Lehtësimi sasior: Financimi monetar direkt dhe përshtatja në rastin e Shqipërisë

Nga treguesit statistikorë, që paraqiten sipas harkut të viteve të fundit kuptohet që konsumi dhe qarkullimi i parasë po kalojnë periudha që konsiderohen me probleme, veçanërisht nëse nuk ndryshohet tendenca e tyre.

Duke marrë parasysh lehtësimin sasior dhe instrumente më agresivë se ai, si një mënyrë efektive për të shpëtuar nga thellimi i borxhit publik nga problemet e trashëguara dhe ato që mund të krijohen, është e nevojshme që debati teknik i udhëhequr nga Banka qendrore të fillojë të strukturohet bazuar mbi idetë, propozimet dhe përvojat e sugjeruara europiane dhe ndërkombëtare. Ky shqetësim vjen natyrshëm pasi në mungesë të informacionit se cilat janë programet e parashikuara për reagim nuk duhet të pritet të afrohet rreziku i deflacionit dhe stanjacionit ekonomik, por të paralajmërohen risqet dhe masat më përpara edhe për aktorët e ekonomisë, por edhe për konsumatorët. Për të marrë masa duhet më përpara të verifikohet nëse ka rrezik sistemi financiar dhe ekonomia shqiptare apo janë thjesht informata të rreme dhe me bazë vetëm politike? Dy sinjalet më të dukshme për t’u marrë në konsideratë nga politika monetare janë probleme me kërkesën për mallra dhe shërbime të konsumatorëve, e shprehur me indeksin e rënies së konsumit, si dhe problemet me qarkullimin e parasë. Nga treguesit statistikorë, që paraqiten sipas harkut të viteve të fundit kuptohet që konsumi dhe qarkullimi i parasë po kalojnë periudha që konsiderohen me probleme, veçanërisht nëse nuk ndryshohet tendenca e tyre. Sinjali që tregon rënien e çmimeve shikohet nga indeksi mesatar i konsumit të periudhës 2011 deri 2015 është 1.7 për qind, ndërsa indeksi mesatar i konsumit për periudhën 2006-2010 është 2.97 për qind.

Ndryshimet vjetore të indeksit të Çmimeve të Konsumit 2011-2015 2011 2012 2013 2014 2015
1,7 2,4 1,9 0,7 2,0

Ky tregues duke e parë edhe me nivelin e çmimeve të konsumit për muajin Shkurt 2016 me 0.2 për qind dhe në muajin Mars 2016 me 0,3 për qind është një tregues që flet gjithsesi për një konsum që shoqërohet me volum shpenzimesh më të ulëta krahasuar me muajt e vitit të kaluar me të cilin krahasohet. Nëse vërejmë treguesin tjetër, që tregon volumin për pagesat që kryejnë individët dhe bizneset për shpenzimet ditore të tyre (treguesi M1) duket se nuk ka rritje në vitin 2015, por një rënie deri 4 pikë për qind krahasuar me vitin 2014.

Paraja që përdoret në çdo kohë si mjet pagese dhe në llogari rrjedhëse 2012 2013 2014 2015
1,6 5,2 19,4 15,7

Pasi faktet janë ashtu si paraqiten më lart, Banka qendrore dhe qeveria nuk kanë arsye të mos pranojnë se nuk ka prova (bindëse apo jo mbetet të analizohen më tej) për të mos marrë në konsideratë politikat agresive monetare duke filluar nga lehtësimi sasior dhe për të shkuar më tej.

Në momentin që pranohet se nevojiten politika agresive monetare, duhet të analizohet vlefshmëria dhe efikasiteti që kanë dhënë instrumentet e përdorura në vendet e Europës.

