Esat pashë Toptani: Kundër një princi evropian për Shqipërinë, s’bëhem shërbëtor

Esati12Një nga figurat më komplekse të historisë shqiptare, për të cilin janë botuar disa libra dhe studime, por gjithnjë i vendosur ose si patriot i kulluar, ose si emblemë e tradhtisë –Esat pashë Toptani nga historianët shqiptarë shpesh është refuzuar, duke vlerësuar studimet mbi të si një përpjekje pa vlerë. Ashtu si vetë jeta e Esat Pashës, komplekse është edhe përgjigja që jep gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi në librin e tij studimor “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti”, botimet UET Press

Intervista në gazetën italiane “Le Secolo”

Kishte kaluar mesi i majit kur 28-vjeçari Luciano Magrini, korrespondent i gazetës “Il Secolo”, ishte nisur nga Durrësi për t’u takuar personalisht me Esat Pashën, njeriun që kishte ngjallur plot hamendje dhe kërshëri në kryeqytetet e Europës. Deri në Tiranë, rruga me zhavorr që ndiqte rrjedhën e Erzenit mbante gjashtë orë të mira me kalë.

….Gjatë udhëtimit, në të djathtë të rrugës mes Shijakut dhe Tiranës, shoqëruesi i tregoi me dorë gazetarit një shtëpi të bardhë majë një kodre dhe i tha:

– Kjo është banesa e gruas së parë të Esatit.

– E gruas së parë? Pse, sa gra ka patur?

– Pasi e ndau të parën, me të cilën pati fëmijë, u martua përsëri, sipas zakonit mysliman. Mori një grua nga Stambolli dhe tani jeton me të. Rruga deri në Tiranë vazhdoi me fusha, kodrina të ulëta dhe tek-tuk ndonjë pyll të vogël. Pamja u bë më interesante kur nisi të dukej qyteti, gjysmë i fshehur mes plepave dhe qiparisave, në fund të një lugine të madhe. Shtëpitë e ulëta, shumë të bardha e me harqe elegante, xhamitë me ngjyra të gjalla, lëndinat me bar dhe me drurë të mëdhenj, i jepnin Tiranës një fytyrë të çelur dhe një hir të veçantë. Pjesa dërrmuese e banorëve mendonin se Esat Pasha ishte tani mbret i Shqipërisë dhe e përshëndesnin sikur të ishte i tillë. Shtëpia e pashait kishte një hije madhështie e force. Ajo ishte një vilë e madhe dykatëshe, e rrethuar nga një mur i lartë dhe me dy oborre përpara. Në oborrin e parë kishte nja dhjetë tenda ku rrinin rojat – tridhjetë ushtarë shqiptarë, besnikë për kokë të Esat Pashës. Portat ruheshin nga njerëz të armatosur dhe në oborre luhej tri herë në ditë muzikë ushtarake.

…Esati e priti Magrinin me shumë mirësjellje dhe, pikërisht në këtë kohë, poshtë në oborr, banda ushtarake filloi të luajë muzikë….Sapo mbaroi pjesa e parë e muzikës anadollake, Esati, me një gjest arrogant bëri shenjë që banda të largohej dhe biseda filloi menjëherë. Ushtarët sollën cigaret dhe kafen turke, të pandara nga mikpritja osmane. Esat Pasha nuk pinte shumë duhan por e thithte ndonjëherë. Përkthyes ishte Qeramudini, që e njihte mirë gjermanishten dhe frëngjishten. Esati kishte një të folur të shpejtë, por ishte mjaft skrupuloz kur vinte puna për faktet dhe hollësitë që përdoreshin në bisedë. Mund të kuptohej menjëherë se në mendje ishte i qartë dhe kishte një saktësi të çuditshme në mënyrën se si shprehej. Fjalitë i zbukuronte shpesh me anekdota dhe, ndryshe nga ushtarakët e tjerë turq, tek ai mbizotëronte një frymë gazmore dhe e çiltër. Pashai ndihej i sigurt në vetvete dhe nuk i pëlqente t’i fshihte apo t’i errësonte faktet, edhe pse ndonjëherë ato mund të tingëllonin si akuzë ndaj atij vetë.

LUCIANO MAGRINI: Pra, ndodhem përballë mbretit të Shqipërisë, guvernatorit të Shqipërisë, apo thjesht mbrojtësit të Shkodrës?

ESAT PASHA: (Ngurron pak, pastaj buzëqesh) Ju jeni i krishterë dhe vetëm Jezu Krishti mund t’ju japë një përgjigje të saktë! (Hesht një çast) Meqenëse Fuqitë e Mëdha e krijuan Shqipërinë si shtet, ato duhet të nxitojnë për rregullimin e gjendjes. Mënyra më e mirë do të ishte që Europa të mos përzihet më në çështjen tonë dhe t’ua lërë shqiptarëve të vendosin fatin e tyre, jetën e tyre të ardhme dhe qeverisësin e tyre. Vazhdimi i ndërhyrjes europiane, duke mbajtur gjallë anarkinë, është vdekjeprurës për vendin tonë. Më besoni, do të ishte shumë më mirë në qoftë se Europa nuk do të interesohej dhe do ta linte Shqipërinë të lirë, pa ndërhyrë në punët e saj të brendshme.

