Krim dhe politikë: Operacioni që po zbulon të vërtetat e trafikut dhe korrupsionit

Zbardhen detaje nga operacioni “Vol-vo 4” me 27 të arrestuar dhe 6 të shpallur në kërkim. Hetimi 2-vjeçar që nisi për një grup të vogël në Shijak dhe zbuloi lidhjet e krimit me politikën. Përgjimet që fundosën dy ish-deputetët e Partisë Socialiste.

Dy vite hetim, 27 të arrestuar, gjashtë në kërkim 200 kilogramë heroinë e kapur dhe mbi të gjitha politikanë të dyshuar se janë përfshirë në trafik droge, korrupsion dhe tjetërsim pronash. Ky është bilanci i së dielës në mbrëmje, por ngjan vetëm fillimi i një zbulimi edhe më të madh për lidhjet e errëta të krimit, duke depërtuar në rangje të zgjedhurish dhe kaposh lokal. Dy vite më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet ndaj një grupi me veprimtari në Shijak, konkretisht ndaj vëllezërve Avdyli, por ajo çka u zbulua më vonë nga përgjimet kapërceu jo vetëm Shijakun, por edhe imagjinatën, ku me radhë, drejtues lokal, ish-deputetët dhe punonjës policie bashkëpunonin me trafikantë. Përgjimet zbuluan lidhjet e të akuzuarve për trafik me dy ish-deputetë të Partisë Socialiste dhe disa zyrtarë lokalë të implikuar në tjetërsim pronash dhe transferim të burgosurish. Dje në një konferencë të përbashkët shtypi kryeprokurorja e krimeve të rënda dhe kryepolici Ardi Veliu treguan detaje të operacionit “Vol-vo 4”, që çoi në pranga 27 persona. Hetimi dyvjeçar i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda lidhur me një grup kriminal që vepronte në fushën e trafikimit të narkotikëve në zonën e Shijakut, çoi në zbulimin e një rrjeti trafikantësh në gjithë vendin, nga Hasi në Delvinë e në disa shtete të Bashkimit Europian. “Gjatë gjithë hetimit rezultoi se pjesëtarët e këtij grupi kriminal, kryenin edhe vepra të tjera penale, si korrupsion në sektorët publikë të ndryshëm, hipotekë, polici, bashki, dhe institucione të tjera të administratës shtetërore, për të cilat po vazhdojnë hetimet në vijimësi”, -tha drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela. Dy nga të arrestuarit e “veçantë” janë Arben Ndoka dhe Arben Çuko, ish-deputetë të Partisë Socialiste. Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Arben Çuko akuzohet për transferimin të paligjshëm të një të dënuari. Ndërkohë Ndoka bashkë me 12 persona të tjerë të arrestuar dhe katër të shpallur në kërkim, një pjesë anëtarë të familjes së tij akuzohet për tjetërsim pronash. Kryeministri Edi Rama e ka lexuar si “sukses” këtë aksion, duke paralajmëruar se gjatë ditës së sotme një tjetër operacion i bujshëm do të ndodhë. Pavarësisht tentativës për ta konsideruar sukses, është e pamundur që të mos ketë dy lexime, njëri prej të cilëve është se përse në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste janë zgjedhur njerëz të implikuar me krimin? Por ka edhe të tjerë që e dekriptojnë ndryshe, teksa e konsiderojnë një “erë tjetër” që Rama po godet dhe është i vendosur të mbështesë institucionet e drejtësisë, pa u krijuar mbrojtje të tijve.

