Gjermania kërkon infermierë. Ministri i Shëndetësisë: Punonjës nga Shqipëria e Kosova

Gjermania do të kërkojë fuqi punëtore në Shqipëri dhe Kosovë.

Problemi më akut i vendit, siç thuhet prej kohësh, është mungesa e personelit në shëndetësi, e ministri gjerman i saj, Jens Spahn planifikon të kërkojë ndihmën e Europës Juglindore për zgjidhjen e këtij ngërçi.

Kosova dhe Shqipëria kryesojnë listën e preferencave.

“Përgatitja e personelit atje është shpesh më e mirë sesa mendojmë ne”, tha Spahn për gazetën “Bild am Sonntag”. Por, ka probleme të mëdha me dhënien e vizave, e kjo e shqetëson politikanin e CDU-së.

“Ajo që nuk mund ta kuptoj fare është sesi këta persona të përgatitur dhe të shkolluar duhet të presin shpesh deri në 10 muaj për një vizë për Gjermani. Këto procedura duhet të përshpejtohen”, deklaron ai, duke shtuar se njohja e diplomave zgjat gjithashtu tepër gjatë, e duhet parë edhe ajo.

Nga sa pohon Spahn, vendit i nevojiten rreth 50 mijë persona që punojnë në shëndetësi dhe sektorin e përkujdesjes për të moshuarit.

Në Gjermani nuk ka më, thuajse asnjë spital apo institucion të kushtuar përkujdesjes, që të mos ketë fuqi punëtore nga vendet e tjera. Nisur nga kjo situatë, ministri socialdemokrat i Punës, Hubertus Heil planifikon të fusë të drejtën që të huajtë të marrin vizë për 6 muaj, me qëllim që të kërkojnë punë në Gjermani.

“Kushti është që ata të mos marrin asnjë cent nga sistemet sociale, e nëse as pas 6 muajve nuk kanë gjetur ndonjë vend pune, atëherë duhet të kthehen në vendin e tyre”, tha Heil për të njëjtën gazetë. Heil ka bërë të ditur se rrogat për personat që punojnë në fushën e kujdesit për të moshuarit pritet të rriten dukshëm deri në mes të vitit të ardhshëm.

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Vetëm ligji i hashashit mund ta shkarkojë Klement Zgurin!”

Nga Ylli Manjani* - Sipas ligjit të shtetit (neni 18 i Kodit Zgjedhor),...
Read More