Gjermania tregohet e prerë: Vettingun e politikanëve do e bëjë SPAK-u

 

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz, në intervistë ekskluzive për DW vlerëson, se SPAK është institucion shumë i rëndësishëm për vettingun e politikanëve.

DW: Znj. Ambasadore Schütz, në udhëtimin me gazetarë, të zhvilluar më 25-26 shtator, pata rastin të shikoj konkretisht projektet e bashkëpunimit për zhvillim Gjermani – Shqipëri, në Jug, nga Vlora në Himarë. Cili është motivi që shtyn Gjermaninë të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të jetë donatorja më e madhe në Shqipëri?   

Susanne Schütz: Gjermania filloi bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë 30 vjet më parë, në vitin 1998, vetëm një vit pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Në atë kohë Shqipëria ishte vendi më i varfër  në Europë. Gjermania, që në fillim, e ka konsideruar dhe e konsideron përherë rajonin e Ballkanit shumë të rëndësishëm. Rajoni është pjesë e Europës.  Shqipëria është e rrethuar nga Italia, Greqia;  e rrethuar nga Europa dhe ne gjermanët, europianët nuk mund t’ia lejonim vehtes që Shqipëria të mos zhvillohej në atë drejtim që e konsiderojmë të rëndësishëm dhe të drejtë.

DW: Cili është qëllimi strategjik i këtij bashkëpunimi, që për Gjermaninë ka një kosto financiare prej 1 miliard dollarësh donacione, shuma më e madhja në botë e dhënë nga Gjermania  për frymë të popullsisë?

Susanne Schütz: Të sjellim Shqipërinë pranë Europë, të përmirësojmë kushtet e jetesës së njerëzve në Shqipëri, në mënyrë të qëndrueshme. Kemi parë shumë prokjekte gjatë këtij udhëtimi: në sektorin e energjisë elektrike, të ujësjellës – kanalizimeve, menaxhimit të mbetjeve, arsimit, turizmit etj. Qëllimi pra, është që jeta të bëhet më e mirë për shqiptarët, këtu në Shqipëri.

DW: Shumë interesant projekti në kopshtin e femijëve 4- 5 vjeҫarë, në Himarë, ku në sajë të mbështetjes gjermane ata po mësohen që nga mbetjet të krijojnë objekte utilitare. Vëmendje ndaj së ardhmes, një mendësie të re?

Susanne Schütz: Synojmë të zvillojmë ndërgjegjen e fëmijëve. Dhe kjo bëhet më mirë kur ata janë të vegjël dhe rriten me një ndërgjeje ndryshe nga ata që ndotin dhe shkatërrojnë natyrën, sendet.

DW: Cilat janë sfidat që duhet të përballojë Shqipëria  për të pasur një mjedis më tërheqës për investitorët  gjermanë, në përgjithësi për investitorët e huaj?

Susanne Schütz: Ka një interes në rritje ndaj Shqipërisë prej bizneseve gjermane dhe mundësive që vendi ofron p.sh. në turizëm. Por krahas këtij interesi bizneset shikojnë me shumë kujdes e vëmendje kushtet. Shqetësimet e tyre kryesore kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit, që ka rëndësi vendimtare. Çdo investitor, që vjen në Shqipëri, kërkon të ketë besim në sistemin gjyqësor, gjykatat, gjykatësit, në kontratat dhe licencat. Një ҫështje tjetër ku Shqipëria  duhet të punojë është ajo e pronës. Gjatë tri dekadave Shqipëria ka nxjerrë rregulla të ndryshme për zhvillimin, kthimin dhe kompensimin e pronave,  që kanë ҫuar në rregullime konfliktuale, humbje të sigurisë, gjë që nuk është e rëndësishme vetëm për vetë shqiptarët por edhe për të huaj, që duan të blejnë tokë dhe të investojnë. Ka hapësira për përmirësim.

DW: Çfarë do ta sjellë besimin dhe sigurinë e investitorëve të huaj? Thellimi i reformës në drejtësi?

Susanne Schütz: Absolutisht, po. Ky është edhe thelbi i dizenjimit të kësaj reforme: të reformojë të gjithë sistemin e drejtësisë dhe të sigurojë një drejtësi pa korrupsion dhe ndikim politik. Shpresoj që në përfundim të saj do të ketë një sistem drejtësie tek i cili besojnë të gjithë, investitorë shqiptarë dhe të huaj.

DW: Çfarë mendoni për mënyrën sesi është kryer deri tani vettingu i gjykatësve dhe prokurorëve?

Susanne Schütz: Komisioni dhe strukturat e vettingut janë shumë të përkushtuara në atë që bëjnë dhe përpiqen të thellohen në sejcilin rast që shqyrtojnë. Natyrisht është edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që po vëzhgojnë procesin.  Deri tani mendoj që procesi po shkon  mirë.  Një  numër i madh gjykatësish dhe prokurorësh kanë dalë jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu. Tani ҫështja është ngritja e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që do të emërojnë gjykatësit dhe prokurorët e rinj për të plotësuar vendet e lira të punës në sistemin e reformuar të gjyqësorit.

DW: Cilat janë pritshmëritë tuaja të tjera nga këto dy institucione të miratuara në Kushtetutë dy vjet më pare?

Susanne Schütz: Shpresoj që ato të  zgjidhen sa më parë. Janë struktura shumë të rëndësishme të sistemit të ri të gjyqësorit. Kur të zgjidhet Këshili i Lartë i Prokurorisë do të bëhet e mundur edhe zgjedhja e prokurorëve të SPAK – Prokuroria e Posaҫme kundër Korrupsinit dhe Krimit të organizuar- që besoj se do të jetë një institucion shumë i rëndësishëm për të kryer mes të tjerave edhe vettingun e politikanëve.

DW: Si e shihni përpjekjen e opozitës që vettingu i politikanëve të mos bëhet nga SPAK, por përmes ndryshimesh kushtetuese ai të kryehet nga struktura të tjera?

Susanne Schütz: Besoj që është shumë e rëndësishme që ҫdo mosrespektim i ligjit, – korrupsioni është një prej  tyre – duhet hetuar, pavarësisht nga kush e kryen, politikanë apo të tjerë. Në demokraci, ku funksionon zbatimi i ligjit, ka mekanizma gjyqësorë për ta bërë këtë. Dhe mendoj se ky është rasti edhe për hetimin e ҫdo lloj mosrespektimi të ligjit. Debati lidhur me vettingun e politikanëve kam frikë se është një konsumim kohe dhe energjie, që mund ta largojë vëmendhjen nga vettingu i gjyqësorit, që është vërtet thelbi i reformës në gjyqësor. Pa një vetting të suksesshëm të gjyqësorit nuk mund të ketë një sistem gjyqësor të reformuar për të hetuar politikanët.

DW: Çfarë mendoni për përfshirjen në vetting edhe të familiarëve të politikanëve?

Susanne  Schütz: Së pari  kush do ta bëjë vettingun politik të familjarëve? Nuk jam e sigurtë se cili do të jetë një institucion objektiv për ta bërë atë. Ka rreziqe, duhet të shikohet me shumë kujdes dhe duhet të jetë një proces në linjë me rregullimet ligjore.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Erdogan në Greqi, presidenti grek flet për Shqipërinë: E duam në BE, por…

  Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos në konferencën e përbashkët me homologun turk,...
Read More