Kryesore

INNOPLATFORM dhe nevoja e modelimit të biznesit dhe inovacionit






               Publikuar në : 09:21 - 26/09/18 |
mapo.al

Nga Prof. Dr. Ermira Qosja


Inovacioni qëndron në thelbin e zgjidhjes së sfidave me të cilat sot bota ballafaqohet.  Mjafton të sjellim në vëmendje që Raporti i Indeksit Global të Inovacionit (GII) është i pranuar gjerësisht si një matës shumë i rëndësishëm i rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Ky indeks që në thelbin e vet merret me aspektet shumë-dimensionale të inovacionit ofron një bazë të pasur të dhënash për 126 ekonomi botërore, të cilat po e përdorin GII si një mjet për të përmirësuar performancën e inovacionit, madje duhet thënë po e përdorin në nivele shumë të larta përfaqësuesish të qeverive dhe të aktorëve të tjerë në treg.Duhet të marrim në konsideratë, që kur flitet për inovacionin zakonisht ai lidhet me krijimin e teknologjive të reja që ndihmojnë në zgjerimin e kufijve të asaj cka është sot e mundur, por lidhet gjithashtu dhe me zhvillimin e modeleve të reja të biznesit që e bëjnë botën më eficente dhe më ndërvepruese.  Për këto arsye, sot bëhet e domosdoshme që  drejtuesit e bizneseve  vazhdimisht ta rishpikin, rimendojnë dhe riimagjinojnë atë cka ndodh në mjedisin e tyre të biznesit, të bëjnë  njerëzit së bashku, për të sjellë në tavolinë idetë dhe kreativitetin e tyre më të mirë.

Projekti InnoPlatform – Ofrimi i Mekanizmave dhe Platformave Inovative për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në zonën e Ballkanit Mesdhetar përmes rritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve për inovacion, ku Qendra UET është partner IPA, zbatohet në kuadër të Programit Transnacional Interreg BalkanMed 2014-2020, në përputhje me Aksin 1 të prioritetit – “Sipërmarrje dhe Inovacion”, si dhe të objektivit  më specifik  “Territoret inovative dhe prioritetet e e investimit – duke mbështetur NMV[1] e Ballkanit Mediterran që të rriten në tregun rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të angazhohen në proceset inovative.

Për Ballkanin Mediterran, projekti evidentoi 4 lloje inovatorësh për NMV-të: Inovator në Produkt/Shërbim; Inovator në Proces; Inovator në Organizim dhe Inovator në Marketing dhe mbi këtë bazë, një nga paketat e projektit u fokusua me kërkimin e modelit të inovacionit të NMV-ve në Shqipëri (Rajon) si dhe në identifikimin e nevojave të tyre, kur duhet të implementojnë me sukses inovacionin dhe modelet e biznesit të inovacionit (nën paketen 4.1. të projektit)

Pyetsori online i përpiluar nga partnerët në projekt, u dërgua në 150 NMV shqiptare, përgjigje u morën nga 115 prej tyre dhe më specifikisht: 50  mikrondërmarrje , 41 ndërmarrje të vogla, 24 ndërmarrje të mesme.

E rëndësishme për cilësinë e të dhënave të mbledhura përmes pyetësorit është që personat që e kanë plotësuar njohin mjaft mirë produktet që ndërmarrja e tyre ofron (98.6%), burimet e të ardhurave të saj ( 93,91%) dhe  97,39% e tyre shprehen që janë të përfshirë në zhvillimin e produkteve/proceseve të reja në ndërmarrje.

Kampioni i marrë në studim i NMV-ve paraqet disa veçori,  kështu:  përsa i përket fazës së zhvillimit –  5.2% e ndërmarrjeve janë start-ups, 51.3% janë në fazë rritje, 39.1% janë në fazë maturimi dhe 4.4%  janë në fazë rënie; 67,83% e tyre janë biznes familjar; 43,48% janë në pronësi apo drejtohen nga një grua, 16,52% i përkasin një grupi ndërmarrjesh, me seli në Shqipëri, Gjermani, Spanjë, Britani e Madhe dhe Izrael.

