Konkurrenca negative e liderëve shqiptarë në raport me të tjerët

Si e shpjegon termi “konkurrencë negative” sjelljen e liderëve shqiptarë në raport me të tjerët – Serbinë dhe faktorët ndërkombëtarë?

Para më shumë se dymbëdhjetë vjetësh, kam përdor për herë të parë termin “konkurrencë negative”, në përpjekje për të elaboruar sjelljet e liderëve vendimmarrës kosovarë, në negociatat e tyre me faktorët vendimmarrës ndërkombëtarë dhe me Serbinë. Prandaj nuk isha ndalë shumë për të shpjeguar pasojat (fatale) të sjelljeve të politikanëve kosovarë të angazhuem në “konkurrencë negative”, por vetëm në një sqarim sipërfaqësor të këtij termi. Ky tekst në vazhdim ka për qëllim ta plotësojë atë boshllëk.

Konkurrenca, si term i referohet tregut. Jo vetëm tregut ekonomik në një kuptim të ngushtë, por edhe të ideve dhe shumë aspekteve tjera, të cilat lidhen me shumësinë e alternativave. Konkurrenca rëndom nënkupton edhe sufiksin “pozitive” – “konkurrencë pozitive”, sepse konkurrenca nënkupton garë, në të cilën njerëzit ngarendin për të arritur të parët, për të prodhue kualitativisht, apo për t’u renditur sa më lartë. Virtyt i natyrshëm njerëzor mund të argumentohet. Nuk ekziston askund prandaj sufiksi “negative” – apo “konkurrenca negative”, është jashtë natyrës së konkurrencës si garë pozitive!

Por, a është krejt kështu në fakt?

Ju paralajmëroj që kuptimi më i afërt i termit konkurrencë negative është termi ynë popullor “ulje e pazarit”, dhe me këtë po hyj drejt e në temë.

Kisha vënë re, që bashkëbiseduesit shqiptarë, kryesisht kosovarë, në takimet e tyre, qofshin të niveleve të larta, apo ato më të ulëta, në bashkëbisedime me të “huajt”, flitnin nga nivele inferiore, gjë e cila automatikisht i vinte ata në pozita më të dobëta në biseda. Fuqia dhe autoriteti që ti i jep vetes, determinon pozitën tuaj në bisedime me të tjerët. Por e kundërta ndodhte si fenomen që gjente shprehje në fusha të gjera në tërë Kosovën, në çdo nivel bisede nga një bashkëbisedues kosovar me një ndërkombëtar.

Natyrisht, duhet të jemi objektivë dhe të pranojmë faktin se të qenunit i varfër dhe varësia juaj nga një shef ndërkombëtar apo çfarëdo nacionaliteti, qoftë ai punëdhënës, do t’ju vërë në pozitë inferiore në raport me të, por ky raport forcash nuk duhet të gjejë shprehje në çdo nivel bashkëbisedimi. Sidomos jo në nivelet e bashkëbiseduesve qeveritarë, të cilët janë të zgjedhur për të kryer punë të nivelit profesional, i cili vjen me të drejta specifike por edhe detyrime. Prandaj, as në rastin e qeveritarëve kosovarë kjo nuk mund të ketë përjashtim! D.m.th. politikanët, liderët, vendimmarrësit kosovarë, në raport me të huajt dhe serbët, nuk kanë arritur të krijojnë atë vetërespekt, që të jenë në gjendje të bisedojnë me bashkëbiseduesit në nivele të barabarta.

Cilat janë shkaqet?

Janë të shumta shkaqet, duke filluar nga niveli i edukimit, niveli kulturor individual, por edhe i përgjithshëm, niveli profesional, niveli etik e moral, pavarësia profesionale etj. Në rastin e vendimmarrësve kosovarë në shumë raste, shumë nga këta faktorë kanë qenë konstitutivë, andaj, rrjedhimisht, si bashkëbisedues jo edhe të denjë të përfaqësojnë interesa të nivelit kombëtar, në takimet si ato për status të Kosovës apo takime tjera me karakter qeveritar. Varësia e madhe nga të tjerët, e kjo tepër shpesh është rezultat edhe i përtacisë, ka degjeneruar vendimmarrësit kosovarë deri në nivelet që, në përpjekje për të siguruar pozitat e veta te vartësit ndërkombëtarë, apo punëdhënësit e tjerë, janë angazhuar në konkurrencë negative, duke i ulur kërkesat e veta, qofshin ato në nivele profesionale, të biznesit apo ato të niveleve qeveritare.

Njerëzit e këtillë, të cilët në Kosovë rezulton të jenë shumë, rëndom janë të llojit që dëshirojnë vëmendje në publik, por nuk kanë sens të sinqertë për shërbim publik – lexo shërbim kombit. Të këtillët janë egoistë, jokompetentë, arrogantë, mendjemëdhenjë, të komprometuar, servilë; kanë mungesë atdhedashurie, sepse atë e zëvendësojnë me “inteligjencën” e tyre për mbijetesë. I gjithë kapaciteti i tyre përmblidhet në zhdërvjelltësinë e tyre për të mbijetuar në pozitat e pamerituara, apo për t’i arritur ato. Ata nuk kanë guxim për ndërmarrje origjinale, nuk kanë ide autentike, janë vjedhës të ideve të të tjerëve, janë plagjiatorë. Andaj, ata e ulin pazarin e kauzës kombëtare për të ruajtur pozitën e vet (të varësisë).