Rastet europiane

Lehtësimi sasior ka nxitur mjaftueshëm hedhje paraje, por nuk ka arritur dot të rritë furnizimin me para që nxitin kërkesën konsumatore. Në Britaninë e Madhe, lehtësimi sasior nuk dha efekte të rëndësishme në çmimet e konsumit edhe pse në vitin 2009, ky instrument pati efektin e pritshëm. Paraja e hedhur nuk u fut në qarkullim në ekonomi, por në bursën e aksioneve. Ai mbeti në rrjetat e fondeve të investimit, banka, brokera. Pra, paraja nuk arriti dot deri te konsumatori që përbën dhe bazën e gjerë të konsumit në ekonomi. Lehtësimi sasior ka dhënë efekte pozitive vetëm atëherë kur ai ka qenë i zbatuar në bashkëpunim me stimuj fiskalë, pasi kjo simbiozë ka neutralizuar norma e rritura të interesit që do t’i kishte shkaktuar deficiti dhe rritja e borxhit. Politikat fiskale duhet të ndërmerren në një mënyrë që nuk do të përkeqësojnë situatën e borxhit. Në mënyrë të veçantë, për qeverinë dhe taksapaguesit, që të lirohen në mënyrë efektive prej borxhit dhe detyrimeve tatimore të lidhura me shlyerjen e tij, nëse do të kryejnë blerje të bonove qeveritare sipas modelit të lehtësimit sasior, kjo masë duhet të shoqërohet nga një klauzolën stabiliteti për mbajtjen permanente të borxhit, ku Banka qendrore duhet të ndërmarrë në mënyrë të qartë angazhimin që të mbajë bonot e blera nga qeveria përgjithmonë. Nëse, politika e lehtësimit sasior nuk e parashikon një mekanizëm veprimi si më lart, atëherë barra e këtyre bonove të blera bëhet një borxh i ri që qeveria do ta shkarkojë si barrë tatimore në supet e tatimpaguesve shqiptarë. Pra një kombinim i politikës monetare me politikën fiskale është i nevojshëm për të imituar një formë të veprimit të helicopter money, ku politika monetare dhe fiskale reciprokisht bashkëveprojnë, pa kosto shtesë për tatimpaguesit, për të siguruar që paraja e re është krijuar dhe do të shpenzohet në sektorët e ekonomisë, veprim i cili ndodh vetëm nëse ndodh ky koordinim midis dy politikave. Për të kaluar në një instrument më agresiv se lehtësimi sasior analiza mund të vijojë me përdorimin e blerjes së borxhit qeveritar nga Banka qendrore dhe mbajtja e tij në librat e llogarisë së saj. Ky borxh i blerë sipas politikës së njohur në botë me monetizim të borxhit do të konsiderohet si një kreditim i politikave fiskale të buxhetit, por pa asnjë interes, përveçse regjistrimi i tij si një borxh që qeveria i ka për të paguar në periudha afatgjata bankës qendrore. Kjo fazë do ti japë qeverisë të rimarrë hapësirën fiskale të nevojshme dhe njëkohësisht do të kreditojë kapacitete të reja shpenzimesh në ekonomi. Ndërsa efektet anësore të inflacionit mund të kontrollohen nga Banka qendrore nëpërmjet politikave të ndrydhjes së tij. Megjithatë, mbetet e rëndësishme që analiza të konsiderojë pasoja që mund të lindin midis përballjes së vendimit për të krijuar para me objektivat e politikës monetare që banka qendrore ndjek. Këto pasoja nuk do të ndryshojnë, në qoftë se financimi i deficitit bëhet direkt nga Ministria e Financave (Thesari) nëpërmjet lëshimit të bonove nisur nga konteksti i një konsolidimit të bilancit buxhetor. Një rast që duhet të studiohet është ajo që qeveria italiane do të zbatojë lidhur me lëshimin e bonove të quajtura Certifikata Kreditimi Tatimore (ÇKT). Ky kreditim i personalizuar për qeverinë italiane planifikon që të mbyllë boshllëkun e krijuar në produktivitetin e ekonomisë, e cila ashtu si rasti i ekonomisë shqiptare operon me një kapacitet të pashfrytëzuar dhe ku politika monetare nuk ka më efekt, nëse nuk zbaton politika agresive.

Certifikata e Kreditimit, e cila nuk ka kosto për individin apo biznesin përfaqëson fatura të qeverisë por që nuk ka asnjë detyrim për rimbursimin e tyre në të ardhmen. Përkundrazi, këto Certifikata dy vjet pas lëshimit të tyre do të pranohen si instrumente pagese për të përmbushur detyrimet financiare ndaj shtetit italian (taksat, kontributet shoqërore e shëndetësore, etj.). Nëpërmjet saj do të fillojë rimëkëmbja e rritjes ekonomike duke filluar të shërojë problemet e krijuara dhe në të njëjtën kohë të plotësojë kërkesat e përcaktuara nga Banka Qendrore Europiane. Bizneset italiane dhe punonjësit, me disponimin e tyre mund ti këmbejnë në bankat e nivelit të dytë në euro dhe ti përdorin ato për shpenzime. Vlera gjithsej e tyre do të jetë në një shumë prej 200 miliard euro në vit dhe me zgjatje deri në 2018, me synim ndoshta për të vijuar deri në 2023. Mbetet të sugjerohet që zbatimi i politikës së lehtësimit sasior do të japë efekte në rastin më të mirë vetëm te bankat e nivelit të dytë, për të mbyllur performancën e keqe me huat problematike që kanë regjistruar dhe shtuar si borxh i keq në llogaritë e tyre. Kërkesa konsumatore dhe investimet, shpërndarja efikase e burimeve sipas riskut, rritja e produktivitetit janë ndoshta të gjitha duke u mbajtur peng nga një politikë agresive monetare si lehtësimi sasior i kombinuar me politikën fiskale. Shpresat për shërim të qëndrueshëm të ekonomisë ndoshta janë duke u realizuar nëse zgjidhet drejtimi i duhur i politikave.

