Legjislacioni për klerin mysliman gjatë viteve të komunizmit

Nga Denald Prifti

Doktorant, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë, Tiranë

Kumtesë në Ditët e Studimeve Shqiptare, prill 2016

Shqipëria për afro gjysmë shekulli përjetoi një formë komunizmi të ndryshëm nga ai i pjesës tjetër të Europës Lindore. Kjo ishte “një përzierje fatale” e diktaturës dhe izolacionizmit që e mbajti këtë vend të vogël Ballkanik në gjendjen e më të varfrit dhe më të shtypurit në të gjithë Europën. Gjatë mbretërimit të tij 40-vjeçar, udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha ndaloi fenë dhe e shpalli të paligjshme pronën private. Çdo lloj forme rezistence ndaj sundimit të tij u ndesh me shtypje të egra, që nga internimet, burgimet e gjata e deri tek ekzekutimet (Human Rights Watch/Helsinki, 1996, f.1)”. Aktet e nxjerra gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ishin: “Rezoluta e Konferencës së Pezës (16 shtator 1942), me të cilën Këshillat Nacionalçlirimtarë autorizoheshin të mbanin rregullin dhe qetësinë dhe t’i dënonin tradhtarët, elementët e kolonës së pestë dhe në përgjithësi të luftonin kriminalitetin. Rregullorja e Këshillave Nacionalçlirimtare e miratuar në Labinot (me 5 shtator 1943) në substratin e saj, në fakt ishte një lloj ligji penal në të cilën u parapanë llojet më të rëndësishme të veprave penale si dhe dënimet ndaj atyre që i kryejnë ato. Lidhur me këtë, në një urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Brigadës së 1 të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (5.09.1943) jepej nocioni i krimit politik (Salihu dhe Elezi, 2002, f. 83) Liria e besimit u zëvendësua gradualisht me politika që do të shpinin në mohimin e plotë të fesë, edhe pse në aktet e para ligjore e kushtetuese njihej de jure kjo liri. “Në Kushtetutën e Republikës Popullore të Shqipërisë të vitit 1946, ishte sanksionuar liria e ndërgjegjes dhe e besimit si dhe liria e ushtrimit dhe e praktikimit të tyre, e garantuar nga asnjanësia dhe laiciteti i shtetit”. Por, paragrafi i katërt i nenit 18 të kësaj kushtetute, në të cilin ndalohej që kisha dhe feja të shpërdoreshin për qëllime politike, shërbeu si bazë për persekutimin e dhjetëra klerikëve, të cilët u akuzuan për pjesëmarrje politike, me qëllim rrëzimin e regjimit (Sipas Pano, në “Fetë dhe Qytetërimet në Mijëvjeçarin e ri- Rasti i Shqipërisë-Konferencë Ndërkombëtare, 14-15 Nëntor 2003”, 2004, f. 209).

Kleri mysliman (Sunitët)

Qysh në vitin 1923, Bashkësia Myslimane Shqiptare, kishte shpallur Autoqefalinë e Xhamisë Shqiptare. Vitet ‘20-30 ishin vitet e fillimit të reformave edhe në këtë bashkësi. “Me Kodin e ri Civil Shqiptar, statusi fetar u zëvendësua me statusin personal laik. Duke zbatuar ligjin për komunitetet fetare të vitit 1929, sunitët shqiptarë, në Kongresin e tyre, morën një varg masash radikale, si: përdorimin ekskluziv të gjuhës shqipe për lutjet dhe predikimin; administrimin e centralizuar të gjithë pasurive të vakëfeve. Bektashinjtë, gjetën mbështetje të veçantë nga qeveria shqiptare e kohës (Anastasi, 2007, f. 197-198). Këshilli Drejtues i Rinisë Myslymane aktivizohet fuqishëm për rikthimin e statutit të vitit 1929 të këtij komuniteti. Por më “22 dhjetor 1945 qeveria miratoi statutin e ri të Komunitetit Myslyman Shqiptar, i cili edhe pse mbështetej në atë të 1929-s, kishte në përbërjen e tij një parathënie dhe 10 kapituj, si dhe aty-këtu kishte disa ndërhyrje dhe modifikime në krahasim me atë të kohës së Zogut … (Cimbalo, 2013, f. 92-93)”.

