Ledia Dushi, Mbi një mjedis ku është e vështirë ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin

Borgesi shkruan: “Kurrë nuk kam lexuar një roman pa u ndjerë disi i lodhur. Dhe unë e kam këtë ndjenjë e veçanërisht kur vendos të shkruaj për atë libër sepse e di se autorët ngazëllehen kur lexuesit gjejnë kuptime të thella në shkrimet e tyre. Kjo gjë na bën me dije se edhe lexuesi ka pjesën e vet, ai mund ta pasurojë librin. Mendoj se, shkrimi dhe leximi ndërtojnë një lloj miqësie”. Ky është caku vlerësues për një autor.

Me librin “Piramida e shpirtrave” jam njohur kur ai ishte në dorëshkrim në konkurim për çmimin “Kadare”, ndërsa me personalitetin e zotit Virgjil Muci, shumë më përpara. Kam qenë gjithnjë e mendimit se vepra fituese e një çmimi duhet të ketë patjetër diçka të veçantë. Aq më tepër sot kur, sa më shumë që i bie vlera romanit aq më shumë shtohet numri i romancierëve. Ata mendojnë se po japin kontributin e tyre për zhvillimin e tij, por në të vërtetë po e groposin më thellë.

Romani i Virgjil Muçit ndërtohet mbi një mjedis ku është e vështirë ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin. Ndjeshmërinë e tij e ruan duke krijuar një “klimë” të përshtatshme për shpirtin e tij.Kjo gjë nuk e pengon aspak të shkruajë për ndjeshmërinë e personazheve të tij.Shkruan me kujdes dhe kulturë. Lexuesi vendoset në rrugëtimin e jetës dhe në fund zbulon ose mendon për të vërtetën duke shkrirë kënaqësinë dhe dhimbjen në një çast të vetëm. Autori e di se është e vështirë të jesh i lirë nga pushteti i së kaluarës. Bëmat e saj shpesh jo vetëm vinë si thirrje, e cila nganjëherë merr trajtat e një kërkese për drejtësi, por edhe si kujtesë e stërkalur me dhimbje e nostalgji.

Ndjen edhe vështirësitë e të qenurit i lirë nga ai që e quajmë realitet modern që tek ne vjen disi i përçudun me emrin “tranzicion”. Mark Mara i ndjen të dyja këto dhe e di se është e vështirë të ndërtosh një satelit të së ardhmes në këtë vend ku gjithçka është groteske. Ai humbet në këtë mjedis.
Romani i Virgjil Muçit nis si tip letërsie e udhëtimit, merr frymë si letërsi e kujtesës dhe dëshmisë për diktaturën.

Fillimisht paraqitet si roman i personazhit, i cili herë herë ka premisë të antiheroit, thuajse një vështrim prej prokurori të situatës.
Ideja e përmbysjes së ideologjisë deri në ekstrem (nëse dikur ndaloheshin librat kundër komunzimit, tash librat ideologjik. Frika, paniku, pasoja nga ideologjia deri në një “demokraci të shpërdorur”.
Diku diku shfaqet edhe si roman i pasojës.

Herë – herë qëndrimi i tij i ngjan personazhit të Konicës te Dr. Gjilpëra, të paktën në një rast.
Ka linjë të qartë fabulative, të lexueshme lehtë.
Teksti dëshmon për një lidhje të mirë konceptuale mes sistemeve politike diktatoriale.
Rrëfim i mirë i hapësirës/autorit, por edhe më i mirë rrëfimi i personazhit të persekutuar.