E keqja pastaj nuk ndalet aty. Individi tjetër apo grupi tjetër në rast të konkurrencës, vjen te punëdhënësi apo bashkëbiseduesi (ndërkombëtar) me kërkesa edhe më të ulëta se pararendësi apo pararendësit, dhe kësisoj, ata janë vënë në një garë se cili/cilët do të kenë kërkesa më të pranueshme te bashkëbiseduesit/punëdhënësit (shembull tipik janë forcat politike). Kësisoj, këta kanë ndërtue një kulturë të përgjithshme sistemore, që shtrihet pothuajse në të gjitha segmentet e shoqërisë dhe të vendit.

“Konkurrenca negative” në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe Serbinë?

Shumica e lidershipit kosovar që e ka përfaqësuar vendin në këto njëzet vite, janë të këtij lloji. Ata, nuk e kanë përfaqësuar vendin në mënyrë të merituar. Ata e kanë ulur pazarin e vendit. Rasti i Pakos së Ahtisarit, në të cilën ishte mbjellë molla e sherrit, është një rast eklatant. Kam qenë vetë dëshmitar i këtyre situatave. S’ka gjë më të vështirë se të jesh dëshmitar i këtij fenomeni. Të bën të çmendet njeriu, kur është dëshmitar i konkurrencës negative për një interes më pak se mediokër, për hiç interes, deri në nivel të kënaqjes së egos personale! Gjithmonë në këto situata interesi individual e konsumon atë të përgjithshmin. Sa patetike është të observohen këta individë, të cilët në mënyrë aktive kanë kultivuar kulturën e konkurrencës negative, si në bisedimet e Vjenës ashtu edhe në ngjarje tjera, para dhe pas luftës së 1999-s. Madje, disa sish edhe kanë shkruar libra për t’i përqesh të tjerët, kurse disa të tjerë krekosen se, po të isha unë ende në këtë apo atë pozitë do të bëja këtë apo atë gjë! Dokrra! E gjithë situata në të cilën vendi ndodhet sot është rezultat i sjelljes të këtyre njerëzve.

Lidershipi kosovar në vend që të angazhohej në një konkurrencë pozitive, duke u bashkërenduar në diskursin e Ibrahim Rugovës, që pavarësia e Kosovës të bëhej akt i kryer qysh herët, ashtu siç bënte i ndjeri presidenti Rugova, ata u angazhuen në rrënimin e ish-shtetit paralel, që me sakrifica gati mbinjerëzore e krijoi populli për dhjetë vjet rezistence.

Pra, ka qenë Ibrahim Rugova antipodi i kësaj kategorie. Për të gjallë të Rugovës termi ndarje e Kosovës as që guxonte të përmendej në domenin publik por, as në takime interne. Ishte tabu, në fakt ishte bërë tabu, në saje të diskursit të tij paqësor, dhe stoik, nga aftësia e tij profesionale etike e morale.

Qasja e Ibrahim Rugovës si antipod i “konkurrencës negative”

Nuk ka qenë vështirë të vazhdohej në vijën rugoviane. Kosova pat ndërtuar një imazh shumë të lartë dhe pozitiv në botë. Si rezultat i këtij diskursi politik e paqësor, i komplementuar me luftën dhe intervenimin e NATO-s më 1999, pavarësia e Kosovës nuk ka pas alternativë. Kush nuk e ka pa këtë realitet nuk është dashtë të merrej me politikë. Por, kjo elitë me disa të përjashtuar nga radhët (sepse nuk arritën për t’u dëshmuar as në njërën as në tjetrën kategori (përfshirë këtu edhe lidershipin e LDK-s), e ulën e pazarin e Kosovës në bisedime. Vjen kategoria e egoistëve, dhe “çlirimtarëve”, e marrin pushtetin në dorë, dhe gjithë ajo filozofi pozitive kthehet me kokë mbrapsht! Hajde ngrite vendin edhe një herë në atë nivel! Kush do ta bëj atë!? Një elitë politike e korruptuar deri në palcë, një inteligjencë në gjendje anarshie, apo një akademi e shkencave dhe arteve që nuk bëzan edhe nëse flaka e kap vendin, apo një popull i kapur …?! Institutet intelektuale (think tanks, siç quhen në anglisht), përveç njërit që vjen nga zëri i Haki Abazit, nuk duket që ekzistojnë, ndërsa universitetet nuk kanë qenë në gjendje të prodhojnë një inteligjencë të pajisur me vështrime kritike. Kanë qenë dështim gati total!

Ky, gati përfundim i shtjellimit të termit tim “konkurrenca negative”, më sjell tek edhe një detaj të cilin nuk mund ta kaloj heshtazi. Vetëm pak ditë më parë, gazeta me karakter nacionalist Bota Sot kishte krijuar hapësirë të mjaftueshme për t’u plasuar idetë serbe të paraqitura nën emrin e një gazetari kosovar, i cili ndër të tjera thërriste: “veriun e Kosovës duhet ta lejojmë të ikë”!

E shihni, të nderuar lexues, se ku është katandisë vendi nga kultura e konkurrencës negative!?

Prandaj i bashkohem thirrjes, që populli shqiptar i Kosovës ta mbledhë veten edhe njëherë – për të fundit herë, t’i kthehet qasjes së kundërt – konkurrencës pozitive, të kultivueme nga i ndjeri Ibrahim Rugova dhe ta marrë fatin e tij në duart e veta. Të gjithë duhet të kontribuojmë për ta arrirë atë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Alibeaj: Rrethi për Tahirin e Ramën po ngushtohet

Partia Demokratike komentoi të martën vendimin për të mos lejuar lëvizjen jashtë...
Read More