Vazhdimësinë legjislative e ndërpriste teoria socialiste pasi për sa: “i përket anës së brendshme, teoria socialiste e së drejtës i është përmbajtur parimit se revolucioni ndërpret çdo vazhdimësi midis shtetit të vjetër dhe shtetit të ri dhe se tipi i ri i shtetit, veçanërisht ai socialist, nuk ka asnjë vazhdimësi ligjore me shtetin e vjetër të përmbysur. Në bazë të këtij parimi, pas çlirimit të vendit, me ligjin Nr. 61, dt.17 maj 1945 të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar u shfuqizuan dhe u shpallën si të paqena të gjitha normat juridike të nxjerra gjatë kohës së pushtimit italian dhe gjerman…( Omari, 2004, f. 268, 277)”. Edhe parimi i unitetit të pushtetit, i cili në fillim u përfytyrua si një parim, i cili nëpërmjet epërsisë së organit më të lartë përfaqësues do të siguronte zbatimin e vullnetit të popullit, u shndërrua në praktikë në një fasadë prapa së cilës Asambleja Përfaqësuese (në Shqipëri Kuvendi Popullor) votonte mekanikisht projektligjet që i paraqiteshin dhe që kishin marrë paraprakisht pëlqimin e organeve të larta partiake… (Omari, 2004, f. 281).

Në vitin 1947 nisi ndikimi ndaj klerit Myslyman. “Me dekretin Nr.392,të janarit 1947 të Presidiumit të Kuvendit Popullor sqarohej se: ”dispozitat që ekzistonin përpara 7 prillit 1939 nuk mund të shërbenin në asnjë rast si dispozita në fuqi, se ato mund të shërbenin si rregulla ndihmëse, kur nuk ishin në kundërshtim me rendin e ri dhe përkohësisht, gjersa të viheshin norma pozitive të reja (Omari, 2004, f. 281). Por liria e ndërgjegjes dhe e fesë është një liri thelbësore, e brendshme e çdo individi dhe që s’duhet kufizuar e shmangur. Secili duhet të zgjedhë ose të ndryshojë bindjet ose fenë, si dhe t’i shfaqte bindjet fetare individualisht ose kolektivisht, në publik ose privatisht. E drejta dhe liria e fesë përfshin manifestimin e saj të jashtëm nëpërmjet riteve dhe praktikave. Në nenin 18 të Deklaratës Universale të vitit 1948 thuhet se: “Çdo person ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet si dhe lirinë për të manifestuar fenë ose bindjet, vetëm për vetëm apo bashkërisht, si në publik ashtu edhe privatisht, nëpërmjet arsimit, praktikave, kultit dhe kryerjes së riteve (Human Rights Watch/Helsinki, 1996,fq. 27)”.

Por, a ekzistonte në Shqipëri liria për të mbajtur institucione bamirësie, liria për të praktikuar kultin, për të blerë e për të shitur, liria për të shtypur, shkruar e shpërndarë botime në fushën fetare, për të mësuar një fe, për të kërkuar e për të marrë ndihma vullnetare financiare, liria për të përgatitur, emëruar, zgjedhur ose caktuar sipas radhës drejtues të përshtatshëm në përputhje me normat e fesë e të besimit, liria për të pasur mundësi komunikimi me individë, liria për të patur ditë pushimi për të shënuar festat fetare etj.