“Personazhi” i vërtetë i romanit është përditshmëria. I ngjan një lëmshi që pluskon sa në ujë aq në ajri. Në këtë lëmsh lëvrijnë njerëz që gjithnjë e më pak janë vetvetja ndërtojnë marrëdhënie me parimin, të gjithë kundër të gjithëve.Kjo gjë e mban të lidhur lëmshin. Mendoj se nuk është e lehtë t`i mbash, aq sa të mundesh, qoftëedhe në faqet e një romani, në një mjedis ku janë rrëzuar ato çka quhen bazat morale tejetës. Autori ndërton shtëpinë e groteskut të tij dhe e quanʺbulevard pa qytet”. Robert Farka, personazhi qëndror e peifrazon keshtu:”“shoqëria e mbledhur në këtë dhomë në një farë mënyre është një miniaturë e shoqërisë së madhe që gjendet atje jashtë, ndaj ne nuk jemi në gjendje ta rrokim me vështrimin tonë. Por, në fund të fundit, punë e madhe, mund të bëjmë edhe pa të; gjithçka na duhet e kemi këtu para syve. A nuk është edhe krimi pjesë e pandarë e jetës sonë, ashtu siç mëkati bashkëjeton me virtytin?Madje është kontrasti që krijon mëkati që e nxjerr edhe më në pah virtytin dhe e bën të shkëlqejë e të çmohet lart. Dhe e fundit, mos harro që këtu je në Ballkan dhe jo në Skandinavi. Mbaje vëth në vesh këtë që të them.

Ne atë lëmsh që pluskon gjallojnë ministra, deputetë, biznesmenë, pronarë gazetash, drejtori i fondacionit Atdheu, pastori i kishës Adventiste…
Në fakt personazheve të tij u ka ikur vetvetja, ata lëvizin vetëm si formë. Gjithçka lëviz brenda një “demokracie” të pakontrolluar ku injoranca e mbrapshtia mbartin maskën e arsyes. Autori zgjedh groteskun, ndoshta e vetmja mundësi artistike për të na dhënë mjedisin politico-social ku ngjarjet zhvillohen.

Grotesku në këtë roman mundëson bashkekzistencën shperthyese midis të qeshurës dhe të qarës.Ndjekim gjëra reale me personazhe groteske që duket se në filozofinë e jetës së tyre funksionon thënia: “Jeta është gjithçka që ti kërkon prej saj”. Mark Mara, një qytetar amerikan me prindër shqiptarë,që sapo shkel në tokën e prindërve të tij, përplaset me një mjedis që i ngjet një shpelle në muret e së cilës lodrojnë figura të ndërthurura në mënyrë të çuditshme. E ndjen se në këtë vend gjithçka mund të ndodhë.
Vinte në tokën e të atit , i cili, megjithëse kishte kaluar më shumë se gjysmën e jetës në një nga qytetët më të mëdha të botës, krahasimet dhe figurat i lidhte me fshatin ku kishte lindur. Kishte nevojë për paqë dhe e ndjente se mund ta arrinte vetëm me ekuilibër shpirtëror. Kështu nis të ndërtojë “Piramidën e shpirtrave”.

Dionisi ishte i plotfuqishëm në këtë vend. E gjen të mbështjellë me “buzëqeshjen përtallëse”, i gatshëm të tregojë ngjarje që flasin për regjimin që kish kaluar. Dëgjuesit i ndiqnin me shumë deshirë.Në kohën në të cilën jetonin, s’kishte gjë për të treguar.Njerëzit ishin ndarë në të mirë dhe të këqinj dhe pastaj në të këqinjë dhe të mirë dhe kështu mund të ishin, o të gjithë të mirë, o të gjithë të këqinj.“Mark Mara piu një gotë me Dionisin dhe iu krijua përshtypja sikur kishte një jetë në këtë vend.Kjo ndjesi iu tret në trurin e lodhur dhe i bulëzoi një mendim tjetër: ç’dreqin kërkoj këtu!” Janë mendimet që vrasin përditë shpirtin e njeriut.Kështu Dionisi e vuri në gjumë për t`u takuar herë të tjera. Dionisi në këtë libër vjen si fis i ish zyrtarëve të lartë të komunizmit por që nuk i përkiste askuj, veç vetvetes, dhe “nuk lypte mirëkuptimin e asnjërës palë, por vetëm shpirtit të tij të lirë”. Ndoshta është elementi i parë qe jetëson dhe ndërton romanin.

