Iluzionet e Ballkanit Perëndimor për integrimin në bllok

Nga Ervis Iljazaj

Duket sikur përpjekja  e Bashkimit Europian, por edhe shpresat e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë  që ky  fundit të integrohet si një rajon i vetëm. Në fakt është i vetmi rajon që ka ngel jashtë Bashkimit Europian, dhe në këtë kuptim, BE  do ti duhet të gjejë një rrugë strategjike dhe politike në marrëdhëniet me të .

Me sa duket , Bashkimi Europian ka gjetur rrugën e trajtimit të vendeve të Ballkanit si një pjesë e vetme, si një organizëm që kërkon ta integrojë njëherë e mirë të gjithin.

Me të drejtë ndoshta, pasi dihet që konfliktet që vazhdojnë të ekzistojnë ende midis tyre  do ta bënin të vështirë trajtimin individual të çdo shteti të Ballkanit Perëndimor. Më pas kjo do të kthehej në një pengesë  për këtë proces.

Në këtë drejtim, BE, nuk rresht së organizuari konferenca që kanë si temë integrimin e Ballkanit Perëndimor. Që nga Konferenca e Selanikut e deri te ajo e disa  ditëve më parë të Londrës.

Çfarë kanë sjell në fakt këto konferenca? A e kanë ndihmuar Ballkanin Perëndimor drejt rrugës së integrimit.

Nga rezultatet e deritanishme duket sikur jo. Mirëpo, ato kanë luajtur një rol tjetër të rëndësishëm. Kanë ndihmuar të mbajnë bashkë një rajon tepër problematik. Në fakt kjo është strategjia e Bashkimit Europian. Nga të gjitha të dhënat, nuk është ajo e integrimit si një rajon i vetëm, por, e krijimit të një zonë të përbashkët ekonomike më së tepërmi, por edhe shoqërore e politike, për të ruajtur një paqe gjeopolitike që është në interes të vet Bashkimit Europian.

Prandaj, të gjitha konferencat e organizuara me këtë qëllim, më shumë janë orientuar drejt një zone ekonomike të përbashkët se sa një projekti për integrimin e Ballkanit Perëndimor në bllok.

Edhe për faktin se, kriteret për integrimin e Bashkimit Europian, janë kritere individuale nuk janë kolektive. Në këtë kuptim, duket absurde që të mendosh një integrim si rajon të vetëm.

E megjithatë, përpjekjet e BE-së për të mbajtur gjallë perspektivën Europiane, janë për tu vlerësuar. Është pikërisht kjo perspektivë, e cila ka ndihmuar që kohët e fundit të sheshohen problematikat midis vendeve, edhe pse mbetet ende një rajon problematik në shumë kuptime, për shkak të historisë.

Po të shtosh këtu, edhe momentin jo të favorshëm për zgjerimin e mëtejshëm të BE, atëherë, e gjithë strategjia e BE për të mbajtur Ballkanin Perëndimor të qetë, është e vetmja mënyrë për të siguruar një perspektivë, që me gjasa nuk është e afërt dhe jo njësoj për të gjitha vendet.

Deri më tani, duket qartë se procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor, është një proces i ngadaltë, i sforcuar, dhe ndonjëherë me kosto të larta politike për këto vende. Është një proces i cili është bërë rraskapitës për të gjithë këtë Rajon. Për këtë arsye, padyshim që, përgjegjësia kryesore e takon vet këtyre vendeve, mirëpo, pa lënë mënjanë dhe ato të Bashkimit Europian me politikën e tij të jashtme, ndonjëherë jo bindëse aq sa duhet.

Është pikërisht dilema midis rëndësisë strategjike për Europën e integrimit të Ballkanit perëndimor dhe pamundësisë ekonomike dhe kontekstit politik dhe shoqëror atje, që detyron në një farë mënyrë politikën europiane të operojë nëpërmjet konferencave të përbashkëta për të mbajtur perspektivën gjallë për këtë rajon. Një strategji e cila po mundohet të mbajë bashkuar një rajon konfliktual dhe problematik nëpërmjet krijimit të kushteve të bashkëpunimit ekonomik, por që është larg të qenit një strategji për integrimin e plotë të tyre.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

E djathta ka në qendër të saj jetët dhe bizneset e njerëzve dhe jo shtetin apo qeverinë

“Si të jesh i djathtë” Nga Fitim Zekthi* Debati mbi taksat, mbi...
Read More