqipërisë.

Kjo rrjedhje e trurit dhe jo vetëm nis ndjeshëm që prej vitit 2013. Në këtë vit kishte 59 mijë aplikime për 122 mijë vetë. Një vit më pas 84 mijë aplikime për 171 mijë vetë ndërsa në vitin 2015 shkon rreth 200 mijë aplikime në total.

Nëse do t’u referohemi statistikave të aplikimeve nga Departamenti i Shtetit të paktën për 10 vitet e fundit, mund të themi se numri më i vogël i aplikantëve nga shqiptarët ka qenë viti 2011.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 (vit ku numri i aplikimeve mbetej i lartë) u pa  një rënie e aplikuesve në vitin 2010 (118,913) dhe 40,823 aplikime për 87.189 vetë në vitin 2011 që me sa duket mund të konsiderohet si viti më optimist për shqiptarët dekadën e fundit. Pas këtij viti vihet re vetëm rritje e aplikantëve.

Kjo për sa i përket rrugës ligjore që ndjekin shqiptarët. Sepse ky proces nuk duhet parë i shkëputur nga emigrimi i shqiptarëve edhe në Europë, duke ndjekur një tjetër rrugë, atë të azilit politik. Edhe në këtë drejtim shifrat janë zhgënjyese.

Revista “Monitor” publikoi rreth një vit më parë një studim të realizuar nga “Cooperation and Development Institute (CDI) / ShtetiWeb” mbi sjelljen emigratore të shqiptarëve në Gjermani për një periudhë dyvjeçare, si pjesë e serisë së Procesit të Berlinit, për çështjet e migracionit. Në mënyrë të detajuar u trajtuan kushtet, profilet, por edhe arsyet se përse shqiptarët rinisën emigrimin dukshëm prej vitit 2014. Edhe pse studimi përfshinte një periudhë dyvjeçare shkaqet që u renditën mbeten të njëjta edhe sot. Papunësia, punësimi rastësor, të ardhurat e pakta, kushtet e jetesës, performanca e ekonomisë, rënia e kërkesës për punë, mungesa e shpresës janë disa nga arsyet. Siguria e jetës konsiderohet një tjetër faktor shtytës.

Megjithatë, e parë e në një plan më të gjerë, “american dream” apo e thënë shqip ëndrra amerikane mbetet për shqiptarët një terren shprese, por dhe prove për një jetë më të mirë.

Dr. Besarta Vladi, Lektore në Fakultetin e Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit në UET sjell një shpjegim mbi dallimin e atyre që emigrojnë në Europë dhe atyre në SHBA. “Mendoj se largimi në vendet fqinje historikisht është parë si zgjidhja më e shpejtë dhe më e sigurt e problemeve ekonomike, për familjet me më pak të ardhura dhe nivel arsimor të pamjaftueshëm për të mbijetuar në tregun e punës. Nga ana tjetër, emigrimi në Amerikë mendoj se është parë dhe vazhdon të shihet si një investim afatgjatë, për ato familje që duan të sigurojnë jo vetëm të ardhurat bazë për minimumin jetik apo të garantojnë një jetë normale, por edhe të ardhmen e fëmijëve, nipërve dhe mbesave të tyre. Amerika shihet si vendi që garanton suksesin dhe karrierën e sigurt, jetën e qëndrueshme ekonomike, stabilitetin financiar, mundësitë për arsimimin më të mirë etj.”, thotë ajo.

Ndërsa dr. Roland Lami, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara në UET, flet për dy fasha kategorish që synojnë të emigrojnë jashtë.

“Referuar të dhënave të azilkërkuesve dhe aplikantëve të lotarisë amerikane vërehet se janë kryesisht dy fasho që kërkojnë të largohen nga Shqipëria. Fasho e parë është kategoria e personave që janë në vështirësi ekonomike. Për ta instinkti i mbijetesës është më i fortë se forca e arsyes për të arsyetuar mbi sanksionet ligjore apo administrative që parashtron sistemi Shengen. Për sa kohë, situata ekonomike do të vazhdojë të jetë kjo që është për kategorinë në fjalë fenomeni i azilkërkuesve si dhe punësimi sezonal në vendet e BE do të jetë ky që është. Fasho e dytë është shtresa e mesme që nuk kanë probleme të mbijetesës, përkundrazi kanë arritur një standard, por kanë shqetësim të ardhmen e fëmijëve. Nëse në rastin e parë ngrihet shqetësimi i reduktimit të forcës fizike të punës te fasho e dytë ngrihet shqetësimi i rrudhjes së mëtejshme të shtresës së mesme dhe asaj që ndryshe njihet si fenomeni i ikjes se trurit”, shpjegon Lami.

