‘Është pak ku…’: Ekuivalenca false po vret jo vetëm politikën

A jemi të gjithë njësoj? A është politika njësoj? Pse duhet të mësojmë që të bëjmë dallimin, edhe kur situata është e komplikuar

Nga Enton Palushi

Në vitin 1991, Anita Hill akuzoi Clarence Thomas, tashmë gjykatës i Gjykatës Supreme në SHBA, për ngacmim seksual. Mbrojtësit e tij nisën të thonë se ajo ishte ‘pak kuçkë’. Sot një tjetër jurist i lartë në SHBA, kandidati për Gjykatën Supreme, Brett Kavanaugh, është nën akuzë. Ajo që ka ndryshuar tri dekada më pas është se makineria që mbron Kavanaugh nuk pretendon që të vërë në diskutim moralin e asaj që e akuzon. As shëndetin e saj mendor.

Kështu shkruan revista The Economist, në një analizë për 1-vjetorin e lëvizjes #MeToo. Shqipëria nuk ka shans që të ketë një lëvizje të tillë, por një histori me ngacmime dhe abuzim seksual po luhet përpara opinionit publik. Natyrisht është më brutale dhe shumë më e ndyrë, brenda saj përfshihen shumë elementë që ndoshta nuk do i zinte kurrë një analizë e vetme. Por e rëndësishme është që në fund të fundit, përpjekja e të gjitha palëve është për të parë pis secilin, si për të treguar se askush nuk është i pastër. Kryendyrësia e kësaj historie është tentativa për të treguar se edhe vajza nuk është pa gjë në këtë mes. Amerikës iu deshën tri dekada për të bërë ndryshimin e madh, duke mos gjykuar moralin e një viktime të ngacmimeve seksuale. Në Shqipëri një Zot e di sa do duhet. Por përpjekja për të vënë vijën e barazimit është një nga gjërat më të rënda…

***

“Ai krimineli është shoku i burrit të motrës së kundërshtarit tim. Mamaja e tij ka lidhje me tre komshi kriminelë. Krushku i njërit është trafikant që del i lidhur me kundërshtarin tim. Shans për të marrë pushtet me zgjedhje unë s’kam. Prandaj dua veting për lidhjet e tij me krimin”. Ky ishte një mesazh i shkurtër që publikoi kryeministri Edi Rama për t’iu përgjigjur kërkesës së kundërshtarit në opozitë, Lulzim Basha, që vetingu të shtrihet edhe në politikë. Për ata që mund të mos e dinë, ky njihet ndryshe edhe si Argumenti i Dordolecit. Ai ndodh kur argumenti i palës tjetër ekzagjerohet ose prezantohet në mënyrë të çuditshme, në përpjekje për ta diskredituar.

Ka shumë nga ata që thonë se politikanët gënjejnë shpesh. Së fundmi përdoret edhe një term që po zë gjithmonë e më shumë vend. Quhet ‘paltering’ dhe do të thotë të gënjesh duke thënë të vërtetën. Ky është vetëm një nga shumë manipulime logjike që përdoren nga politikanët për të mashtruar opinionin publik. Psikologët dhe studiuesit kanë evidentuar me dhjetëra nga këto manipulime ose ‘fallacies’, të cilat përdoren me mjeshtëri nga politika. Argumenti i Dordolecit është vetëm një prej tyre. Por ai më i dëmshmi, që e ka futur në krizë edhe besimin te sistemi i demokracisë liberale, njihet si Ekuivalenca False.

***

Pallati i Kongreseve ishte mbushur plot me efektivë policie. Uniformat ishin të rregullta. Gjithçka sipas një skenari që do e kishin zili edhe realizuesit e festivaleve. Policët e një institucioni që duhet të jetë sa më i depolitizuar, duartrokisnin sa herë Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm, sulmonte ‘Mulin e Lulin’. Duartrokitën edhe kur u dhanë shifrat e zhdukjes së kanabisit në një nivel që do e kishte zili çdo vend që ka pak diell mbi kokë. Pastaj në fund doli edhe ambasadori amerikan, që mes shumë gjërave të tjera, tha edhe fjalinë që qarkulloi më shpejt në media. Me pak fjalë, tha se opozita e qeveria janë të lidhura me krimin. Kaq mjaftoi dhe në vend që mazhoranca të mërzitej nga kjo fjali, nuk u përpoq që të bënte dallimin. Sepse e dinte se vendi ishte mbushur me hashash dhe policia që po duartrokiste, pavarësisht se BE thoshte se janë institucioni më i besuar, i kishte ndyrë duart fort…

