Korrupsioni shqiptar step gjermanët, kushtëzohen negociatat

Negociata me kusht. Ky ka qenë artikulimi që ka bërë dje ministri i Jashtëm gjerman. Heiko Maas: “Jam shprehimisht në favor të hapjes me kusht të negociatave të pranimit me Shqipërinë e Maqedoninë”. Ndërkohë deputeti gjerman Christian Lange, njëkohësisht edhe Sekretar Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë, deklaroi në Tiranë se pengesa më e madhe për negociatat është korrupsioni. Christian Lange: Investitorët gjermanë që takova më sollën në vëmendje se problemi kryesor që kanë është korrupsioni.

Gjermania nuk ka vendosur ende për hapjen e negociatave mes BE dhe Shqipërisë. Sipas deputetit gjerman Christian Lange, në Shqipëri mbetet problem korrupsioni, dhe është pikërisht ai që i bën gjermanët të jenë hezitues. Por edhe nëse vendoset pro hapjes së tyre, ato do të jenë të kushtëzuara. Ndonëse nuk ka përmendur se me çfarë kushti, ministri i Jashtëm gjerman ka thënë dje se është në favor të hapjes me kusht të negociatave të pranimit me Shqipërinë e Maqedoninë. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga data e vendimit për hapjen ose jo të negociatave, diplomacisë shqiptare do t’i duhet të bindë të paktën tri vendet e vlerësuara si më skeptiket, mes të cilave është edhe Gjermania.

Ministri i Jashtëm gjerman: Negociata me kusht

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, edhe pse nuk ka përmendur se cili do të jetë kushti, ka deklaruar dje se ai është në favor të hapjes së negociatave me kusht për Shqipërinë. “Disa shtete kanë bërë përparim të mirë, të tilla si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ku kanë luftuar për të gjetur një zgjidhje për çështjen e emrit në ditët e fundit. Por, edhe Shqipëria, përmes një reforme gjyqësore shembullore. Prandaj unë jam shprehimisht në favor të hapjes me kusht të negociatave të pranimit me këto dy vende”, deklaroi ai. Kryediplomati gjerman nuk përmend se cili, apo cilat do të jenë këto kushte, por në disa media ka qarkulluar lajmi se mund të çelen negociatat, por bisedimet për kapituj konkretë do të fillojnë vetëm kur të vihet re progresi në prioritet e vendosura nga Brukseli. Maas foli këtë të mërkurë në forumin e organizuar nga Fondacioni gjerman “Schwazkopf”, në bashkëpunim me fondacionin “Pulse of Europe”, ku kryefjalë ishte “Kurajë për një Europë të bashkuar”. Ai përmendi në fjalën e tij edhe rrezikun që i kanoset rajonit nga fuqi të treta nëse BE ngurron që të qartësojë të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor. “Nëse BE-ja dështon për të patur progres në procesin e anëtarësimit me këto vende, ajo do të ketë pasoja fatale”, deklaroi kryediplomati gjerman.

Korrupsioni si pengesë

Gjermania nuk ka vendosur ende për hapjen e negociatave mes BE dhe Shqipërisë. Sipas deputetit gjerman Christian Lange në Shqipëri mbetet problem korrupsioni, dhe është pikërisht ai që i bën gjermanët të jenë hezitues. Lange që është njëkohësisht edhe Sekretar Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e ka vënë theksin te lufta ndaj korrupsionit, fenomen për të cilin tha se i janë ankuar edhe investitorët gjermanë në Shqipëri. “Ka ende punë për të bërë dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë sidomos në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni mban peng të gjitha shtetet demokratike dhe duhet të jetë në qendër të betejës. Ai lufton demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Investitorët gjermanë që takova më sollën në vëmendje se problemi kryesor që kanë është korrupsioni”, shprehet Lange. Ndërkohë sekretari gjerman i Drejtësisë, mbrojti Reformën në Drejtësi, duke theksuar se në një fazë kalimtare është normale që të dalin edhe pengesa. Për Berlinin, Reforma në Drejtësi është i vetmi kusht, theksoi Christian Lange, ndërsa kërkoi që Vettingu jo vetëm të vazhdojë për të ecë me ritëm më të shpejtë. Lange, i ka bërë thirrje politikës shqiptare që të luftojë korrupsionin, të vijojë thellimin e reformave dhe të shmangë bllokadat, si tri elemente tepër të rëndësishme për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Lange nuk dha një datë kur Gjermania do të marrë vendimin për Shqipërinë, por tha se gjithçka varet nga reformat që ndërmerr vendi ynë.

