Kujtesë për Edi Ramën, përse ikin intelektualët dhe profesionistët?

Nga Pirro Prifti – Nuk është ndonjë risi sot, ikja e njerëzve dhe nuk ka të bëjë as me luginën e lotëve, dhe as me ndonjë kujtim nga e kaluara e largët. Kanë ndryshuar sot kushtet dhe qëllimet e largimit. Pra, nuk është vetëm dëshira për të jetuar më mirë, ekzistojnë dhe dëshira të tjera që njerëzit dëshirojnë të largohen nga vendi i tyre. Aktualisht po përjetohet një migrim i madh brenda BE, por edhe në të gjitha vendet e botës, dhe shkaku është Globalizmi. Bota është shndërruar në një qytet të madh në të cilën njerëzit zhvendosen sipas interesave përkatëse.

Në fillim të viteve `90 nga Shqipëria ikën të parët komunitetet që ishin në opozitë me Diktaturën. Më vonë me kalimin e viteve deri pas vitit 1998-2000 numri arriti në një nivel rekord deri në 1.4 milion banorë, ku shumica ishin në Greqi dhe Itali, dhe më pas shqiptarët ndoqën preferenca të caktuara: fshatarësia e jugut dhe e juglindjes shkonte në Greqi, dhe Itali e Francë, SHBA, Kanada, por pjesa tjetër sidomos veriu, preferoi Anglinë, SHBA, Kanada, Australi, e shumë më pak në ndonjë vend lindor si Turqia e gjetkë.

Interesant është fakti se në fillim ikën si të persekutuarit dhe i ashtuquajturi `llumi i shoqërisë`, por çuditërisht ikën dhe ish-sigurimsat dhe ish-spiunët. Midis popullatës së larguar ikën dhe shumë familje intelektualësh. Numri i tyre filloi të shtohej në numër me kalimin e viteve dhe pas viteve 2010-2018, largimi është bërë në nivel serioz sepse shumë intelektualë të disa profesioneve të domosdoshme në Shqipërinë e sotme si Mjekët, Arsimtarë të cikleve të ulëta, mesme dhe të larta. Informaticienë & Elektronika, disa profesione të veçanta si menaxherë të ndryshëm për të cilët është investuar për shumë vite ikin nga sytë këmbët duke lënë në vështirësi shtetin shqiptar duke zbrazur arsimin e kryesisht Shëndetësinë.

Po si qëndron problemi i intelektualëve, familjeve të tyre dhe veçanërisht i disa profesioneve që ka përgatitur Arsimi lartë, të cilët dëshirojnë të largohen? Sigurisht janë gjashtë probleme të pazgjidhura në Shqipërinë tonë të cilat shkaktojnë pasigurinë dhe dëshirën për t’u larguar nga Shqipëria: -Mungesa e Stabilitetit politik – për shkak të të cilit ikin një pjesë e shqiptarëve, kryesisht politikanëve dhe miqve të tyre, ish-sigurimsave, ish-spiunëve, ish-të burgosurve e tjerë;

– Mungesa e punësimit – për shkak të të cilit ikën popullsia rurale dhe qytetare e varfër; – Mungesa të arsimimit të mirë (fillor, të mesëm, të lartë)– për shkak të të cilit ikin kryesisht familjet qytetare; – Mungesa dhe pasiguria në Kujdesin Shëndetësor ndaj pacientit, moshave të treta- për shkak të të cilit ikin nga të gjitha komunitetet; – Pasiguria e Rendit publik, dhe mungesa dhe/ose pabarazia në zbatimin e ligjit, sidomos ai i pronave, – për shkak të të cilit largohen kryesisht individë apo familje me probleme ligjore; – Rrogat e vogla- për shkak të të cilit ikin intelektualët dhe familjet e tyre, veçanërisht disa profesione të kërkuara edhe jashtë shtetit;

