“Keni 28 minuta kohë”: Gjenerali që ‘çliroi’ Kosovën

OBITUARY

Më 15 shtator, mediat gjermane lajmëruan vdekjen e gjeneralit të brigadës, Helmut Harff. Ky i fundit është një emër i njohur dhe i dashur jo vetëm për gjermanët, por edhe për shqiptarët. Ai ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare.

Në qershor të vitit 1999, Harff udhëhoqi trupat gjermane, që u futën në Kosovën e çliruar nga pushtimi serb. Sidomos i famshëm është momenti i përplasjes së Harff me komandantët serbë, që refuzonin të linin Kosovën.

Ishte fillimi i qershorit të vitit 1999. Kosova ishte çliruar por trupat serbe ishin akoma në qytet. Phil Davison raportonte për ‘The Independent’ situatën e tensionuar në Prizren.

“Në një moment, një togë ushtarake serbe u zhvendos në një kryqëzim në Prizren, ndërsa futeshin nëpër shtëpi duke kërcënuar banorët shqiptarët: “Do kthehemi dhe do u vrasim”.”

Por pikërisht atë ditë, gjenerali Harff kishte fluturuar me një helikopter nga Shqipëria drejt Kosovës, duke u vendosur pas trupave serbe.

Kolonelët serbë Bozidar Deliç dhe Feher Jozef u takuan me të.

“Refugjatët kosovarë po tentojnë që të hyjnë dhe ne kemi vendosur një postbllok”, i thanë ata.

“Ky është një vend i lirë”, u përgjigj gjenerali gjerman brutalisht. “Nëse refugjatët duan të vijnë, ushtarët gjermanë nuk do i ndalin”.

“Por jo tani”, replikoi koloneli Jozef.

Gjenerali Harff nuk hezitoi: “Kjo nuk është një forcë policore kufitare. Ju jeni ushtria jugosllave dhe duhet të largoheni menjëherë. Pa asnjë diskutim. Sa minuta ju duhen që të largoheni?”.

Ishte kolonel Deliç që replikoi: “Gjashtë orë”.

“Kjo nuk është e mundur. Keni 30 minuta” , -tha gjenerali gjerman.

“Por na duhet një dokument për municionin që po lëmë pas” , -tha koloneli Jozef.

“Dokumentet do të bëhen në Prizren. Ky është një urdhër” , -tha gjenerali. “Koha po ecën. Ju kanë mbetur 28 minuta. Fundi i diskutimit”.

Oficerët serbë dhanë urdhër dhe 70 ushtarë serbë të rinj dolën nga një rrugë pas kodrës, ndërsa në duar mbanin armët e tyre snajper. Shumica ishin adoleshentë dhe të lodhur.

Pas vdekjes së Harff, gazetari i njohur kosovar, Enver Robelli publikoi një shkrim.

Sipas Robellit, vite më vonë gjenerali Harff ia shpjegoi kështu skenën revistës gjermane “Stern”: “Ishim marrë vesh që serbët të largoheshin, për t’u mundësuar trupave gjermane hyrjen në Kosovë. Kur aterrova aty me helikopter, komandantëve serbë as që u shkonte mendja të largoheshin. Nëse në këso situatash ia filloni të negocioni, atëherë keni humbur”.

I pyetur se si do të sillej po të mos merrej seriozisht kërkesa e tij nga serbët, Harff u përgjigj: “Nëse keni qenë 40 vjet ushtar, ju keni një refleks të mirë, edhe për palën tjetër. E dija se ata (serbët) vetëm po përpiqeshin të krekoseshin, por në fakt u kishte hyrë frika në bark. Nga momenti kur ka filluar hyrja e KFOR-it, ushtarët serbë kishin vetëm një hall: si të kthehemi të padëmtuar në shtëpi?”.

Në këtë intervistë të dhënë në vitin 2001 Harff tregonte se së shpejti do të vizitonte Kosovën, Bosnjën, Kroacinë, Malin e Zi: “Serbinë do ta lë anash. Besoj se atje jam person i padëshirueshëm”.

Harff kishte thënë se lufta e Kosovës nuk ishte e përgatitur si duhet politikisht nga Perëndimi. Ai kritikonte sidomos deklaratat e politikanëve perëndimorë se nuk do të ketë ndërhyrje tokësore në Kosovë.

Harff ishte parashutist dhe kjo shihej nga figura e tij.

Shokët e tij ushtarë dhe oficerë e quanin “gjeraqinë”. Përveçse në Kosovë, Harff kishte shërbyer më herët si komandant i brigadës së parashutistëve gjermanë në Misionin e OKB-së UNOSOM II në Somali.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për Ramën, Berishën e Metën po vjen fundi i turpshëm

Nga Spartak Ngjela Kriza e rëndë financiare e Turqisë ka mërzitur korrupsionin...
Read More