Ndërkohë, analisti Artur Zheji në një shkrim të tijin për fenomenin e largimit të shqiptarëve nga vendi shtron edhe një pyetje nëse “zbrazja e Shqipërisë është një pazotësi dhe një dështim i politikës shqiptare, apo edhe një konspiracion më i gjerë dhe i vetëdijshëm i kupolës që drejton sot Shqipërinë, për t’u çliruar nga të pakënaqurit dhe nga të papunët e këtij vendi, duke ua shkarkuar vendeve të tjera si një barrë skllevërish?…”.

Në fakt gjithçka mund të hamendësohet sa kohë që vetë kryeministri Edi Rama pak kohë më parë surprizoi me një përgjigje i pyetur nga gazetarja e “France 24” nëse i vinte keq që Shqipëria kishte numrin më të madh të të rinjve që emigronin në BE.

“Jo, nuk na vjen keq se historia na tregon se vendet që janë më të pasura sot në Europë kanë qenë të varfra, ku njerëzit kanë emigruar janë kthyer pas me kultura e kapacitete të reja duke i bërë vendet e tyre më të pasura”, -tha ai. Por a është e mjaftueshme kjo përgjigje në kushtet aktuale dhe shifrave kokëforte që “bombardojnë” kufijtë në Europë dhe përtej Atlantikut? Roland Lami ngre alarmin se, “nëse nuk mendojmë seriozisht për këto ndryshime demografike, struktura sociale ekonomike dhe politike do të pësojë fraktura të mëdha që do të kërkojnë shumë vite për t’u riparuar”.

 

Kurba e aplikimit të lotarisë amerikane prej vitit 2007

Numri i aplikimeve                  Bashkë me familjarët 

Viti 2007                      

70,390                                          173,012

2008   

67,381                                           162,360

Viti 2009

68,584                                         160,810

Viti 2010

53,104                                          118,913

Viti 2011

40,823                                         87,189

Viti 2012

55,686                                         115,357

Viti 2013

59,241                                         122,567

Viti 2014

83,615                                          171,362

Viti 2015

100,472                                       198,625

Viti 2016

127,277                                        246,129

Viti 2017

162,521                                        315,842

Viti 2018

189,168                                        367,231

 

Vladi: Fenomeni i emigracionit, shqetësues, kërkohen masa të thella

Dr. Besarta Vladi, Lektore në Fakultetin e Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit në Universitetin Europian të Tiranës flet për arsyet e emigrimit, pse shqiptarët preferojnë më shumë SHBA-në dhe jep një shpjegim të qartë se pse nga dita në ditë drejt “tokës së premtuar”, po synojnë edhe ata me arsim të lartë

Shqiptarët kanë tendencën për t’u larguar jashtë vendit dhe një nga format mbetet aplikimi me lotari, përse ikin shqiptarët dhe a ndryshojnë rrethanat nga viti në vit?

Për të kuptuar më mirë rrethanat dhe faktorët që çojnë në rritjen e numrit të personave që largohen masivisht nga vendi, mendoj se duhet bërë një analizë e thellë socio-politike dhe ekonomike. Megjithatë, në opinionin tim, ndryshimi i këtyre faktorëve nuk ndodh nga njëri vit në tjetrin. Por edhe nëse ndodh, ky ndryshim nuk do të ishte aq evident. Rrethanat kushtëzuese besoj se ndryshojnë sipas brezave dhe dekadave që këta breza përfaqësojnë. Për shembull, faktorët që nxitën emigracionin në vitet ‘90 ishin shumë të ndryshëm nga faktorët dhe rrethanat që nxitën emigracionin në vitin 1997, apo faktorët që nxisin emigracionin gjatë 3-4 viteve të fundit. Në qoftë se në fillimin e viteve ‘90 emigracioni u pa si drita jeshile e munguar për dekada me radhë për shkak të regjimit komunist, dhe pjesa përtej kufijve ishte enigma që nxiste kureshtjen dhe ngjallte shpresën, kryesisht për shtresën e varfër të shoqërisë, periudha pas 1997 nënkuptoi emigracionin pa kushte dhe kundrejt çdo kompromisi, jo vetëm të shtresës së varfër, por edhe për një pjesë të konsiderueshme të intelektualëve, duke e konsideruar largimin jashtë vendit si të vetmen mënyrë shpëtimi. Ajo çfarë mbetet shqetësuese, në opinionin tim, lidhet me faktin që sot, pas kaq vitesh, rrethanat duket se janë përkeqësuar dhe tendenca për t’u larguar është kthyer jo vetëm në masivitet, por edhe në normalitet për çdo shtresë apo kategori sociale.

Duke parë statistikat, vihet re një rritje në vijimësi e numrit të aplikantëve për lotarinë amerikane. Përse vijojmë të jemi para këtij fenomeni, pra dëshirës për t’u larguar?

Largimi përmes lotarisë është ndoshta forma më e sigurt, korrekte nga pikëpamja ligjore dhe e shkurtër nga pikëpamja kohore, krahasuar me largimin përmes martesave (false në shumicën e rasteve), apo qëndrimeve të tejzgjatura 7-10 vite apo më tepër, me qëllim përfitimin e nënshtetësisë. Një arsye tjetër pse mendoj se largimi përmes lotarisë mbetet një prej formave të preferuara lidhet me faktin që largimi mund të jetë masiv, pra e gjithë familja së bashku, ose brenda një harku kohor relativisht të shkurtër. Amerika konsiderohet si vendi i mundësive për të gjithë, dhe në këtë këndvështrim, largimi do të përbënte zgjidhje të shumëfishtë të problemeve të gjithsecilit.

Krahas familjeve të varfra, veçanërisht dy-tri vitet e fundit është shtuar edhe numri i aplikantëve me arsim të lartë që ushtrojnë profesione të ndryshme…. Në këndvështrimin tuaj pse kjo kategori ka tendencën për t’u larguar nga vendi?

Natyra e emigracionit në Amerikë është disi e ndryshme nga natyra e emigracionit në vendet fqinje apo më gjerë në Europë. Mendoj se largimi në vendet fqinje historikisht është parë si zgjidhja më e shpejtë dhe më e sigurt e problemeve ekonomike, për familjet me më pak të ardhura dhe nivel arsimor të pamjaftueshëm për të mbijetuar në tregun e punës. Nga ana tjetër, emigrimi në Amerikë mendoj se është parë dhe vazhdon të shihet si një investim afatgjatë, për ato familje që duan të sigurojnë jo vetëm të ardhurat bazë për minimumin jetik apo të garantojnë një jetë normale, por edhe të ardhmen e fëmijëve, nipërve dhe mbesave të tyre. Amerika shihet si vendi që garanton suksesin dhe karrierën e sigurt, jetën e qëndrueshme ekonomike, stabilitetin financiar, mundësitë për arsimimin më të mirë etj. Në rastin e emigracionit drejt Amerikës, mendoj se ka një analizë kosto-përfitim shumë më të thellë dhe me perspektivë afatgjatë, e bërë kryesisht nga shtresa intelektuale e vendit, dhe jo vetëm nga qytetarë me të ardhura të ulëta ekonomike.

Si përfundim, fenomeni i emigracionit, prej kohësh tashmë shqetësues, mendoj se kërkon marrjen e masave të thella parandaluese përmes politikave që nxisin punësimin në vend, rritjen e standardit të jetesës, rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, cilësisë së arsimit etj. Emigracioni sot nuk ka vetëm shkaqe ekonomike, por politike dhe sociale gjithashtu.

 

Lami: Një bombë sociale mund të shpërthejë nëse status quo nuk ndryshon

Dr. Roland Lami, përgjegjës i Departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës shpjegon rrezikun e emigrimit në një masë kaq të madhe njerëzish duke sugjeruar në të njëjtën kohë se duhet menduar seriozisht për ndryshimet demografike në vend

Shqiptarët kanë tendencën për t’u larguar jashtë vendit dhe një nga format mbetet aplikimi me lotari, përse ikin shqiptarët dhe a ndryshojnë rrethanat nga viti në vit?

