Heroi McCain dhe “Vietnami vetjak” i Presidentit

Nga Gian Antonio Stella – “Ernest Hemingueji i 140 shkronjave” (të Twiter), siç ngrefet Donald Trump-i, duke u lëvduar për praninë e tij vërshuese në web, nuk mund të përmbyllte më keq “karrierën” e armikut politik të John McCain-it, i mundur nga një tumor në tru mbas një qëndrese të gjatë e të guximshme. Nderi i armëve prej kohësh ka qenë një pasuri morale për të cilën është një ruajtës i zellshëm çdo ushtarak që i jep peshën e vet të drejtë dinjitetit.

Ua njohën romakët iberikëve, fiorentinët senezëve, anglezët italianëve në El Alamein dhe përsëri komandanti amerikan i Misurit, Setshuo Ishino-s, pilot shumë i ri japonez që, megjithëse lufta ishte humbur, ishte përplasur me aeroplanin e tij mbi kryqëzorin… Donald Trump-i jo.

Madje, kishte marrë mundimin të ndalonte komunikatën e Shtëpisë së Bardhë, duke mëtuar që kundërshtarit të tij të vdekur t’i ishte hequr vlerësimi si “hero”. E kishte thënë qëkur: “McCain nuk është një hero. A mund të quhet hero ai që kapet? Mua më pëlqejnë të tjerët, ata që nuk lejuan të kapeshin”.

Pilot i hipur në aeroplanmbajtësen Forrestal, më 26 tetor 1967, në misionin e tij të njëzetetretë, McCain u rrëzua dhe parashuta nuk arriti të kufizojë dëmet. Përfundoi me një këmbë e krahët të thyer në mes të një tufe vietnamezësh të hazdisur, u masakrua nga goditjet, rrezikoi linçimin e mbaroi në një burg të Hanoit për pesë vjet. I torturuar. I uritur. Në vetmi.

“Kur vietnamezët morën vesh se ishte bir e nip admiralësh e i dhanë mundësinë të kthehej në shtëpi i përzuri ashpër: “Do të isha i lirë por do të kisha baltosur Marinën e do të gjykohesha si çun babai”, tregon Antonio Carlucci tek Espresso. Kur mundi të kthehej, fotografia me Nixonin e tregonte ende me paterica. Me rrobe ushtarake. Por jo më i nxitur nga shpirtra luftëtarë. Si çdo njeri luftës kishte mësuar të mos i thërriste më.

Donald Trump-i nuk mund ta kuptonte. Mjaft të dëgjohet në YouTube intervista (e regjistruar) dhënë gazetarit të radios Howard Stern. “Kam patur dhe unë Vietnamin tim vetjak”, duke qeshur me atë se si kishte mundur të shmangte pesë herë thirrjen për shërbim ushtarak, herën e fundit duke paraqitur një raport mjekësor nga i cili, shkruan NYT, “dilte në këmbët e tij prania e shporeve gëlqerorë, ose zgjatime kockore që mund t’i bënin të dhimbshme ecjet e gjata”.

E shpjegon se, me jetën që bënte atëherë shihte kudo top modele që bënin seks, top modele të famshme përmbi karriget në mes të dhomës. Një ditë ishin shtatë prej tyre dhe secila bëhej nga një djalë i ndryshëm”, me një fjalë me Sidan dhe sëmundjet që vinin vërdallë, “po të ishe i ri atëherë çdo grua mund të ishte një minë antiburrë”.

Ja, “Commander-in-Chief”….

/Corriere della Sera, 29 gusht 2018/E përktheu nga italishtja: Eugjen Merlika/

Shkruar Nga
More from Redaksia

Pasaporta me para/ Plani i Malit të Zi, shtetësi në këmbim të investimeve

Qeveria e Malit të Zi ka vendosur të rikthejë në jetë projektin...
Read More