LUCIANO MAGRINI: Në Europë thuhet se Esat Pasha ose është vetëshpallur mbret i Shqipërisë, ose dëshiron të shpallet i tillë. Ç’mendon Shkëlqesia Juaj për këtë?

ESAT PASHA: (Ngrihet në këmbë dhe, duke buzëqeshur, tregon uniformën që ka veshur, pastaj ngre zërin) Shihmëni me kujdes! A kam veshur ndonjë uniformë mbreti? Unë mbaj uniformën e një gjenerali turk dhe madje pa pëlqimin e qeverisë sime osmane, ndonëse e dua atdheun tim shqiptar. Vuaj kur shoh mjerim dhe grindje për shkak të paaftësisë së Qeverisë së Përkohshme që nuk përfaqëson vendin. E megjithatë nuk mund të bëj dot asgjë! Shqipëria është si një anije e madhe në një det me stuhi, pa komandë dhe pa drejtim. Disa marinarë të paditur kanë marrë në dorë timonin dhe, me paaftësinë e tyre, krijojnë rrëmujë, duke e bërë gjendjen çdo ditë e më të vështirë. Ata nuk kanë guximin të pranojnë pafuqinë e tyre, prandaj bërtasin, duke e quajtur krejt Shqipërinë të paaftë dhe duke kërkuar si shpëtim ndërhyrjen europiane! E megjithatë, Shqipëria dhe Europa e dinë se në bord gjendet i mënjanuar një kapiten i aftë për ta çuar anijen në port me dorë të sigurt. Shqiptarët duan kapitenin e tyre në komandë, por Europa ndërhyn dhe e refuzon. Përse kështu?

LUCIANO MAGRINI: Pra, kapiteni nuk e merr dot komandën dhe kështu anija nuk shpëtohet dot!

ESAT PASHA: Europa nuk do! Europa mban qëndrim armiqësor ndaj komandantit! Nëse Europa më beson detyrën e princit dhe të guvernatorit, betohem se brenda një muaji do të rivendos kudo qetësinë, duke e organizuar Shqipërinë nën sovranitetin e sulltanit, ashtu siç e dëshiron shumica e popullit.

LUCIANO MAGRINI: Por, nëse Europa nuk ia jep këtë detyrë dikujt dhe rrezikohet mbytja e anijes, çfarë do të bëjë kapiteni?

ESAT PASHA: I thirrur nga populli, kapiteni do ta ndiejë se rreziku i madh për atdheun po afron, do të flakë tej çdo ngurrim dhe do të vrapojë i vetëm te timoni për të marrë në dorë anijen! Ata që e krijuan Shqipërinë duhet ta zgjidhin situatën shpejt, duke i lënë shqiptarët të veprojnë lirisht. Europa e njeh gjendjen, e njeh edhe njeriun e aftë për t’i dalë zot. Qeveria e Përkohshme e Vlorës, pa aftësi organizimi, mund të administrojë një qark por jo një shtet! Ismail Qemal beu pothuajse ka marrë arratinë nga Vlora dhe qeveria ka marrë fund. Ajo jeton me kreditë e Europës, por këto kredi nuk mjaftojnë që ajo të zgjerojë ndikimin dhe të rrisë autoritetin. Secila krahinë është më vete. Disa prej tyre e grisën flamurin e autonomisë, që iu dërgua nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës!

LUCIANO MAGRINI: Po Tirana, përse nuk e ngre flamurin e autonomisë?

ESAT PASHA: Tirana nuk varet nga Vlora. Unë jam tani gjeneral turk. Vrasja e Njazi beut dhe paaftësia e Qeverisë së Përkohshme për të arrestuar fajtorët, që shëtisin të pashqetësuar në rrugët e Vlorës, madje që bëjnë pjesë në forcat mbrojtëse të qeverisë, dëshmon qartë paaftësinë e qeverisë, e cila mbrohet dhe mbahet në këmbë nga Europa. Dhe ju kërkoni që unë dhe Tirana të njohim një qeveri të tillë?

LUCIANO MAGRINI: Nëse Europa zgjedh një princ europian, a do të ishit i gatshëm ta ndihmonit dhe të kontribuonit për rivendosjen e rendit në vend?

ESAT PASHA: Zotëri, unë nuk mund të bëhem shërbëtor i një princi europian! (Hesht pak dhe vazhdon) Jam kundër një princi europian. Mund të punoj për Shqipërinë, por jo për një princ të huaj dhe meqenëse Europa pranon dhe njeh një qeveri autonome, po ashtu duhet të pranojë një shqiptar si mbret ose guvernator. Europa ka pranuar situata edhe më të ndërlikuara se kjo. Për shembull, Franca, Anglia dhe Rusia, pasi e bënë ishullin Samos të pavarur me flamurin e vet, e lanë nën sovranitetin e Sulltanit, të cilit iu rezervua e drejta e kontrollueshme për zgjedhjen e princit. Emërimi im do të zgjidhte keqkuptimet mes shqiptarëve dhe mosbesimin mes vetë Fuqive europiane, që do të ishte i pashmangshëm nëse do të zgjidhej një princ i huaj. Por, tani për tani, nuk mund të bëj dot asgjë pa konsensusin e Fuqive dhe për t’i mbetur besnik vullnetit të sulltanit.

