Gazetarja me shami ‘sfidon’ Muç Nanon: T’i tregoj unë femrat me ..…

Analisti Mustafa Nano në emisionin e tij “Provokacija”, tha se femrat e mbuluara nuk kanë kurajo t’i kundërvihen një shoqërie.

Nano tha se femrat nuk kanë zgjedhje nëse bëhet fjalë për t’u mbuluar, pasi shoqëria ua imponon si normë.

Nano shkruante ndër të tjera se: “Edhe në Shqipëri, ku ka një klimë lirie, ku ka një elitë sunduese ateiste, e ku shoqëria e mjedisi publik dominohen nga një frymë laike, nuk të qëllon të shohësh gra myslimane me bole. Nuk ka dalë asnjëra që të thotë faqe botës: Hej, njerëz, unë po e heq hijabin, se nuk është për mua”.

Përgjigjen nuk ia ka kthyer asnjë analist apo personazh i njohur në media.

Kësaj here, Nanon e sfidon një gazetare, e quajtur Nada Dosti, që në një shkrim te “tesheshi.com”, shkruan se femrat myslimane në Shqipëri kanë kurajo.

Si shembull gazetarja merr veten dhe mikesha të saj, që mes lirisë dhe mosdiskriminimit kanë zgjedhur të mbulohen duke pranuar edhe pasojat që vijnë në një mentalitet shqiptar.

” Të akuzosh femrat muslimane se nuk kanë b*** është sikur të pohosh se një malësor është frikacak për nga natyra dhe se shqiptari është i pabesë në origjinë.”, shkruan Dosti.

Shkrimi i plotë:

Kjo vajza që shihni në foto jam unë. Jam në të 30-at dhe jam gazetare, po ashtu si Masih Alinejad, vetëm se me ca vite mbi supe më pak. Nuk kam shkruar ende një libër, por së shpejti po mendoj ta bëj (le ta shohim). Librin do e kisha titulluar “Mjaft u treguat femrave se çfarë të veshin: frymëzuar nga nisma “Stop Telling women what To wear”.

Ndryshe nga Alinejad, unë nuk kam lindur në një vend ku mbulesa është e detyrueshme, madje e kundërta është e vërtetë.

Kam lindur dhe jam rritur në Shqipëri, në një shoqëri paragjykuese ku sundon mentaliteti shtypës e partiarkal, i ku njerëzit të imponojnë njëtrajtshmërinë dhe të paragjykojnë nëse guxon të jesh ndryshe; të vishesh ndryshe.

Pikërisht në këtë shoqëri të mbyllur e paragjykuese, ku ka plot seksizëm e ku femra shikohet si objekt dhe jo si individ me intelekt, unë pata b*** t’i them JO presionit shoqëror e të vë mbulesën islame.

Pata b*** të sfidoj patriarkalizmin dhe seksizmin e një shoqërie, e cila edhe guximin e një femre e mat me organet e mashkullit.

Por ashtu si unë, edhe shumë mikesha të mia që kanë zgjedhur vetë të veshin hijabin, janë përballur me të njëjtën mendësi: me raste edhe duke përfunduar në spital nga dhuna e ushtruar nga të afërmit për të hequr hijabin.

Ka pasur raste kur për shkak të shamisë janë përzënë nga shtëpia e janë mohuar si fëmijë.

E për çfarë?

Vetëm pse patëm guximin të jemi ndryshe. E sikur kjo të mos mjaftonte, femrat me shami janë përballuar edhe me ligje diskriminuese, me përjashtime nga shkolla, me heqje nga puna, me ofendime në rrugë. Pra me një shoqëri e cila jua ka mbyllur të gjitha shtigjet e që kërkon të na izolojë në çdo aspekt.

Më thoni ju tani, a nuk duhet b*** të zgjedhësh të sakrifikosh çdo gjë për hir të lirisë tënde dhe vullnetit për ta jetuar jetën ashtu siç do ti?

A nuk duhet b*** të përballesh më dhunën e familjes dhe presionin e shoqërisë vetëm pse ti dëshiron të vishesh ndryshe?

Të akuzosh femrat muslimane se nuk kanë b*** është sikur të pohosh se një malësor është frikacak për nga natyra dhe se shqiptari është i pabesë në origjinë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mirash Ivanaj, njeriu që fliste me heshtjen

  Jeta dhe vepra e Mirash Ivanajt, përmes botimit “Mirash Ivanaj –...
Read More