***

Ekuivalenca False ndodh kur dy gjendje prezantohen si të njëjta, kur nuk janë të tilla. Për shembull, nëse një seri me zyrtarë nga njëri krah i politikës rezultojnë të zhytur me krimin, por edhe në krahun tjetër ka ndonjë të tillë. “Agimi është një mashtrues serial, por Artani ka hedhur dikur plehra në park”. “Banda e Bajrëve ka bërë vrasje e përdhunime nën mbrojtjen e policisë, por është një kandidat i PD-së që i ka ndihmuar të manipulojnë rezultatin e ndeshjes me Tërbunin”. Madje, madje historia po shkon shumë larg, kur thuhet se të gjithë e kanë nga një grup kriminal në çdo qytet, po qeveria ka nisur të tregohet ‘bujare’ në ekstrem, duke arrestuar bandat e saj dhe lënë të lira bandat e opozitës…

***

Po përse i intereson kaq shumë një mazhorance që të përdorë Ekuivalencën False? Përse kërkon të barazohet me palën tjetër? Të bësh politikë është një zanat i vështirë dhe aftësia për të treguar se je ndryshe thuajse po bëhet inekzistente. Sipas historianit Yuval Noah Harari, rrallë gjen politikan që të tregojë se është e ardhmja. E kur askush nuk të ofron të ardhmen, e shkuara të duket gjithmonë e më e mirë. Ndaj duket pak paradoksale që kjo mazhorancë nxiton që të tregojë se është si të tjerët: kur i rrit taksat, thotë se po e bën siç do e bënte rivali; kur vendos traun në rrugë, thotë se po bën siç do e bënte pala tjetër; kur rikthehet tek pasioni i paraardhësit për ‘rrugë, rrugë, rrugë’ etj.

Por këtu jemi në Shqipëri dhe gjërat janë ndryshe. Ka të paktën tri arsye se përse një mazhorance si kjo i intereson Ekuivalenca False. E para, sepse janë shumë më të mirë për të përdorur manipulimet logjike; e dyta, se mendojnë se kanë një bazë solide votuesish që nuk i tradhton lehtë; dhe e treta, sepse manipulimi i zgjedhjeve vazhdon të jetë një sport popullor, sidomos kur ke pushtetin dhe paratë.

***

Politika është një zanat delikat, pasi ndryshe nga sa mendohet, bëhet pis kollaj. Dhe politikanët e kanë shumë të vështirë që t’ia dalin të bëjnë pis vetëm palën tjetër. Është sikur ke hyrë në një pishinë të vogël dhe pasi bën shurrën, shpreson se ajo do të ndotë vetëm pjesën ku po lahet personi që ke përballë.

Baronesha Onora O’Neill, një nga filozofet më të mira në botë, është ndoshta personi më adapt për të diskutuar për çështjen e besimit te politika. Ajo thotë se nuk ka ndryshuar asgjë nga dikur. Por ka ndryshuar aftësia për të përdorur hile të tilla si manipulimet logjike, siç thotë Ivan Krastev. “Vendosja e besimit është një çështje komplekse”, thotë O’Neill. Ekuivalenca False është pjesë e këtij kompleksiteti. Ndaj kur të besoni diku, do jetë gjithmonë shumë e vështirë. Por mendoni se jo gjithmonë duhet të bini në nivelin e ‘të gjithëve njësoj’. Ndryshe cinizmi do vrasë jo vetëm politikën…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Luftë” euros: Paketa kundër valutës, çfarë po përgatit Banka e Shqipërisë

Ulja e përdorimit të euros në ekonomi e rekomanduar edhe nga FMN,...
Read More