Dita e re e gjeti në një takim të rastit por jo të rastësishëm. Takime që do ta shoqërojnë autorin ne rrugën e zhgënjimit të tij. Arsyeja që ai e mendonte vizitën në atdheun e prindërve ( kështu e quan) si kalim nga ferri në purgator ishte se ferri dhe purgatori s’mund të jenë në të njejti vend.
Kalimi nga ferri në Purgator është aq i avashtë sa nuk arrin të bësh dallimin ndërmjet tyre, kështu parajsa është thjesht një ëndërr që noton në boshllëkun që vjen nga ky kalim. Këtu hasim në një raport interesant të personazhit Robert Farka, i cili merr rolin e Virgjilit (Komedia Hyjnore), në një vend postkomunist qe ishte Ferr e tash Purgator.

Mark Mara, ish i burgosur në vendin e tij, kujton fjalët e mikut dhe rrëfimtarit, At. Francis: “Ngandonjëherë është më e lehtë, biri im, që nga Purgatori të kthehesh në Ferr sesa të bësh përpara e të ngjitësh në Parajsë”. Në fakt ai nuk ishte “as historian, as gazetar dhe aq ma pak politikan”.Ishte një vrojtues që nuk dinte se çfarë kërkonte dhe aq më pak se çfarë priste.Takimi i parë ishte me “ Robert Farka, i përndjekur politik”, kështu iu prezantua. Ishte mik dhe i besuar i thuajse të gjithë atyre me të cilët do të takohet. Ata ishin, kryetarë bashkie, ministra, presidentë shoqatash deri dhe presidenti i republikës, te cilët e konsideronin mik dhe bënin shumë për të. Dhe tani autori tregon rrugën por jo rrugëtimin. Rrugëtimi do vijë në faqet e romanit.

Mjetet me të cilat autori nderton romanin e tij plotësohen me, kartolinën. Është vertetë një kartolinë ku sheh katër objekte të ndertuar në një të shkuar relativisht të largët dhe duke e lidhur me kartolinat e tjera perforcon ndjesinë se; “në këtë vend njerëzit jetojnë më fort me të kaluarën se më të tashmen, pa bërë fjalë për të ardhmen, një dimension kohor që nuk ekziston këtu”. Secila nga kartolinat na jep jo ngjarjet por ato që ngjarjet shkruajne tek ai. Ia dergon vetes. Duket sikur po përgatit një skenar dokumentari.Në përmbajtjet e kartolinave, në menyren se si i shkruan, plot pasion dhe kulturë të vërtetë shkrimi, bëjnë të funksionojë dhe të vlerësohet romani.

Këto janë elementetet me të cilët autori mundëson narratorin në punën e tij për ndërtimin e “Piramidës së shpirtrave”. Para teje shpalosen personazhe të lidhur me fije të dukshme e të padukshme.Mark Mara, më shumë se si një personazh vjen si një frymë e cila ngadalë konturohet, ecën dhe zhvillohet me veprimtarinë e personazheve të tjerë. Duket një lëvizje e ndërsjelltë, s’merret vesh se kush ndërton tjetrin. Me ndërtim nuk kuptohet zhvillimi, por thjesht pasurimi.Nuk e di pse por të kujtohet Sanço Pança kur thotë: “Marrëzia ka më shumë myshterinj se urtësia”. Gjithçka lëviz shpejt; njeriu e ka të vështirë ta përceptojë të plotë sepse gjithmonëtë shpëton diçka që ta kthen pamjen në një rebus ku në vend të ideve shkelqejnë përparësitë. Kthehet dhe shikon se gjithçka kishte ndërtuar s’është gjë tjetër veçse diçka që s`i përket atij.

Do të kalojnë vitet dhe historianët do të shkruajnë për kohën kur “demokracia” duhej mbrojtur nga demokracia. Besoj se njerëzit, për këtë kohë do mësojnë më shumë nga faqet e këtij romani.
Duke e uruar autorin dëshiroj të citoj një varg të mrekullueshëm nga Rabinndranath Tagore :
“Bukuria është buzëqeshje e të vertetës”.
I uroj rrugëtim të mbarë librit “Piramida e shpirtrave” në një Shqipëri të ndërkryer ku sendet është e vështirë të thirren me emrin e vet.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ndarja e familjeve emigrante, 17 shtete amerikane padi kundër Trump

  17 shtete amerikane e kanë hedhur në gjyq administratën Trump mbi...
Read More