Kapitalizmi është human, rasti i themeluesit të “Alibaba” dhe të ngjashmëve të tij

Nga Ervis Iljazaj

Jack Ma, do të japë dorëheqjen si kryetar ekzekutiv i kompanisë “Alibaba”, e cila është një nga kompanitë më të mëdha të internetit në botë ku shiten produkte. Me një vlerë tregu prej më shumë se 400 miliardë dollarë, ai përfshin shitjen online dhe prodhimin e filmave.

Jack Ma është padyshim një nga menaxherët dhe kapitalistët më brilant të ditëve të sotme. Më shumë se kaq, një nga personazhet më interesant që mund të dëgjohet për ekonominë, financat apo për çështje të ndryshme, që ekzistojnë në ditët e sotme.

Pas largimit nga drejtimi i kompanisë, Jack Ma do të fokusohet kryesisht në aktivitetin e tij të bamirësisë. Aktivitet të cilin e ka zhvilluar edhe gjatë kësaj kohe për të ndihmuar shumë njerëz në nevojë anembanë botës.

Në fakt, ky nuk është rasti i parë që një person shumë i pasur merret me filantropi. Mjafton të përmendim njeriun më të pasur, Bill Gates dhe shumë të ngjashmëve të tij, që një pjesë të jetës së tyre, përtej aktivitetit financiar, ia kushtojnë bamirësisë. Në këtë mënyrë, kapitalizmi tregon anë tjetër të medaljes së tij, atë të humanizmit dhe solidaritetit.

Në ditët e sotme, pothuajse të gjitha kompanitë e mëdha kanë brenda organikës së tyre sektorin e përgjegjësisë sociale, e cila merret dhe investon për të gjitha nevojat shoqërore, përtej aspektit të fitimprurjes. E gjitha kjo, si një mënyrë për t’i kthyer mbrapsht shoqërisë, atë që kapitali i merr.

Në të vërtetë, kapitalizmi dhe tregu i lirë, është i vetmi sistem që ka luksin të jetë human dhe solidar. Për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse është i vetmi sistemi ekonomik që prodhon mirëqenie, dhe si pasojë, shpërndarje. Në formën e prodhimit dhe krijimit të vendeve të punës, apo në formën e dhurimit.

Të gjitha format e tjera, si socializmi, etatizmi dhe komunizmi, që e bazojnë ideologjinë e tyre në vëllazëri, solidaritet apo në drejtësinë sociale, e kanë të pamundur një mision të tillë për dy arsye kryesore.

E para, sepse nuk arrijnë të prodhojnë, dhe si pasojë nuk mund të shpërndajnë. Historikisht, të gjitha sistemet ekonomike të ndryshme nga kapitalizmi kanë dështuar. E dyta, sisteme të tilla, me pretekstin e humanizmit, shtypin liritë individuale për të krijuar sa më shumë pushtet në favor të shtetit. Në këtë kuptim, krijojnë humanizëm nëpërmjet “terrorit” shtetëror.

Për këto arsye, aq më tepër në perceptimin e opinionit publik shqiptar, duhet ndryshuar tërësisht këndvështrimi. Shoqëria shqiptare është ende në pritje të mrekullisë që shteti do të krijojë, atë të lumturisë të përjetshme për të gjithë. Një lumturi, e cila nuk do të arrijë kurrë.

Sepse është krijuar ideja se kapitalizmi, i bazuar në konkurrencë, në garën midis aftësive, ambicieve, ideve, për të krijuar mirëqenie dhe të mira materiale, transformon njeriun, duke e kthyer në një lloj “përbindëshi” për të ngjashmit e tij. Në këtë kuptim liberalizmi dhe tregu i lirë shihet si një lloj armiku i humanizmit dhe solidaritetit, dhe gjen gjithmonë e më shumë vështirësi për t’u instaluar njëherë e mirë në shoqërinë shqiptare. Ndoshta, kjo është një mendësi e cila trashëgohet nga regjimi i kaluar komunist. Por, që është një mendësi që manifestohet masivisht publikisht dhe jo, në media apo biseda informale, duke penguar vendosjen e kapitalizmit në shoqërinë shqiptare si e vetmja zgjidhja për të patur një të ardhme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rreziku i frymës bolshevike kundër biznesit dhe ekonomisë së tregut

Nga Ervis Iljazaj Protesta dhe klima e tensionuar që është krijuar si...
Read More