Kristiano Ronaldo nuk i kalon testet ideologjike

Nga Klementin Mile

Buja e madhe me të cilën po shoqërohet kalimi i Kristiano Ronaldos nga klubi i Realit te klubi i Juventusit është tashmë një normalitet në botën e futbollit. Kështu ndodh gjithmonë kur bëhet fjalë për yje të sportit, për lojtarë që tërheqin vëmendje të madhe, që shesin miliona bluza, që reklamojnë pafund produkte.

Kjo bujë, megjithatë, nuk duhet të na e heqë vëmendjen nga një ngjarje tjetër e bujshme që lidhet me Ronaldon. Evazioni fiskal i këtij të fundit, sipas përllogaritjeve të shtetit spanjoll, arrinte në 15 milion euro. Shteti, natyrisht, bëri punën e vet dhe e ndëshkoi Ronaldon me gjobë. Ronaldo, nga ana e tij, u shpreh i pakënaqur me klubin e Realit, pasi ky i fundit nuk e paskësh mbrojtur sa duhet. A mos ndoshta prandaj u largua nga Reali, sepse Juventusi është në gjendje ta mbrojë më mirë nga drejtësia nëse Ronaldo kryen prapë evazion fiskal në Itali?

Përtej famës si futbollist, Ronaldo mund të shihet edhe si mishërim i idesë së djathtë për ta luftuar varfërinë dhe problemet sociale me anë të bamirësisë. Ai është pikërisht njëri nga ata njerëz “të bërë vetë”, të cilit tregu i lirë ia njohu dhe vlerësoi talentet. Të djathtët, e sidomos konservatorët, tani presin që ky njeri që ia doli, të vërë dorën në zemër e të mendojë për të tjerët – pra t’i përkushtohet bamirësisë.

Le të mos merremi me stilin luksoz të jetës së Ronaldos. Në fund të fundit, pavarësisht se ai shpenzon miliona euro për koleksione makinash e shtëpi, këto janë para që i ka fituar ndershmërisht dhe me meritë. Por, ky njeri i pasur ka dhënë vetëm 6 milion euro bamirësi, ndërkohë që kishte bërë 15 milion euro evazion fiskal. Ronaldo i ka dhënë shoqërisë 6 dhe i ka vjedhur shtetit 15. A duhet emërtuar bamirës apo hajdut ky yll i pasur i futbollit?

Nuk është çështja vetëm te Ronaldo. Kjo gjë ka ndodhur edhe me Mesin e me yje të tjerë të sportit. Këta njerëz, që shoqëria ua vlerëson talentet dhe i shpërblen shumë financiarisht, janë të prirur të kenë jetë luksoze, të bëjnë evazion fiskal dhe të mos japin thuajse asgjë për bamirësi. Ata mund të mbajnë, ashtu si gruaja e Runit, 20 qenë me kushte të shkëlqyera në shtëpi, por harrojnë sa njerëz mund të shpëtonin nga uria me aq para.

E djathta konservatore, e cila propagandon se mund ta luftojë varfërinë në shoqëri pa nevojën e programeve shtetërore, ndeshet me problemin se subjektet e saj – ata që ia kanë dalë të pasurohen në tregun e lirë – nuk ua ka fort ënda të merren me bamirësi. Siç tregojnë faktet, këta janë të gatshëm madje edhe ta vjedhin shtetin për të patur sa më tepër gjëra luksi për veten, pa menduar aspak për fatin e të tjerëve. Andaj, edhe pse shfaqet simpatike për shkak se nuk i rëndon (dhe varfëron më tej) njerëzit me taksa, e djathta duhet të tregojë se si luftohet varfëria, në mungesë të ndërhyrjes shtetërore, kur ata që kanë nuk duan të japin për ata që s’kanë.

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përplasje për oligarkët, PS: Basha gjobë kompanive, PD: Sulme me të pavërteta

“Strategjia që Lulzim Basha përdor është e qartë: sulmo sipërmarrësit për të...
Read More