Këshilla: Si mbahet nën kontroll diabeti tip 2

Aktiviteti fizik ndihmon në përmirësimin e glicemisë, tensionit arterial, yndyrave dhe përmirëson funksionin e zemrës dhe enëve të gjakut. Këshillohet ecje me hap të shpejtë për 30 minuta të paktën 3 herë në javë

Diabeti tip 2 është rrjedhojë e mënyrës jo të shëndetshme të jetës. Njerëzit kanë ndryshuar mënyrën e jetesës në një jetë pa shumë aktivitet fizik dhe ushqehen me ushqime me kalorazh të lartë dhe me shumë yndyra, ndaj mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme, obeziteti janë ndër faktorët kryesorë shpërthyes të sëmundjes së diabetit.

Rreziku

Diabeti mund të prekë çdo njeri. Në diabetin tip 2, shenjat e tij mund të jenë më të zbehta apo edhe mund të mungojnë për shumë vjet. Por faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë trashëgimia apo personat me familjarë me diabet janë më të predispozuar apo kanë mundësi për t’u bërë me diabet më shumë se të tjerët dhe kjo varet nga mënyra e tyre e jetesës, moshat mbi 45 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme, tensioni i lartë i gjakut, konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri, gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme, personat që bëjnë infeksione të shpeshta, gratë me mukoza të vazhdueshme gjenitale etj.

Shenjat

Shenjat e diabetit janë etje e shtuar, pra pirje uji në sasi të madhe, urinim i shpeshtë dhe në sasi të madhe ditën dhe natën, tharje goje, shtim oreksi, por që shoqërohet me humbje peshe, lodhje më tepër se zakonisht, dhimbje stomaku, shikim i mjegullt, mungesë e theksuar përqendrimi, mpirje e duarve ose e këmbëve, plagë të ndryshme që mezi mbyllen, infeksione të ndryshme. Nuk duhet harruar asnjëherë se në shumicën e rasteve, diabeti tip 2 mund të mos shfaqë fare shenja, mund të rrijë i heshtur për vite me radhë, dhe vetëm kur sëmundja e diabetit ka përparuar, shfaqen një sërë shenjash klinike, të cilat janë tipike dhe lehtësojnë shumë zbulimin dhe diagnozën e saj.

Kontrolli

Aktiviteti fizik ndihmon në përmirësimin e glicemisë, tensionit arterial, yndyrave dhe përmirëson funksionin e zemrës dhe enëve të gjakut. Këshillohet ecje me hap të shpejtë për 30 minuta të paktën 3 herë në javë. Nëse dëshironi ecjen mund ta zëvendësoni me një nga këto aktivitete: not, biçikletë, aerobi, kërcim. Para se të filloni aktivitetin fizik këshillohuni pranë mjekut të familjes për të zgjedhur së bashku aktivitetin më të përshtatshëm për ju. Këshillohet të përdoren veshje të përshtatshme, atlete të rehatshme e të buta, çorape pambuku, bluza që lejojnë ajrosjen, gjatë verës shmangni oraret shumë të nxehta dhe merrni masa për t’u mbrojtur nga dielli. Të konsumohet ujë vazhdimisht, para, gjatë dhe pas aktivitetit. Në fillim dhe përfundim të aktivitetit bëni 5-10 minuta tërheqje të muskujve.

Mbani gjithmonë me vete sheqer ose karamele në rast rënieje të papritur të sheqerit. Të evitohet bërja e insulinës në pjesën e këmbëve dhe krahëve, menjëherë para aktivitetit fizik. Këshillohet të kryhet matja e glicemisë para dhe pas aktivitetit fizik. Nëse glicemia është < 150 mg/dl këshillohet të merret pak ushqim 30 minuta para aktivitetit (një kos ose një frutë ose 1 fetë buke). Kujtohuni sa orë në ditë qëndroni ulur, këshillohet që për çdo 30 minuta qëndrimi ulur (p.sh duke parë një film ose para kompjuterit ) të bëhet 3 minuta lëvizje. Këshillat vlejnë edhe për pjesëtarë të tjerë të familjes, lëvizja është e shëndetshme edhe për ta.

Ushqimi

-Dietë, ushqehuni në mënyrë të shëndetshme. Këshillohet konsumimi i vakteve në mënyrë të rregullt ( 3 vakte kryesore + 2 nën vakte). Vaktet duhet të jenë të lehta, shmangni mbingopjen.

-Për të patur një dietë të ekuilibruar, në vaktet kryesore pjata duhet të ndahet; së pari, gjysma e pjatës perime, zarzavate dhe sallata; së dyti, çerek pjate proteinë (mish, peshk, djathë, vezë).

-3 çerek pjate karbohidrate (oriz, makarona, bukë, patate, bizele, misër).

-Këshillohet të konsumohen 3 fruta në ditë, kujdes nga fiku, banania dhe rrushi pasi përmbajnë shumë sheqer.

-Shmangni përdorimin e produkteve me shumë sheqer (ëmbëlsirave, çokollatave, mjaltit, reçelit).

-Shmangni pijet alkoolike, pijet me gaz dhe pijet e ëmbla.

-Të eliminohet përdorimi i duhanit.

-Të shmangen gatimet e skuqura, sallamrat, mishi me yndyrë, kujdes me përdorimin e vajit, maksimumi 3 lugë të vogla vaj ulliri në vakt.

-Kujdes me përdorimin e kripës, maksimumi një lugë e vogël kripe në ditë.

-Kujtohuni të pini ujë, 1.5–2 litra në ditë.

-Ndiqni këshillat e mësipërme dhe respektoni trupin tuaj duke i dhënë ushqimet për të cilat ka nevojë.

-Këshillat e mësipërme janë të vlefshme jo vetëm për ju por për të gjithë familjen tuaj. Ndihmojeni atë të ushqehet shëndetshëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pas 20 vitesh, Republika do të ketë përsëri një President të fortë

Nga Ervis Iljazaj Që nga koha kur President ka qenë Sali Berisha,...
Read More