Përgjigjen do ta shohim gjerësisht më poshtë. Me miratimin e ligjit të ri për komunitetet fetare më 1949 jo vetëm që nuk u shtuan më shumë të drejtat dhe liritë e komuniteteve fetare, por përkundrazi, u pakësuan edhe më tepër. Ligji i ri hynte në mënyrën e organizimit të komuniteteve fetare si edhe në modifikimin e vullnetit të këtyre komuniteteve. Ai prekte lirine e komuniteteve fetare në shumë aspekte. Nëpërmjet tij pushteti gjithnjë e më shumë do të fillonte të zgjeronte kontrollin mbi bashkësitë fetare. Ai jo vetëm që do t’u cenonte pavarësinë këtyre komuniteteve, por kjo pavarësi më kalimin e kohës do të zhdukej pothuajse tërësisht. Nëpërmjet ndërhyrjeve, pushteti do të ndikonte te komunitetet fetare si edhe tek ai myslyman, në mënyrë që të ndryshonin statutet, rregulloret, mendimet dhe qëndrimet e tyre, si dhe çdo aspekt tjetër që binte ndesh me politikën e ndjekur nga pushteti i asaj kohe. Dekretligji i Komuniteteve fetare i vitit 1949 parashikonte se: “Çdo komunitet fetar duhet të rishikojë statutin e vet për ta përshtatur me 37 nenet e dekretit e më pas t’ia paraqesë atë për miratim Këshillit të Ministrave. Në këtë mënyrë sheshohen veçoritë e kulteve të ndryshme…dekreti parashikon ta thjeshtojë përbërjen e organizatave fetare (neni 8)…Sipas Statutit të ri, zgjedhjet e drejtuesve të komunitetit fetar, të rregullores së tij, buxhetit, botimeve, të vulave dhe shenjave të tjera simbole duhet të kenë miratimin e Këshillit të Ministrave. Duke e krahasuar këtë dekret me atë të kohës së Zogut, mund të thuhet se ai mbart ndryshime rrënjësore në statusin juridik të komuniteteve fetare, pasi u kufizon ndjeshëm lirinë e veprimit dhe ndërhyrjen në punët e brendshme… (Cimbalo, 2013, f. 116)”. Ky Dekret-ligi kërkonte të dhëna biografike për personelin fetar, si dhe çdo veprim që do të bëhej, do të bëhej vetëm me miratimin e qeverise. Gjithashtu duhej të dëshmohej besnikëri ndaj pushtetit në fuqi, të ushtrohej kontroll ekonomik mbi buxhetin e komunitetit, ndalohej ose kufizohej ndërtimi i institucioneve arsimore, kulturore e humanitare të këtyre komuniteteve.

Në nenin 12 të këtij dekretligji thuhej se: “Komunitetet fetare me aktivitetin e tyre duhet të zhvillojnë në besimtarët ndjenjën e besnikërisë ndaj pushtetit të popullit… (Qazimi, 2014, f. 24)”. Ky Nen shkelte lirinë e besimin, edhe pse liria e besimit: “është një ndër liritë mjaft të rëndësishme dhe e kushtëzuar nga roli i fesë në zhvillimin e personalitetit të njeriut. Në anën tjetër, kjo paraqet kusht dhe garancion edhe të lirive dhe të drejtave personale e politike të tjera të njeriut (Saliu, 2004, f. 226)”.

Statuti i 29 qershorit 1950 i Komunitetit Mysliman Shqiptar, në nenin 2, vinte kushte pasi në të thuhej se:” Komuniteti Mysliman Shqiptar ka për detyrë të ngjallë e të zhvillojë në besnikëri ndjenjat e dashurisë e të besnikërisë…ndaj pushtetit popullor…( Qazimi, 2014, f. 57)”.

Ndikimi politik me anë të ligjeve e të urdhëresave, do të vinte duke u rritur gjithnjë e më shumë me kalim e viteve si edhe vijoi me konsolidimin e mëtejshëm të pushtetit popullor, të Partisë dhe më pas të Marksizëm-Leninizmit. Botimet që duhet të bëheshin, mund të botoheshin vetëm pasi të ishin kontrolluar nga organet e pushtetit, dhe buxheti i Bashkësisë Myslymane varej nga shteti dhe të gjitha pasuritë e tyre ishin në kontrollin dhe verifikimin e shtetit. Siç e shohim komunitetet fetare si dhe ai Mysliman nuk kishin autonomi në administrimin e tyre dhe ishin te kontrolluara.

Në nenin 52 po të Statutit të 1950-es shihet më qartë kjo që shprehëm më sipër, ku: “Nuk mund të pranohen n’asnjë mënyrë, ose të dërgohen dhuratë ose subvencione nga shtetet e huaja përveç kur është pëlqyer nga Kryeministria (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490,viti 1950, d. 2211, fl. 7. Dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor mbi aprovimin e Statutit të Komunitetit Mysliman)”.