Inovacioni i NMV-ve në 12 muajt e fundit 

Përpunimi i të dhënave të mbledhura përmes pyetsorit online, për 12 muajt e fundit të aktivitetit të NMV-ve pjesë e kampionit të studimit, tregoi që:

o           Referuar inovacionit të produktit/shërbimit  rezulton që mesatarisht 71 % e NMV-ve të kenë aplikuar disa forma të këtij inovacioni,  Shqipëria paraqitet mbi mesataren rajonale (Shqipëri, Greqi, Maqedoni, Qipro dhe Bullgari). Ndërmarrjet shqiptare bëjnë në masën 78% inovacion produkti dhe 57% inovacion shërbimi, gjithashtu vlen të theksohet që mikrondërmarrjet paraqesin një vlerë më të lartë të inovacionit në produk/shërbim se gjithë kampioni. Në 61% të ndërmarrjeve inovacioni produkt/shërbim është i ri në treg; në 45% prej tyre produkt/shërbim i ri në ndërmarrje dhe 29% prej tyre përgjigjën për të dyja llojet e inovacionit.

o           Referuar inovacionit në procese, 71 % e NMV-ve shqiptare kanë realizuar procese inovative duke qëndruar dukshëm mbi mesataren rajonale (57%); 70% e tyre kanë futur proces inovativ në lidhje me produktin; 80% proces inovativ të lidhur me aktivitetet mbështetëse dhe rreth 70% e ndërmarrjeve të kampionit metoda të reja në distribucion;

o           Referuar inovacionit organizativ, 68%  e NMV-ve kanë futur disa forma të inovacionit  në organizim, duke qëndruar dhe për këtë tregues mbi mesataren rajonale (52%). Nga tre llojet e inovacionit organizativ, praktika të reja në biznes, organizim i vendit të punës dhe furnitorë të rinj ndërmarrjet e kampionit të studimit duket i kushtojnë më shumë vëmendje inovacionit që ka të bëjë me organizimin e vendit të punës (81%).Në lidhje me inovacionin në marketing, 57 % kanë futur disa forma, por ajo çka evidentohet është se mes katër formave: dizajn i ri i paketimit, promocion i ri i produktit,  pozicionim i ri i produktit  dhe metoda të reja të vendosjes çmimit, me e aplikueshme është pozicionim i ri i produktit. Duhet theksuar se ka një dominancë të lehtë të bizneseve që i përkasin apo drejtohen nga gratë në inovacionin në marketing.

Modeli Inovator i Biznesit konsideroren të gjitha ato ndërmarrje që kanë patur të paktën një nga katër llojet inovacionit  (produkt, proces, organizativ dhe marketing) që në rezultat sjell ndryshime të tre komponentëve: krijimit të vlerës, sistemit të biznesit dhe gjenerimit të të ardhurave.Ashtu siç mund të jenë dhe pritshmëritë tona, rezulton që Shqipëria paraqet një model inovacioni në biznes  që përdor të gjitha llojet e inovacioneve, por me një frekuencë të vogël në hyrje (81%). Në lidhje me proceset, ky model fokusohet vetëm në aktivitet e suportit, në marketing fokusohet në pozicionimin në kanale të reja të produkteve,  në organizim inovacioni fokusohet kryesisht me inovacionin në organizimin e punës. Në përgjithësi, NMV-të me këtë model orientohen drejt futjes së produkteve/shërbimeve të reja dhe aktiviteteve mbështetëse për të bërë sukses.Modeli i dytë, NMV-të me focus të fortë në inovacionin e shërbimeve dhe ndryshimin e modelit të të ardhurave, shoqëruar më inovacion në çmimit të produkteve, përbëjnë vetëm 10% të kampionit të studimit. Modeli i tretë, NMV-të me aktivitetin më të lartë të inovacionit (rreth 9% e kampionit), karakterizohen nga një fokus në futjen e më shumë produkteve të reja sesa shërbimeve. Optimizimi i metodave të prodhimit është më se i zakonshëm, po aq sa dhe optimizimi i organizimit të brendshëm dhe rregullimeve të ofertës. Dizajn i ri, pozicionimi në kanale të reja dhe inovacioni i promocionit të produkteve luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm. Megjithë ndryshimet radikale, modeli i të ardhurave mbetet i pandryshushëm.

Disa karakteristika të inovacionit në NMV-të shqiptare

Process i mirë planifikimi, vendosje objektivash, plane funksionale solide, përdorimi standarteve;

Përdorim i pakët i instrumentave të modelimit të biznesit;

Orientuar nga futja e produkteve/shërbimeve të reja

Metoda vendimarrje strategjike nga lart-poshtë për futjen e inovacionit

Përdorimi i burimeve financiare të ndërmarrjes për financimin e inovacionit dhe më pak burimeve të tjera, fondeve të BE, etj

Kulturë pro inovacionit

[1] NMV – Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

 


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas