Kanceri i gjirit: Kontrolli, pas Tiranës, mamografi falas në 10 qytete 

Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, por kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja. 

Çdo grua ka akses për të marrë shërbimin e mamografisë, kudo ku ajo jeton. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka lajmëruar se ku do të jenë mamografët e lëvizshëm gjatë muajit tetor, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Shërbimi garantohet afër vendbanimit, nëpërmjet programit tashmë të konsoliduar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Institutit të Shëndetit Publik, të mamografëve të lëvizshëm, ku vetëm gjatë këtij viti janë realizuar 4073 ekzaminime. Shërbimi i mamografisë ofrohet gjithashtu në spitalet rajonale. Përpos Tiranës dhe spitaleve rajonale të Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Beratit dhe Korçës, këtë vit shërbimi është ofruar për herë të parë edhe në spitalet e Kukësit, Dibrës dhe Gjirokastrës.

Kontrollet që zbulojnë sëmundjen

Së pari, vetëkontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet 1 herë në muaj që nga mosha 20 vjeç. Periudha më e përshtatshme është disa ditë mbas menstruacioneve. Mjaft raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë. Një femër duhet ta kthejë në zakon kontrollin mujor të gjirit.

Ekzaminim klinik i gjinjve rekomandohet të bëhet 1 herë në vit ose së paku çdo 2 vjet.

Mamografia kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme. Mamografia mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte më e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë apo të dhimbshëm si p.sh. 3-4 ditë mbas menstruacioneve.

Rezultati i mamografisë zakonisht merret mbas disa javësh. Për gratë që kanë kryer mamografi më parë, këshillohet të kenë filmat e tyre me vete për t’i lejuar mjekut të bëjë krahasimin.

Nëse mamografia është normale, duhet vazhduar bërja e saj sipas intervaleve kohore të rekomanduara. Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë, madje edhe nga një mamografi te tjetra, prandaj mamografia duhet bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm një herë.

Nëse mamografia është e parregullt nuk do të thotë gjithmonë se ka kancer. Për këtë duhet të bëhen teste shtesë dhe kontrolli nga një specialist i gjirit apo një kirurg.

Eko rekomandohet për ato femra që kanë gji të dendur, kanë dëmtim që nuk interpretohet qartë me anë të mamografisë, kanë mbushje të gjirit me silikon dhe vetëm pak ind mund të përfshihet në mamografi, si dhe ato që nuk mund të ekspozohen ndaj rrezeve x (shtatzëna).

Trajtimi

Kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuajse tërësisht i trajtueshëm. Kanceri i gjirit trajtohet në disa mënyra, si: ndërhyrjet kirurgjike, kimioterapia, terapia hormonale, terapia me rrezatim. Mënyra e trajtimit varet nga lloji i kancerit të gjirit dhe se sa është i përhapur ai. Njerëzve me kancer të gjirit shpesh iu duhet të marrin më shumë se një lloj të trajtimi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Protrumpizmi nuk është automatikisht proamerikanizëm

Nga Ervis Iljazaj Opozita shqiptare ka kërkuar aprovimin e një rezolute parlamentare...
Read More