Kriminaliteti më i ulët, por më i sofistikuar

Nga Ervis Iljazaj

Për shkak të disa vrasjeve të zhurmshme, madje spektakolare, të cilat shpesh ndodhin në zonat më të populluara të Tiranës, është krijuar ideja se, krimininaliteti në vend, në terma sasiorë është rritur.

Kjo për shkak edhe të mbulimit mediatik që marrin ngjarje të tilla, që zgjat me ditë të tëra, dhe, që kthehen ndonjëherë si  telenovela me seri. Në këtë kuptim, perceptimi i opinionit publik është se, kriminaliteti në vend është gjithmonë në rritje.

Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Kriminaliteti, në bazë të statistikave është në ulje. Kjo tendencë ka filluar qysh me qeverinë Berisha e vazhdon ende me qeverinë Rama.

Për shembull, vrasjet në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilat ishin pjesë normale e komuniteteve atje, janë ulur ndjeshëm. Në ndonjë rast, nuk ekzistojnë fare. Ky është rasti i Beratit, ku vitin që lamë pas, ishte viti që për herë të parë, që nga fillimi i pluralizmit nuk shënoi asnjë vrasje. Një rekord pozitiv, që me shumë mundësi ekziston edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Arsyeja e uljes të kriminalitetit, me ndonjë rast përjashtimor, nuk është aspak ashtu sikurse qeveri të ndryshme mundohen të na e paraqesin, si meritë e tyre.

Ulja e tij ka ardhur për shkak të fenomeneve dhe evolucionit të shoqërisë. Madje, kjo tendencë, nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por, edhe një fenomen europian e botëror. Amerikanët e quajnë The great decline of crime (rënia e madhe e krimit).

Kudo, shifrat tregojë se krimi, apo më saktë viktimat e tij janë gjithmonë e më shumë e në ulje për dy arsye themelore.

Në radhë të pare, gjithmonë e më shumë njerëzit investojnë te siguria në mënyrë private.

Edhe në shoqërinë shqiptare, dukshëm investohet në këtë aspekt. Kompanitë e sigurimit janë shtuar ndjeshëm, bizneset marrin masa për sigurinë e tyre, shpeshherë të shoqëruara nga roje sigurimi apo mjete të tjera që përbëjnë atë. Shkolla, ambiente të ndryshme që ruhen nga roje private. Në këtë kuptim, ndërgjegjësimi i vetë njerëzve për t’i kushtuar rëndësi sigurisë së tyre, ka bërë që kriminaliteti në vend të ulet.

Në radhë të dytë, ashtu sikurse kudo, edhe në shoqërinë shqiptare, demokratizimi i vlerave dhe emancipimi i shoqërisë, ka bërë që njerëzit të kenë më shumë akses në të mira materiale dhe vlera morale, të cilat kanë rindërtuar konceptin dhe rëndësinë e jetës.

Mirëpo, përtej këtij rekordi pozitiv, shoqëria shqiptare po haset me një formë tjetër të kriminalitetit. Që ndoshta nuk  karakterizohet nga sasia, por nga ‘cilësia’ e tij. Sot krimi në Shqipëri është më i sofistikuar, ose mund ta quajmë më ‘elitar’. Apo siç quhet ndryshe në vendet europiane, ‘krimi i veshur me kravatë’.

Në këtë aspekt, shteti shqiptar, po haset me një formë të ri kriminaliteti, të cilit ende nuk po di si t’i kundërpërgjigjet,  ose në disa raste nuk do t’i përgjigjet. Sepse, përpara sofistikimit të krimit, në të gjitha aspektet që përmban ai, shteti shqiptar duket si një makinë e vjetër, e cila ecën ngadalë dhe harxhon shumë karburant pa qenë efikase.

Në fakt, vrasje të tilla spektakolare, ashtu sikurse ato të kohëve të fundit në Shqipëri, mund të ndodhin dhe kanë ndodhur kudo. Askush nuk mund të thotë të kundërtën. Sepse, nëse një person e ka bërë llogari të marrë jetën e një tjetri, askush nuk mund ta ndalë, sado të larta të jenë masat e sigurisë. Këtë fakt e tregojnë vrasjet e personave të rëndësishëm, deri edhe te presidentët që kanë ndodhur në vende më të sigurta të botës.

Për të gjykuar punën e policisë dhe strukturave të shtetit, nuk është thelbësor parandalimi i tyre, se sa zbulimi i tyre. Dhe, për sa u përket vrasjeve më të bujshme në Shqipëri, që nuk është rasti për t’i përmendur, pasi janë të ditura për të gjithë, ende nuk kemi autorë të arrestuar. Sofistikimi i krimit shqiptar dallohet edhe në këtë aspekt.

Kështu që, për të luftuar vërtet krimin në Shqipëri, ka nevojë për një logjikë të re, për një mentalitet të ri dhe një organizim policor të ri. Tipare të cilat kanë nevojë për një vullnet të hekurt.

Shoqëria shqiptare, e cila ka meritë për uljen e kriminalitetit në vend, ashtu sikurse u përmend më lart, me sa duket i mbetet detyra të luftojë edhe krimin e sofistikuar, nëpërmjet qytetarisë dhe demokracisë së saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kundërshtarët e Bashës me platformë për anulimin e garës

Në takimin e sotëm, ku pritet të mbahen disa fjalime, do të...
Read More