Mund të ketë dhe shkaqe të tjera të cilat po të thuhen, do të rëndonin edhe më problematikën si krimi, vrasjet, korrupsioni, prostitucioni etj. Xhorxh Bernard Show ka thënë një frazë që duhet mbajtur mend: `Nuk ka krim më të madh se sa të jesh i varfër`, dhe kjo thënie ka plot kuptime sepse varfëria të detyron të kriminalizohesh. Kjo është një nga detyrat e shtetit që nga njëra anë të forcojë rendin, dhe nga ana tjetër, detyrimisht, duhet të asistojnë varfërinë ekstreme. Për sa i përket shtresës së mesme intelektuale, Shqipëria mban Rekordin e saj 107-vjeçar për persekutimin ekonomiko-financiar të shtresës intelektuale dhe Profesioniste për sa iu përket rrogave jo vetëm të vogla, por edhe të pabarabarta në raport me administratën. Në të gjitha Regjimet e kaluara gjatë 107 viteve, shtresa Intelektuale dhe Profesionistët janë mbajtur nën presion, janë observuar, janë detyruar të punojnë me paga të vogla e qesharake. Një fenomen alla shqiptar që rëndon problemin e pagave të ulëta për intelektualët dhe Profesionistët me Arsim të lartë në Shqipëri është edhe paradoksi në paga.

Paradoksi qëndron në dhënien e pagave relativisht më të larta tek Administrata shtetërore dhe ajo lokale në raport me pagat e shtresës së Profesionistëve me Arsim të Lartë që punojnë në Sektorët delikatë, pasiguria dhe mungesat thelbësore të të cilave detyron popullatën të largohet: Arsimi dhe Shëndetësia. Një Mjek Familjeje, një Mjek Specialist, që kanë harxhuar shumë vite për t’u bërë profesionistë, marrin paga të barabarta me një sekretare Ministri apo dikasteri. Një Profesor, një Doktor Shkencash, një pedagog me Master, marrin njëlloj ose mos më pak se një Drejtor Drejtorie. Kjo ka bërë që një pjesë e mirë e punëkërkuesve në Shqipëri të largohen dhe të kërkojnë punë jashtë shtetit, në të cilën diferenca në paga me tonat është katastrofale.

Pa dyshim unë do t’i rekomandoja Kryeministrit të Nderuar që të reformonte Sistemin e pagave në dobi të Profesionistëve me Shkollë të lartë, në mënyrë që të kishin një rrogë dinjitoze dhe të merreshin seriozisht me punë duke shmangur më në fund dhënien e parave nën dorë, ryshfetin, korrupsionin, madje dhe dypunësimin brenda orarit të punës. Rritja e ndjeshme e Pagave të intelektualëve, Profesionistëve me shkollë të lartë që punojnë në sektorët e Shëndetësisë, Arsimit, IT, Elektronikës, punë të cilat paguhen shumë jashtë shtetit- nëpërmjet një Reforme rrënjësore të Sistemit të Pagave në Shqipëri, do të stabilizonte dhe ulte Korrupsionin, Emigracionin, por Shteti duhet ta shoqërojë këtë rritje pagash me detyrime përkatëse një nga të cilat është vendosja zyrtare e `Job Description` për çdo profesion, dhe dhënien e bonuseve për çdo punë jashtë orarit.

Zoti Kryeministër le të mos shohë larg, por të shohë Republikën e re të Kosovës, e cila ka rregulluar Rrogat e Arsimit të Lartë duke vendosur bazën te 1000 Euro, dhe duke e diferencuar deri në 1500 Euro te Profesorët. Po kështu Kosova brenda vitit të Ardhshëm 2019 do të rrisë Pagat për Sistemin Shëndetësor identik me Arsimin, duke vendosur edhe sistemin e bonuseve. Sigurisht këto rritje page do të shoqërohen edhe me kontrollin dhe menaxhimin më të mirë të punës përkatëse. Shpresojmë që Shqipëria e Pavarur prej 107 vitesh të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga Fiksimi anadollak dhe diktatorial i mbajtjes nën kontroll të inteligjencies nëpërmjet pagave të vogla, lënies në harresë të tyre, mos interesimit dhe nënvlerësimit, mosmirënjohjes, shantazhimit, dhe nga ana tjetër – Fiksimin e qëllimshëm anadollak dhe diktatorial të mbajtjes afër dhe drejtimit të shtetit shqiptar me anë të militantëve, injorantëve, amatorëve, kriminelëve. Kjo është Reforma e vërtetë Sociale krahas Vettingut. Ku do t’i gjejë qeveria paratë? Po Kosova e varfër 12-vjeçare ku po i gjen? Qeveria shqiptare dhe sidomos Opozita, le të kërkojë se ku shkojnë sekuestrot e të dënuarve dhe le të mos bëjnë më rolin e agjencive funebre.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Inis Gjoni: Balerina, aktorja, regjizorja, moderatorja, mamaja… gjithmonë në formë!

    Bukuroshja Inis Gjoni vijon të tërheqë vëmendjen. Mosha e saj...
Read More