Ja çfarë mund të gjejë një student në UET

Zgjedhja e një universiteti me emër të mirë, e një dege që të ofron në të ardhmen siguri në tregun e punës, programe që të përgatisin me seriozitet në profesion… janë çdo vit dilemat e të rinjve që ndodhen përpara dyerve të arsimit të lartë. Të shkojnë pas traditës familjare? Të realizojnë pasionet? Sa lehtë do të përshtaten zgjedhjet e tyre me tregun e punës?

Në dekadën e tij të dytë, UET është shndërruar në universitet polivalent, me mundësi të shumta zgjedhjeje dhe hapësirë për t’u zhvilluar si në aspektin profesional ashtu edhe personal. Një universitet i madh në të cilin ka vend për zgjidhjen e të gjitha këtyre dilemave…

Nga themelimi në 2006, UET nuk ka reshtur përpjekjet për refomimin, strukturimin dhe kompletimin e tij, proceseve dhe iniciativave të cilat sigurojnë diplomimin me cilësi sa më të lartë të studentëve. Tashmë ky universitet ofron një game të gjerë degësh, në pesë Fakultete të tij.
Që nga Artet Pamore, Shkencat Politike, Linguistika, Menaxhimi, Turizmi, Arkitektura, Inxhinieria Informatike, Industriale etj., mundësitë janë të shumta. Çfarë mund të gjejë një student në UET?!
Plot 75 programe studimi, 125 profile dhe 750 lëndë. Diploma të integruara, si dhe pesë Diploma Profesionale dyvjeçare. Të gjitha këto në kuadër të një kuadër të zhvillimit krah për krah me ndryshimet e kohës. Shtuar kësaj faktin se Universitetit Europian i Tiranës, është i njohur për cilësinë që ofron, falë stafit akademik shumë të përgatitur, kurrikulave të përzgjedhura me kujdes, infrastrukturës dhe jetës së “gjallë” studentore dhe mundësive që ofron për integrim të suksesshëm në tregun e punës.

Pedagogët e UET mund të quhen realisht më të mirët. Kjo sepse me botimet, CV-të, kontaktet, dhe eksperiencën e tyre sjellin në universitet një traditë më shumë se 40-vjeçare të edukimit të lartë në Shqipëri. Ata sjellin eksperiencën e botës akademike perëndimore, ku kanë përfunduar doktoraturën, kanë bërë post-doktoraturën, kanë dhënë mësim apo kanë marrë pjesë në eksperienca të ndryshme.

Në një pozicion gjeografik shumë të favorshëm dhe me ambiente të krijuara posaçërisht për të lehtësuar procesin mësimor, UET shndërrohet në një universitet me mundësi për të gjithë.
Kampusi i UET shtrihet në një hapësirë prej 12,000 m2 sipërfaqe. Ai përfshin auditorë modernë, laboratorë, bibliotekën, ambientet e shërbimeve të ndryshme si fotokopja, salla e internetit, bar-restoranti, parkingu dhe lulishtja. Biblioteka është pikërisht një nga mjediset më të preferuara për studentët brenda kampusit të universitetit. Ajo është krijuar në të njëjtën kohë me universitetin. Synimi i UET përmes kësaj biblioteke, është krijimi i një qendre bazë për ofrimin e informacionit shkencor dhe jo vetëm, për t’i ardhur në ndihmë stafit akademik dhe studentëve të tij. Vazhdimisht kjo bibliotekë pasurohet me literaturë bashkëkohore në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaj, përmes blerjeve, abonimeve, donacione nga individë, organizata të ndryshme, fondacione e projekte të ndryshme.

Përfitimi i dijes është objektivi primar i një studenti dhe në UET ky qëllim arrihet jo vetëm nëpërmjet leksioneve dhe seminareve. Kushdo që ka studiuar apo studion në Universitetin Europian të Tiranës, e di se një nga pikat më të forta të këtij institucioni është jeta studentore që e karakterizon atë, dinamike dhe tërheqëse, me mundësi të shumta ku të gjithë mund ta gjejnë veten më së miri.
Leksionet e hapura, aktivitetet jashtë ambienteve të universitetit, konkurset, organizimet studentore, këta janë vetëm disa nga faktorët që e pasurojnë eksperiencën të studiuarit në UET.