LUCIANO MAGRINI: A keni menduar të krijoni një fakt të kryer mes jush dhe Fuqive europiane?

ESAT PASHA: (E vëzhgon gjatë gazetarin) Jo gjithmonë faktet e kryera e arrijnë qëllimin. Unë jam thjesht një gjeneral osman në pritje që Europa të rregullojë gjendjen në vendin tim.

LUCIANO MAGRINI: Kur do të largohet ushtria turke dhe a do të niseni edhe ju bashkë me ushtrinë?

ESAT PASHA: Nuk e di se kur do të bëhet nisja. Megjithatë, do t’u bindem urdhrave të Stambollit e do të nisem edhe unë bashkë me ushtarët. Por, nëse qeveria osmane vendos që trupat tona të dërgohen në Bagdat ose në Jemen, atëherë do të kërkoj një leje të shkurtër dhe do të qëndroj në Tiranë për të vëzhguar zhvillimin e gjendjes.

Biseda po i afrohej fundit, ndërkohë që edhe dielli ishte pranë perëndimit. Meqenëse ende kishte dritë, Magrini i kërkoi leje Esatit t’i bënte një fotografi. “Bëjeni, – iu përgjigj ai. Të gjitha gazetat kanë botuar fotografi të rreme, më kanë nxjerrë edhe me mjekër!” Magrini i tha se dhoma ku ndodheshin ishte tepër e errët dhe i zoti i shtëpisë zbriti me çap të shpejtë, duke i propozuar t’ia bënte fotografinë në oborr, ku ende kishte dritë. Esati mori një pozë ushtarake. Në të majtë vuri shefin e shtatmadhorisë, Qeramudinin. Me të shkrepur gazetari aparatin, Esati e pyeti gjithë seriozitet: “A thua kishte dritë mjaft?”

Të dy shëtitën pastaj në kopsht, ku aty-këtu shiheshin rojet shqiptare me bajonetat ngrehur. Pranë njërës prej portave qëndronte banda ushtarake në një rresht të vetëm në formë gjysmërrethi, gjithsej njëzet vetë. Pasi i ra një pjese muzikore, banda mori urdhër të pushonte, por nuk lëvizi nga vendi. Esati i tregoi Magrinit për ngjarjet e Shkodrës dhe i tha se dorëzimi i qytetit u bë për shkak të mungesës së plotë të ushqimit, aq sa ditën e fundit ushtarët e tij u ushqyen me bukën që u ishte dhënë nga malazezët, sipas kushteve të kapitullimit. “Megjithatë, tha ai, jam i bindur se rezistenca jonë e zgjatur garantoi që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë”.

LUCIANO MAGRINI: Ç’mendoni për akuzën e përhapur në shtypin europian se ju e bëtë marrëveshjen me serbët dhe malazezët për të marrë mbështetjen e tyre në favor të aspiratave tuaja në Shqipëri?

ESAT PASHA: Për të pohuar këtë duhen prova. Le të vijnë këtu serbët e malazezët dhe ta shohim nëse jam miku i tyre! Unë jam një gjeneral turk.

LUCIANO MAGRINI: Thuhet se Shkëlqesia Juaj ka bërë një zijafet me serbët në Lezhë.

ESAT PASHA: Është e vërtetë. Ishte një akt mirësjelljeje që, sipas zakonit, nuk mund të refuzohet mes ushtarakëve pas luftës. Por pimë vetëm nga një gotë të vogël konjak dhe unë hëngra një biskotë të vetme, duke i trajtuar serbët ftohtë, sepse e dija që nuk ishin sjellë njerëzisht me popullsinë shqiptare.

Po ngrysej dhe banda ushtarake filloi përsëri koncertin. Duke ecur i menduar, Esati e pyeti mysafirin: – Mendoni se është e pamundur që Europa të zgjedhë një shqiptar për fronin e Shqipërisë?

– Jo, nuk është e pamundur, por kështu siç janë punët nuk më duket dhe aq e mundur.

– Po përse xhanëm Europa përzihet në punët tona pa zgjidhur një herë e mirë anarkinë në vend? – ngriti zërin Esati me një irritim të dukshëm. – Do të ishte më mirë që Europa të mbronte realisht vendin tonë dhe të ndërhynte më pak në organizimin e ardhshëm. Muzika jashtë pushoi dhe po errej. Kishte ardhur koha për t’u ndarë. – Ishalla! – tha Esati, duke i zgjatur dorën mikut. Në këtë çast ai thirri një xhandar. – Prisni, – i tha Magrinit, duke i treguar xhandarin. – Po ju jap këtë trim që t’ju shoqërojë dhe ta keni si roje besnike.

(fragment nga libri)

Shkruar Nga
More from revista mapo

Diplomaci e vështirë apo politikë e lehtë?

Komunikimi politik nga A në Zh Nga Julian Zyla  Për librat e...
Read More