Krim dhe muzikë: Mbrëmja e zezë e Elvana Gjatës

Nuk duket se është një histori e patrazuar dashurie ajo mes këngëtares dhe një biznesmeni. Një përplasje e armatosur ka shkaktuar një dramë të vërtetë

Krimi, politika, biznesi dhe arti janë bërë shpesh bashkë në Shqipëri me pasoja të çuditshme, ndonjëherë edhe fatale. Historia e Inis Gjonit me Arjan Selimin pati prodhuar dramë dhe shumë vëmendje mediatike. Edhe ajo e Rezarta Shkurtës dhe Ermal Hoxhës. Rastet janë të shumta.

Në vjeshtën e këtij viti duket se prozhektorët janë drejtuar tek Elvana Gjata. Këngëtarja e njohur u bë protagoniste në një përplasje të armatosur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, me një të vdekur dhe dy të plagosur.

I dashuri i saj, Ervin Mata u përplas me një nga grupet më të rrezikshme në vend, atë të Ervis Martinit. Nga përplasja mbeti i vdekur truproja e Martinit, Fabian Gaxha. Ajo që e bën tragjike këtë histori është se thuhet se sherri erdhi pasi truproja e Martinit kishte ngacmuar Elvanën dhe Ervin Mata ndërhyri për të zgjidhur çështjen.

Të tjera burime thonë se ngacmimi i këngëtares mund të jetë përdorur si pretekst për përplasjen e armatosur. Ajo që dihet me saktësi është se Elvana ka mbetur e tronditur nga ngjarja e rëndë.

Vetëm pak më parë ajo ishte shprehur e lumtur për lidhjen e saj. Në një intervistë ekskluzive në “Xing me Ermalin”, Elvana Gjata ka pranuar publikisht se është në një lidhje dashurie. Por ajo nuk e ka treguar emrin e të dashurit të saj, biznesmenit Ervin Mata, i cili u shpall në kërkim nga Policia e Shtetit.

Gjatë intervistës në shtëpinë e këngëtares, Ermali e ngacmoi paksa duke i thënë: “Po mirë mi gocë, vajte 62 vjeç edhe ngele gjithë jetën beqare”. “Mesa duket gjërat kanë ndryshuar”, iu përgjigj Elvana. “E ke parasysh kur ke një gjë të mirë dhe s’do që ta… ke frikë”, shtoi këngëtarja.

“Unë mendoj që Zoti është treguar shumë i mirë me mua, më ka sjellë një fat shumë të mirë”, u shpreh Elvana ndërsa Ermali e uroi: “Hajde në dasmë o Zot” dhe e pyeti: “A është familje e mirë?”.

“Ah sa e bukur ishte kjo”, e përmbylli bisedën Elvana për të mos zbuluar më shumë.

Po kush është Ervin Mata? Sipas gazetës Panorama, Gjata është fejuar me biznesmenin nga Tirana, Ervin Mata që prej dy vitesh.

Këngëtarja e njohur ka zyrtarizuar lidhjen e saj dyvjeçare në fshehtësi me Ervin Matën, i cili nuk është shfaqur në media, por është i njohur në Tiranë për jetën e tij të shtrenjtë dhe për biznesin e tij, pasi ka në pronësi një hotel të njohur. Lidhja e tyre është bërë dhe familjare tashmë, edhe pse pa ndonjë ceremoni Elvana konsiderohet si nusja në familjen e tij. Elvana shijon lidhjen e saj me udhëtime të shumta dhe shpenzime marramendëse, sepse partneri i saj nuk kursen asgjë për të plotësuar këngëtaren në çdo aspekt.

Ishte pikërisht partneri i saj, i cili investoi në biznesin e fustaneve “Altar”, që shumë shpejt këngëtarja e shiti. Ndërkohë, është ai, që shpenzon shuma të mëdha parash për fillimin e karrierës së Elvanës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kujtojmë që ajo festoi një 30-vjetor përrallor me shpenzime që kapën 20 mijë Euro vetëm për udhëtimet e fundjavave. Pas klipit ‘Lejla’ dhe mbylljes së epokës dashuri & muzikë me Flori Mumajesin, këngëtarja e njohur, Elvana Gjata, hyri në një fazë të re të jetës, që nga rrëfimet e miqve të afërt është vërtet si në përralla.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Imagjinata e britanikut: Kotësia e dallimeve të vogla në Tiranë

Një ekspozitë unike në Tiranë nga britaniku Grayson Perry, fitues i çmimit...
Read More