Pra “Komuniteti Myslyman Shqiptar financohej nga shteti; të ardhurat e veta nga vakëfet dhe ndihma të ndryshme, duke u përjashtuar ndihmat nga jashtë (Dervishi, 2006, f. 635).

Gjithashtu drejtuesit e institucioneve fetare duhet të kishin bekimin e Partisë dhe të pushtetin përpara se të zgjidheshin në krye të institucioneve këtyre komuniteteve. Sipas dokumenteve të kohës del se: “ në se Partija dhe Qeverija e jonë demokratike e ka ngrit besimin ndaj personit tonë, lutemi me na njoftue që kë ahtu të hiqen nga ofiqet e Drejtorit të përgjithshëm të vakfve dhe nga ai i Kryesisë së Kiomunitetit Mysliman; tue ndej gjthmonë besnik i patundun i Partisë, i Qeveries dhe i principeve demokratike të regjimit t’onë popullor (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1950,d. 2215, fl.6. Mbi Kryesin e Komunitetit Mysliman)”. Sipas nenit 13 të dekret ligjit për komunitetet fetare të vitit 1949: “pasi të zgjidhen ose të emërohen nga organet fetare kompetente duhet të aprovohen nga Këshilli Ministerial ( Qazimi, 2014, f. 24 )”.

Edhe në rregulloren e aprovuar në vitin 51 të Komunitetit Mysliman Shqiptar kishte ndikime të pushtetit. Në nenin 49 thuhej se: “I gjithë personeli i trupit mësimuer për t’u marrë në shërbim duhet të ketë këto kondita:-ku veç të tjerave kërkohej edhe- c) të ketë sjellje morale e politike të mira, të vërtetuara nga organet kompetente të Shtetit (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1954,d. 1109, fl. 7)”. Po kështu edhe në emërimin e Veizit dhe të funksionareve të tjerë të Komunitetit, sipas nenit 91,107, 113 të rregullores së mësipërme, duhet patjetër të kishin dokumente mirësjellje, të kishin sjellje të mirë politike dhe të paraqisnin biografitë e tyre.

Më konkretisht në nenin 91 thuhej se: “Për emnimin e Vaizit, Imamit nevojiten konditat që vijojnë: b) të ketë dokumenta mirë-sjellje, morale dhe politike nga organet Shtetnore kompetente. c) Të paraqesin biografitë e tyre dhe dokumentet e studimeve që kanë bërë.-Gjithashtu në nenin 113 thuhej se- Kontar fonksionarëve t’administratës së Komunitetit dhe të Drejtorisë Përgjithshme të vakfeve, kur nuk respektohen udhënimet e Statutit dhe të rregullores në të kryemit e detyrave të tyre, mirren masa disiplinore, sipas randësisë së rastit, të cilat janë: 1) Vërejtje e lehtë; 2) Vërejtje me shkrim dhe shënim në biografi… (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1954, d.1109, fl.14, 16)”. Edhe Rregullorja e Medresesë së Përgjithshme të Komunitetit Mysliman Shqiptar, në nenin 3 të saj sanksiononte se “në Medresenë e Përgjithshme pranohen ata studenta që kanë këto kondita -ku ndër të tjera kërkohej edhe- b)Të ketë sjellje të mira morale e politike (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1954. d.1109, fl.2.Rregullorja e Medresesë së Përgjithshme të Komunitetit Mysliman Shqiptar)”.

Po kështu edhe në nenin 52 të kësaj   Rregulloreje kërkohej që: “Kandidatët për bursë ose me pagesë duhet t’i paraqesin në Kryesi te Komunitetit Mysliman dokumentet e nevojshme. Këto dokumenta janë: -veç të tjerave edhe- ç) çertifikata e mirësjelljes së kandidatit ku të shënohet dhe gjendja shoqërore e politike e familjes së tij… (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1954,d.1109, fl.6)”. Edhe Rregullorja e sektit Halevit që varej nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në nenet 18-19 të saj shprehej se: “Të gjithë Klerikët e sektit Halevit duhet të jenë…përkrahës t’interesave të popullit dhe besnik të Pushtetit Popullor të republikës Popullore të Shqipërisë…-për kryerjen e detyrave duhet të kenë- konditë të mirë morale shoqnore e politike, duhet të jenë benik të Pushtetit Popullor (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1954,d. 1110, fl.2.Rregullore Themeltare e sektit Halevit)”.

Gjatë kësaj kohe kur në Shqipëri u cenonin liritë dhe të drejtat, në vendet e zhvilluara perëndimore vepronte “Konventa Europiane për të Drejtave te Njeriut” e vitit 1953, ku në nenin 9 të saj thuhej: “1. Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet, si dhe lirinë për të shfaqur fenë e vet ose bindjet qoftë individualisht, qoftë së bashku me të tjerë, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, arsimit, praktikave dhe kryerjes së riteve. 2. Liria e shfaqjes së fesë ose bindjeve mund t’i nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve që janë të parashikuara me ligj dhe janë të domosdoshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurimit publik, për mbrojtjen e rendit, shëndetit dhe moralit publik, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve (Puto, 2002, f. 55). Jo vetëm që s’u arritën kërkesat e nenit 9 të Konventës Europiane ku Shqipëria u bë pjesë më 1995, por nuk u respektuan as të drejtat më minimale lidhur me lirinë dhe të drejtat e besimit.

Në statutin e Komunitetit Mysliman Shqiptar të vitit 1964, në nenin 2 të tij thuhej se: “Komuniteti Mysliman Shqiptar ka për detyrë…të zhvillojë ndjenjat e dashurisë e të besnikërisë ndaj…Pushtetit të Popullit…(AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1964,d. 1253, fl.14.Statuti i Komunitetit Mysliman Shqiptar 1963)”. Po kështu edhe rregullorja e re e brendshme e komunitetit mysliman të vitit 1964, në nenin 42/b sanksiononte se: “Në Medrese pranohen nxanës që kanë këto kondita: b)Të kenë sjellje të mira morale dhe politike (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1964,d. 1253, fl. 95. Rregullore e Mbrendshme e Komunitetit Musliman Shqiptar 1964).

Po kështu kërkohej në nenet e tjera të kësaj rregulloreje lidhur me emërimin e Veizit e të Imamit, dhe të nëpunësve të tjerë të administratës së komunitetit mysliman shqiptar, biografia, vërejtjet në biografi. Në relacionet mbi rregulloren e re thuhej se duhej të kërkohej më shumë lidhur me sjelljen shoqërore e politike të funksionarëve të komunitetit dhe ndaj besimtarëve.

Bektashizmi dhe rendi juridik i periudhës komuniste

Këshilli i Komunitetit Bektashian u mblodh më 10 shkurt të vitit 1945 dhe vendosi të organizonte në Tiranë në datat 2-5 maj 1945, Kongresin IV të Bektashinjve. Më 25 qershor 1945 u miratua një status, ku thuhej se “Detyra kryesore e Komunitetit Bektashian ishte ajo e promovimit dhe e zhvillimit të ndjenjave fetare dhe merrte përsipër të rrënjoste te besimtarët besnikërinë ndaj pushtetit popullor, Republikës dhe vendit…Këshilli i Ministrave, me vendim nr.25 të datës 14 korrik 1945, miratoi statutin e Komunitetit Bektashian të Shqipërisë (Cimbalo, 2013, f. 94-96)”. Në statutin Bektashian të vitit 1929 ishte vendosur se: “Organet e Komunitetit kanë për detyrë kryesore të jenë kurdoherë përkrahësit e përmirësimit të gjendjes shoqërore, të bashkimit e të vëllazërimit të popullit,…( Qazimi, 2014, f. 80)”. Ndërsa në statutin e 4 majit 1950 ishte krejt e kundërta pasi: “Kleri Bektashian krahas me zhvillimin e ndjenjave fetare do të zhvillojë ndër besnikët dhe ndjenjat e besnikërisë ndaj Pushtetit… (Qazimi, 2014, f. 92)”.

Po kështu edhe në rregulloren e Përgjithshme të administrimit të brendshëm të Komunitetit Bektashian Shqiptar në nenin 1 të saj thuhej se: “Si konditë e domosdoshme që një person të jetë Myship, Dervish, Prin (Baba), Gjysh e Kryegjysh në Shqipëri, pas konditave të tjera që kërkohen nga nenet e mëposhtme, duhet të jetë besnik ndaj Pushtetit Popullor… (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1951,d. 1918, fl.1)”. Pothuajse një përkufizim i ngjashëm dhe për besnikëri ndaj pushtetit popullor jepej edhe në nenin 19 të kësaj rregulloreje.

Fryma juridike, teknika legjislative e përdorur në këtë statut kishte prekur edhe thelbin e vërtetë ligjor e fetar të vetë statutit. Me dokumentet e mëparshme ligjore asnjë komunitet fetar nuk mund të fitonte personalitetin juridik. Kështu që edhe për Bektashianët si për të gjitha komunitetet e tjera duhet që statuti i tyre, pasi të ishte parë në hollësi nga qeveria dhe organet e tjera të pushtetit të miratohej dhe vetëm në këtë rast Komuniteti Bektashian fitonte personalitet juridik.

Edhe statuti i Komunitetit Bektashian duhet të ishte në përputhje me dekretligjin e vitit 1949. Në të kundërt ky statut i këtij Komuniteti nuk mund të miratohej. Në statutin e Komunitetit Bektashian vihet re ndikimi politik si në aspektin ekonomik, qe kishte të bënte me administrimin e teqeve, por edhe të pasurive të luajtshme e të paluajtshme, si edhe te burimet e financimit. Gjithashtu prekej edhe aspekti administrative i organizimit të këtij komunitetit.

Gjithashtu “Kryegjyshi e kishte thuajse të pamundur të ushtronte detyrën e tij si ndërmjetës mes Komunitetit Bektashian shqiptar dhe besimtarëve të tjerë të shpërndarë nëpër botë (Cimbalo, 2013, f. 133)”. Pra siç e vërejmë më sipër, pushteti i asaj kohe me anë të ligjeve kishte arritur të vinte nën ndikimin e tij politik edhe Komunitetit Bektashian, pasi de facto kjo ishte arritur plotësisht. Edhe në zgjedhjen e personave në drejtimin e Komunitetit Bektashian Shqiptar ndikonte pushteti dhe kjo vërehet përveç të tjerave në nenin 41 të Statutit të Bektashinjve të 1950-tës, ku: “Gjyshi konform traditave të shenjta bektashiane, propozohet nga prindërit e juridiksionit të gjykatës përkatëse me pëlqimin e këshillit të lartë gjyshnuer, zgjidhet nga Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Bektashian dhe mbasi merret aprovimi i Këshillit Ministror, dekretohet prej Kryegjyshit (Qazimi, 2014, f. 103)”.

Siç vërehet, nëse pushteti nuk do të jepte aprovimin në formë shkresore, personi i propozuar nga komuniteti bektashian nuk mund të zgjidhej në postet drejtuese fetare. Pra pushteti politik, e kishte eklipsuar nëpërmjet ligjeve politike, pushtetin fetar. Pushteti fetar nuk mund të dilte kundër pushtetit politik, pasi në të kundërt, me anë të ligjeve mund të shpallej i jashtëligjshëm. Edhe në nenin 48 të këtij Statuti lidhur me funksionimin e shkollave fetare dhe të programeve shkollore dukej ndikimi politik, ku duhet të: “caktohen në rregullore të veçanta të përpiluar prej Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit dhe t’aprovuar nga Këshilli Ministror (Qazimi, 2014, f. 105)”. Më poshtë po paraqesim vërejtjet që ju bënin Statutit të Bektashinjve në Kongresin V Bektashian, nga vete Organet drejtuese të tij të ndikuar nga pushtetit politik i asaj kohe: “Statuti i Komunitetit bektashian nuk është hartuar me një teknicizëm juridik të mirë dhe jo me një formulim gjuhësor të pastër dhe të kthjelltë. Dispozitat juridike nuk janë në lidhje të rregullt si radhitje logjike midis tyre…Lufta na edukojë dhe na vëllazërojë ndër mjet njëri-tjetrit. Partija dhe pushteti ka punue dhe punon për këtë vëllazëri… (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1950,d. 2220, fl. 2,4.)”. Në referatin e mbajtur nga Kryeshenjtëria e tij Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve të Shqipërisë, Ahmet Myhtar Dede, me rastin e hapjes së Kongresit V të Bektashinjve Shqiptarë më datë 16 Prill 1950 shprehej se: “Në hartimin e Statutit të kemi parasysh që dispozitat e tij të kenë karakter real sepse vetëm kështu mund ti shërbejmë Komunitetit t’onë, e sidomos tash që shofim të realizuara të gjitha andërrimet t’ona shekullore të cilat nuk mund të arrijeshin pa ekzistencën e një Pushteti Popullor…Zhvillimi në përgjithësi i shoqërisë t’onë që udhëhiqet nga politika e drejtë dhe e urtë e Partisë së Punës të Shqipërisë dhe shokut Enver, ku çdo njeri sot merrë frymë lirisht dhe sijcilido pa dallim race, feje, pozite dhe kombësije gëzon të gjitha të drejtat e tija dhe të barabarta të cilat janë të paprekshme sepse janë të garantuara me ligjet e drejta të Pushtetit t’one Popullor… (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1950,d. 2220, fl.17-18)”. Ndikimi në vitet 60 erdhi duke u rritur dhe kjo nuk u vu re vetëm në praktikë, por edhe në aktet ligjor të kohës. Në relacionin e vitit 1963, mbi disa ndryshime në Statuti e Komunitetit Bektashian thuhej “Neni 18 çfuqizohet për arsye se: Mbledhja e dyfishtë e Këshillit të Përgjithshëm, për zgjedhjen e kryegjyshit shkaktonte shpenzime të kota…Neni 62 çfuqizohet për arësye se përmban flamurin fetar të Komunitetit që nuk pajtohet me kohën…neni 36 ndryshohet si vijon: kryegjyshi botëror dhe dy gjyshërit e caktuar nga ky si zëvendës të tij përbëjnë kryesinë e Komunitetit Bektashian, por barra e përgjegjësisë, para Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe elementit bektashian i bie personalisht Kryegjyshit (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1963,d. 1081, fl. 2,3,4. Projektdekreti dhe projektvendimi i aparatit të Këshillit të Ministrave mbi disa ndryshime në statutin e komunitetit)”.

Edhe në shkollat fetare, por edhe mbi ndërtesat e komuniteteve fetare u shtri ndikimi i pushtetit politik të kohës. Në vitin 1964 Këshilli i Ministrave bënte relacionin përkatës ku shprehej se: “Gjatë periudhës 1954-1964 kontigjenti i nxënësve të kësaj shkolle-medresë-ka ardhur vazhdimisht duke u pakësuar (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1964,d. 1253, fl.1. Statuti, rregullorja dhe korrespondenca e Këshillit të Ministrave me komunitetin mysliman, mbi veprimtarinë e klerit mysliman)”. Gjithashtu “Komisioni i xhamisë të katundit Ngjegjar të lokalitetit të Raskovecit, ankohen se u është prishur xhamia nga kryetari i kooperativës bujqësore… (AQSH, F. Kryeministria, nr. 490, viti 1964,d. 1253, fl. 1.Informacion mbi prishjen e xhamisë së katundit Ngjegjar në Raskovec”.

“Kongresi i Katërt i Partisë së Punës së Shqipërisë (13-20 shkurt 1961) shënoi një pikë në të cilën udhëheqësit shqiptarë filluan të hedhin themelet e Revolucionit të tyre Ideologjik dhe Kulturor (Sipas Pano, në “Fetë dhe Qytetërimet në Mijëvjeçarin e ri- Rasti i Shqipërisë-Konferencë Ndërkombëtare, 14-15 Nëntor 2003”, 2004, f. 151)”.

Sipas ideologjisë politiko-ligjore të asaj kohe “Parimi i ligjshmërisë socialiste u përpunua nga V.I.Lenini qysh në ditët e para të Revolucionit të Tetorit…Gjatë këtyre 25 vjetëve -(1944-1969)- me iniciativën dhe nën udhëheqjen e partisë, brenda një kohe të shkurtër, në vendin tonë u krijua një legjislacion i gjerë socialist…Partia jonë, në mënyrë të veçantë shoku Enver, duke u mbështetur në tezat e njohura të marksizëm-leninizmit mbi ligjshmërinë në kushtet e shtetit të diktaturës së proletariatit, gjatë këtyre 25 vjetëve i kanë konkretizuar, pasuruar dhe zhvilluar ato më tej. Në saje të kujdesit të partisë dhe të sh. Enver ne sot kemi një vijë të përpunuar në mënyrë të hollësishme mbi ligjshmërinë… (Sipas Çela, ne “Ligjshmëria socialiste armë e fuqishme e shtetit tonë të diktaturës së proletariatit-kumtesë në Konferencën Kombëtare të Studimeve Shoqërore, 25-vjetori i çlirimit”, 1969, f. 1-2,14,18)”. Në frontin fetar, nga fundi i verës së vitit 1967, kisha, teqe e xhami, në Shqipëri ishin mbyllur. Disa prej tyre ishin shkatërruar, ndërsa të tjerat ishin kthyer në magazine, muze, teatro apo garazhe. Të gjithë klerikët e vendit u zhveshën nga e drejta e ushtrimit të profesionit të tyre dhe u caktuan në punë të tjera, dhe ata që rezistuan u burgosën. Me revolucionin kulturor e ideologjik të vitit 1969 regjimi tanimë u mbështet më fort tek propaganda se sa tek sulmet kundër ngrehinave fetare, për të siguruar se Shqipëria në të vërtetë ishte bërë dhe mbetej një shtet ateist. Edhe në kodin Penal të kohës komuniste u ashpërsuan dënimet ndaj funksionarëve fetarë, pasi vepra penale e tradhtisë dënohej me burgim ose me vdekje. “Më 1973 një prift katolik u akuzua për tradhti në formën e arratisjes nga Shqipëria. Prokurori i çështjes kërkoi një dënim prej 15 vjetësh burg, kurse gjyqtari i faktit (shkallës së parë) e ktheu dënim me vdekje (Human Rights Watch/Helsinki, 1996, f. 43)”. Duhet thënë se që nga viti 1967 vendi ynë kishte shkatërruar institucionet fetare dhe me Kushtetutën e vitit 1976 e kishte shpallur Shqipërinë shtet ateist dhe nuk njihte tanimë jo vetëm de facto por edhe de jure fenë dhe besimin në vend. Kjo Kushtetutë s’njihte fe zyrtare, ajo zhvilloi propagandën ateiste, dhe botëkuptimin materialist shkencor. Sipas saj: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor (Ligj Nr.5506, datë 28.12.1976 Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste e Shqipërisë, Neni 37). Kjo kushtetutë vazhdoi të jetë në fuqi deri në Prill të vitit 1991. Ndalohej “krijimi i çfarëdo organizate me karakter fashist, antidemokratik, fetar dhe antisocialist (Ligj Nr.5506, datë 28.12.1976, Neni 55)”. Partia e Punës e Shqipërisë, pararoja e klasës punëtore, është forca e vetme politike udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë (Ligj Nr.5506, datë 28.12.1976, Neni 3). Liria e besimit është sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë si një e drejtë themelore vetjake dhe parimi i bashkëjetesës fetare, si një nga bazat e këtij shteti. Garantimi i saj në Kushtetutë shënon një shkëputje të plotë nga përvoja e mohimit të kësaj lirie përgjatë regjimit komunist (Anastasi, 2009, f. 150). Me hyrjen në fuqi të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale skema tradicionale e procesit penal inkuizitor ndryshoi në mënyrë thelbësore, sepse ai u konceptua dhe u ndërtua mbi bazën e parimeve të procesit akuzator,… modern (Ligori, 1999, f. 2). Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, me mijëra njerëz janë pushkatuar, burgosur dhe përndjekur për arsye politike. Të burgosurit dhe të përndjekurit politikë kanë qenë të detyruar të jetojnë në kushte tepër të vështira…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për Ramën, Berishën dhe Metën s’ka më shpëtim

Nga Spartak Ngjela Jezu Krishti iu tha priftërinjve të tempullit të Jeruzalemit...
Read More