Në përgjithësi, fenomeni i migrimit ka një shtrirje globale pavarësisht se arsyet që e prodhojnë atë janë sa universale dhe kontekstuale. Kështu që nuk është një fenomen tipik shqiptar. Mirëpo e veçanta te ne është se kohët e fundit është rritur numri i personave azilkërkues në vendet e BE, janë shtuar aplikimet për lotari amerikane (vetëm tri vitet e fundit përllogaritet rreth 1.000.000 numri i personave që do të dëshironin të jetonin në SHBA), si dhe të dhënat e sondazheve tregojnë se një përqindje e lartë e respondentëve rreth 60–70% janë të gatshëm të largohen nga Shqipëria nëse iu krijohet mundësia. Këto të dhëna, tregojnë për përmasat shqetësuese të fenomenit në fjalë. Të tilla përmasa krijojnë paralele me lëvizjet migratore të fillimviteve ‘90, pavarësisht se rrethanat kanë ndryshuar, por humbja e shpresës se situata mund të ndryshojë shpejt me sa duket vazhdon të jetë si atëherë.

Një masë kaq e madhe njerëzish që po largohen dhe që duan të largohen nga Shqipëria në raport me përmasat e popullatës që janë rezident në Shqipëri ngrenë alarmin e kapitalit social, ekonomik dhe demografik. Ky trend, në një periudhe të shkurtër kohe mund të na shndërrojë nga një popullatë e re nga pikëpamja moshore, në një popullatë të plakur si dhe qytetet të marrin konturet e disa fshatrave të jugut dhe të veriut që janë boshatisur nga rinia dhe banohen vetëm nga mosha e tretë dhe e katërt.

Ndryshe nga vendet e BE ku lëvizjet migratore janë anasjellas, pra ikin dhe vijnë te njëri-tjetri, te ne, lëvizja është vetëm me një kah – ikje. Standardet e ulëta të jetesës te ne nuk joshin as qytetarët e vendeve të BE, as azilkërkuesit e lindjes së afërt dhe të largët që ta shohin si mundësi jetesën te ne. Kështu që, çështja e kapitalit social duhet të na alarmojë pasi një bombë sociale mund të shpërthejë nëse status quo nuk ndryshon.

Duke parë statistikat vihet re një rritje në vijimësi e numrit të aplikantëve për lotarinë amerikane. Përse vijojmë të jemi para këtij fenomeni, pra dëshirës për t’u larguar?

Trendi në rritje për lotarinë amerikane është sa idealizim i realitetit amerikan dhe fatalitet i realitetit ku njerëzit jetojnë. 

Krahas familjeve të varfra, veçanërisht dy-tri vitet e fundit është shtuar edhe numri i aplikantëve me arsim të lartë që ushtrojnë profesione të ndryshme… Në këndvështrimin tuaj pse kjo kategori ka tendencën për t’u larguar nga vendi?

Referuar të dhënave të azilkërkuesve dhe aplikantëve të lotarisë amerikane vërehet se janë kryesisht dy fasho që kërkojnë të largohen nga Shqipëria. Fasho e parë është kategoria e personave që janë në vështirësi ekonomike. Për ta instinkti i mbijetesës është më i fortë se forca e arsyes për të arsyetuar mbi sanksionet ligjore apo administrative që parashtron sistemi Shengen. Për sa kohë, situata ekonomike do të vazhdojë të jetë kjo që është për kategorinë në fjalë fenomeni i azilkërkuesve, si dhe punësimi sezonal në vendet e BE do të jetë ky që është. Fasho e dytë është shtresa e mesme që nuk kanë probleme të mbijetesës, përkundrazi kanë arritur një standard por kanë shqetësim të ardhmen e fëmijëve. Nëse në rastin e parë ngrihet shqetësimi i reduktimit të forcës fizike të punës te fasho e dytë ngrihet shqetësimi i rrudhjes së mëtejshme të shtresës së mesme dhe asaj që ndryshe njihet si fenomeni i ikjes se trurit. Jemi në kushtet që nëse nuk mendojmë seriozisht për këto ndryshime demografike struktura sociale ekonomike dhe politike do të pësojë fraktura të mëdha që do të kërkojnë shumë vite për t’u riparuar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Sa ndryshe nga Edi Rama është Lulzim Basha

Nga Fitim Zekthi* Duke qenë se për të djathtën qeveria nënkupton një...
Read More