Klubet studentore në UET janë një strukturë shumë e rëndësishme që përbën jetën studentore. Këto organizime iu mundësojnë studentëve të quhen studentë në kuptimin e plotë të fjalës, jo vetëm në aspektin akademik. Ato u mundësojnë atyre një hapësirë ndryshe ku mund të përfitojnë një orientim në karrierë si edhe fitimin apo përforcimin e aftësive ndërpersonale dhe një jetë sociale më aktive. Në filozofinë e UET studentët inkurajohen të japin idetë e tyre dhe të jenë kreativë ndaj klubet janë hapësira e ndërtuar posaçërisht që ata të jenë kreativë dhe të vënë në praktikë idetë e tyre.
Qeveria Studentore, e zgjedhur në mënyrë demokratike nga vetë studentët çdo vit dhe është organi që përfaqëson interesat e studentëve. Pjesëmarrja e studentëve në qeverisjen e UET është realizuar nëpërmjet përfshirjes së përfaqësuesve të tyre në strukturat drejtuese.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i jetës studentore është pjesëmarrja në aktivitetet e shumta që UET organizon. Leksionet e hapura, intervistat me personazhe publike, aktivitete të profileve të ndryshme, janë vlerë e shtuar për studentët, të cilët në këtë mënyrë mund të zhvillohen jo vetëm në aspektin akademik por edhe atë ndërpersonal.

Shumë prej studentëve të Universitetit Europian të Tiranës kanë qenë ndër vite përfitues të skemës së shkëmbit studentor Erasmus+, pjesë e së cilës ky universitet është që prej vitit 2014. UET është institucion i arsimit të lartë, i përkushtuar në ndërkombëtarizimin e programeve të studimit, proceseve akademike dhe zhvillimit të stafit dhe kërkimit përmes mundësive që ofron ndërkombëtarizimi. UET synon të bëhet një qendër e rëndësishme kombëtare dhe rajonale sa i takon bashkëpunimit universitar, shkëmbimeve me karakter kërkimor shkencor dhe debatin e ideve që promovojnë vlerat akademike dhe ato të qytetarisë europiane. Objektivi është ofrimi i diplomave të përbashkëta me universitete prestigjioze europiane, me të cilat është ndërtuar partneritet në kuadrin e programeve të përbashkëta të studimit.

Nëpërmjet zyrës së bashkëpunimit ndërkombëtar UET ka arritur një bashkëpunim të frytshëm me universitete partnere prestigjioze, si: Stockholm Business School në Suedi; Lappeenranta University of Technology në Finlandë; The Hague University of Applied Sciences në Holandë; Humboldt University dhe Hochschule Ludwigshafen në Gjermani; NOVA University of Lisbon në Portugali, Universiteti i Salzburgut në Austri; Universiteti i Bolonjës dhe Universiteti La Sapienza i Romës në Itali; Universiteti Etvos Lorand në Hungari etj.

Të gjithë mund të bëhen pjesë e UET, pasi në këtë universitet ekziston prej kohësh një sistem bursash i konsoliduar. Vetëm për këtë vit akademik studentët do të mund të përfitojnë 500 bursa në total. Një numër i madh bursash, për të cilat buxheti kap një vlerë prej 750 mijë Euro.
Kategoritë e tyre janë të ndryshme, që nga bursat e ekselencës, bursat e talentit, bursat “Pashko”, gjysmë bursa, bursa lidershipi dhe bursa sociale.
Vëmendje të veçantë këtë vit marrin degët e humaniteteve të sapohapura në UET të cilave u dedikohet një kontingjent i caktuar bursash. Ata që dëshirojnë të vijojnë studimet e tyre në të tilla degë do të mund të përfitojnë bursë, bazuar në kriteret përkatëse.
Qëllimi i kësaj politike është pikërisht integrimi dhe dhënia e mundësive për studim të gjithë individëve.

UET është aktiv në hapësirën shoqërore mbarëshqiptare dhe atë ndërkombëtare, në botën e ideve, nismave inovatore dhe zhvilluese, botimeve akademike dhe shkencore, projekteve dhe lidhjeve të ngushta me aktorët kryesorë të tregut të punës.

Një nga iniciativat kryesore që UET ndërmerr për të ndihmuar studentët e tij të bëhen pjesë e tregut të punës në mënyrë të suksesshme është edhe programi 250+, i cili përfshin 250 kompanitë më të mëdha në vend sipas klasifikimit zyrtar dhe është një projekt i gjerë bashkëpunimi 5 vjeçar në aspekte të ndryshme. Mbi 90% e studentëve dhe të diplomuarve të UET janë të punësuar dhe ndër më të kërkuarit në tregun e punës. Ata vazhdojnë të jenë pjesë e këtij universiteti edhe pas përfundimit të studimeve të tyre, duke qenë pjesë e Bordit të Punës, ose shoqatës ALUMNI.

Në Universitetin Europian të Tiranës, një student mund të gjejë gjithçka i nevojitet për të qenë një profesionist i suksesshëm dhe një individ i mirëformuar. Ekselenca akademike dhe kërkimi shkencor, infrastruktura moderne dhe jeta studentore e larmishme e bëjnë UET universitetin e duhur për të mësuar, jetuar dhe krijuar një të ardhme të shkëlqyer.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kapitalizmi është human, rasti i themeluesit të “Alibaba” dhe të ngjashmëve të tij

Nga Ervis Iljazaj Jack Ma, do të japë dorëheqjen si kryetar ekzekutiv...
Read More