Dy ish-ët në qeli

Arrestimi i dy ish-deputetëve si të përfshirë në korrupsion dhe tjetërsimin e pronave, nuk ishte një rastësi, apo hetim rutinë. Burimet konfidenciale mësojnë se gjatë kohës që një grup kriminal ishte në përgjim, emrat e Ndokës dhe Çukos përmendeshin nga “bosët e trafikut”, ndërsa dyshohet se në një rast një vit më parë të afërm të ish-deputetit të qarkut Lezhë Arben Ndoka janë përfshirë në trafikimin drejt Italisë të një sasie prej 1 ton kanabis. Ish-deputeti i PS Arben Ndoka “dyshohet për veprat penale falsifikimi i dokumenteve, falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve, shpërdorimi i tokës, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash”. Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka zbuluar se kanë abuzuar me trojet shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit. Ndoka është arrestuar bashkë me një nga vëllezërit dhe disa të afërm të tjerë. “Është për t’u theksuar se një grup personash që vepron në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer vepra penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, vulave stampave dhe formularëve”, -tha gjatë konferencës për shtyp prokurorja e Krimeve të Rënda Donika Prela. Deputeti tjetër i arrestuar është ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Arben Çuko. Ai u shkarkua disa javë më parë, por arsyet e largimit nuk u bënë publike, derisa pas arrestimit të tij ministrja e Drejtësisë bëri me dije se ai ishte shkarkuar për shkak të dyshimit për korrupsion. Ndërsa prokurorja Prela theksoi se gjatë këtij hetimi ndaj grupi të trafikantëve u konstatua se Arben Çuko, me detyrë Drejtor i përgjithshëm i Burgjeve ishte përfshirë në “korrupsionit pasiv”, ndërsa tha se dy të tjerë ishin ndaluar për “korrupsionit aktiv”. Ajo që e bën situatën e rëndë është lidhja e fortë e elementëve të krimit të organizuar me drejtues lokal, ish-deputetë apo edhe deputetë. Dyshimet janë të shumta që personazhe të botës së krimit, që deri dje kanë provuar qelitë, sot bashkëpunojnë me drejtues të institucioneve shtetërore. “Në përfundim, bëjmë me dije se nga hetimet ka rezultuar se ka veprime të paligjshme, si korrupsion, në bashki, prefektura, në polici, në universitete, në prokurori, në gjykata dhe në organet e pushtetit vendor, për të cilat po vazhdojnë hetimet në vijimësi”, -tha Prela.

Politikë e kriminalizuar?

Konfirmimi nga prokuroria se personazhe të botës së trafikut të narkotikëve kanë depërtuar deri në institucionet kyç të vendit, nuk po kalon aq rutinë. Në vijim pritet që emra të tjerë të njohur të politikës të ndalohen për korrupsion ose edhe të përfshirë direkt në trafikun e narkotikëve. Ka dyshime të forta se aksioni i fundit i zhvilluar në Durrës, Shkodër, Has, Fier, Vlorë dhe Sarandë të jetë dekonspiruar. Veç të tjerëve policia shkoi në banesën e Lulzim Berishës, i konsideruar si një nga drejtuesit e bandës së Durrësit, por nuk mundi ta arrestonte. Dyshohet se ai është informuar më parë mbi aksion policor. Gjithashtu, Partia Demkratike dje ka shigjetuar me një emër të përveçëm, duke akuzuar kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako si “peshkun e madh” të lidhur me krimin. Nervozizmi i kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e zhvilluar dje me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste mbetet një tregues së brenda radhëve të mazhorancës ka elementë që po i “nxijnë faqen” qeverisë. “Nga hetimet e kryera në bashkëpunim edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase e të huaja, është konkluduar se, ka të dhëna të mjaftueshme për identifikimin e disa grupeve kriminale që kanë vepruar në territorin e Republikës së Shqipërisë, si edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian, si Gjermani, Angli, Holandë, Itali, Turqi etj.”, deklaroi kryeprokurorja e Krimeve të Rënda Donika Prela. Gjatë hetimit të këtij procedimi penal, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i laboratorit të përpunimit të drogërave të forta në Kukës, si dhe sekuestrimi i një sasie prej 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, e 22 litra lëndë e djegshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës. U desh vetëm përgjimi i një grupi të vogël kriminal në Shijak që të zbuloheshin kaq shumë të përfshirë, nga ish-deputetë deri në drejtues hipotekash, kryebashkiakë dhe efektivë policie. Për t’i dhënë rëndësinë dosjes hetimore prokuroria konfirmoi se janë me mijëra orë përgjime, filmime, përgjime ambientale, vëzhgime me dron, mijëra faqe me shkresa dhe këmbim informacioni e korrespodencë me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit. Krimi dhe politika nuk po ndahen lehtë, rasti i fundit zbuloi vetëm pak nga ajo që shumë flitet, por nuk po pranohet.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rreziku nga uria për drejtësi

Nga Ervis Iljazaj Pritshmëria për arrestime të bujshme që ka krijuar Reforma...
Read More