Hezitimi vazhdon

Në këtë mënyrë qeveria gjermane ende nuk ka përcaktuar se cila do të jetë data për negociatat dhe nuk ka konkluduar në një vendim nëse do të japë votë pro apo kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë në fund të qershorit. “Sot ende nuk mund t’iu jap një përgjigje lidhur me vendimin që do marrë qeveria federale në këtë drejtim. Por ajo që mund t’iu them është se progresi në Reformën e Drejtësisë, përshpejtimi i reformave në procesin e drejtësisë është një nga hapat e rëndësishëm që do të kenë ndikim në këtë vendimmarrje dhe siç jeni të informuar ky është një vendim unanim që merret nga shefat e qeverive dhe të shteteve. Patjetër që edhe shtete të tjera anëtare do të hedhin vështrimin nga sistemi i drejtësisë të Shqipërisë. Sistemi i drejtësisë është i rëndësishëm edhe për ne, ka një rëndësi të madhe, kjo është arsyeja që unë kam ardhur sot”, ka deklaruar Lange. Por sipas tij Gjermania do të ketë vendimin e saj brenda afateve kohore. “Ne do ta marrim vendimin tonë në kohë, vendim që do merret para mbledhjes së Këshillit Europian. Çështja e zhvillimeve në fushën e drejtësisë do të luajë një rol të rëndësishëm. Sistemi i drejtësisë është çelësi për një zhvillim ekonomik. Një shtet i së drejtës që funksionon është dhe baza për funksionimin e ekonomisë dhe biznesit. Pa shtetin e së drejtës nuk mund të ketë atraktivitet për investitorët”, ka shtuar Christian Lange.

 Tri vendet skeptike ndaj Shqipërisë

Gjatë kohës që mbahej Samiti i Sofjes mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë, Financial Times shkruante se Franca, Holanda dhe Gjermania janë mes shteteve të BE që duan të vendosin kërkesa më të rrepta përpara se të bien dakord për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Një diplomat i një prej shteteve skeptike i kishte thënë Financial Times se bisedimet për anëtarësim duken të parakohshme. “Ne thuajse të gjithë kemi shqetësime kur bie fjala te korrupsioni, kapja e shtetit dhe sundimi i ligji. Karota është aty, por ata duhet të bëjnë punën. Progresi ka qenë i mirë, por ka akoma rrjetet kriminale që operojnë sërish. Nëse punon në një Ministri të Brendshme të një shteti anëtar të BE-së, kjo të fut dridhmat”, citoheshin të kishin thënë diplomatët e vendeve skeptike. Financial Times dilte në konkluzionin se “Disa shtete anëtare kanë nevojë për më shumë prova për eficiencën e reformave të shitura me këmbëngulje nga liderë si Edi Rama, që thotë se vendi i tij po çrrënjos korrupsionin në gjyqësor dhe po lufton rrjetet kriminale”. Pak ditë më vonë e njëjta gjë është përsëritur edhe nga kryeministri bullgar, i cili vizitoi Tiranën. Bojko Borisov nuk e mohoi që në gjirin e BE-së, janë tri vendet që kanë shprehur skepticizëm për një “PO” ndaj Shqipërisë, por nënvizoi se ka ende kohë për t’i bindur që të ndryshojnë qëndrim. “Kemi dy-tri shtete që akoma janë skeptike për Shqipërinë, por shumica e anëtarëve mendon se vendit duhet t’i jepet një datë dhe rrugë për negociatat dhe afrimin me BE”, tha ai duke shtuar me optimizëm se “Do t’i bindim vendet që janë skeptike deri në fund të qershorit”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Durrësi si shenjë e triumfit të industrisë së turizmit

Nga Ervis Iljazaj Sipas një sondazhi të kryer nga Qendra Kërkimore Monitor...
Read More