Financimi i hapur dhe informaliteti

Në konkluzione të mjaft studimeve dhe nga eksperienca të ndryshme është theksuar se efekti i ekonomisë informale është i rëndësishëm për dimensionimin e ekonomisë formale, por e kundërta është me më tepër efekt. Është fakt që pranohet se sektori informal, për shkak të mos mbartjes së një barre fiskale është më konkurrues dhe më efektiv në treg. Por, një pengesë e madhe për bizneset e sektorit informal është mundësia mjaft e kufizuar për tu zgjeruar dhe rritur si biznese të mëdha. Atyre u duhet që ta mbajnë nivelin e veprimtarisë në nivele statike, apo ta kufizojnë aktivitetin për të mos u diktuar nga radarët e qeverisë. Në të njëjtën kohë fuqia punëtore që kontribuon në sektorin informal nuk arrin të jetë gjithë kohën produktive dhe konkurruese në raport me fuqinë punëtore të sektorit formal. Në këtë mes hyn korrupsioni dhe ndërgjegjja e politikës që toleron këtë mundësi. Një arsye më shumë për të diskutuar për të është periudha kur politikat fiskale ndryshojnë dhe përpiqen të marrin administrimin në konsideratë. Në këtë drejtim modeli që po përçon qeveria e re është një fillim për konsolidimin e vëmendjes ndaj administrimit në politikë bërjen e sistemit fiskal. Në gjithë këtë periudhë të dekadës së fundit evazioni ka rrënjë të përforcuara. Edhe politika fiskale, e cila është me një vijueshmëri modernizimi për administrimin, të paktën nga 2008 deri më sot ende nuk e ka konsoliduar bazën tatimore të secilit tatim kryesor (TVSH, Tatim fitimi, TAP). Rritja e ekonomisë informale është parë se ka qenë e shoqëruar gjatë gjithë periudhave nga një barrë e rëndë për tatimpaguesit e regjistruar, si dhe nga një ndërrim i shpeshtë i rregullave dhe ligjeve të administrimit. Gjithashtu, për autoritetet fiskale ka qenë e vështirë zgjerimi i bazës tatimore, gjë e cila është politika më e vlefshme për tu filluar menjëherë, nisur nga fakti që duhej të ishte bërë kohë më parë. Por, logjikën e politikës fiskale duhet ta shikojmë si një harmonizim të interesave të individit, me specifikat e tij të të ardhurave që fiton, si dhe buxhetit me nevojat në rritje duke qenë se kërkesat për shërbime dhe investime duhet vetëm të rriten. Kështu, p.sh. Nëse nuk arrijmë të harmonizojmë shkallët e tatimit mbi të ardhurat nga paga me tatimin mbi kapitalin, atëherë me kalimin e kohës politika fiskale ka privilegjuar një grup individësh duke i taksuar më shumë se grupi tjetër, për të njëjtat shkallë tatimore të ardhurash.

Si ndodh në realitet?

Një individ merr pagë për punën që bën, ndërsa një individ tjetër blen një aset (shtëpi, magazinë, dyqan, auto) dhe nëpërmjet shitjes së tij krijon një fitim nga kapitali i shitur. Të dy individët edhe pse kanë të njëjtin fitim bëjnë pjesë në grupe të ndryshme taksimi, për të ardhurat e fituara. Ky shembull përpiqet të tregojë se nëse njëri individ nuk mbart të njëjtën barrë si individi tjetër, atëherë politikë bërësit duhet të gjejnë një përgjigje për secilin rast, edhe pse kjo nuk është një detyrë e lehtë dhe që kërkon përgjegjësi të lartë. Në këto kushte, vendosja e një sistemi progresiv taksimi bëhet mjaft i vështirë për zbatim, pasi gjen një bazë të paqëndrueshme tatimpaguesish, por edhe një presion në rritje për të ardhura buxhetore. Por, ndërsa deficiti fiskal është rritur, ajo që konfirmohet nga viti i fundit 2015 është fakti se nuk janë tej rritur shpenzimet buxhetore, por janë rritur jo sa u planifikuan të ardhurat e buxhetit, qe janë po aq obliguese, sa edhe kushtetuta e vendit për t’u realizuar. Në rastin e Shqipërisë, e cila ka evazion në nivele të larta (si gjithë Ballkani), vazhdimësia e tregut “informal” të tatimeve është një «vdekje e butë» e buxhetit, që mund të degradohet nga pak dhe përvit. Nga ana tjetër, politika e zbatuar me diferencime ndaj segmenteve të tatimpaguesve ndikon edhe mbi ata që paguajnë dhe janë të rregullt, duke u ulur nxitjen për të qenë në pajtueshmëri me ligjet, pasi ata janë në një konkurrencë të pabarabartë.

Në një analizim të korrelacionit midis deficitit buxhetor në nivelin e 1.7%, normës së inflacionit deri në 2%, si dhe normave të interesit në nivelin e 1.7% nevojitet që të gjenden mënyra të jashtëzakonshme për rritjen e investimeve dhe konsumit. Financimi i deficitit nga qeveritë ashtu si është zbatuar deri më sot nuk ka bërë gjë tjetër vetëm sa ka ndikuar në çekuilibrimin e nivelit të borxhit publik dhe afektimin e buxhetit ndaj risqeve të brendshme dhe të jashtme.

Ndërkohë, kombinimi i politikave fiskale (financim nëpërmjet taksimit) me politikat e financimit të hapur monetar për të hequr barrat sociale dhe problemin e pronës (politike agresive monetare) do të ishin rekomandimi i duhur për rigjallërimin e buxhetit dhe ndikimin në ekonomi dhe në të ardhurat për frymë. Kjo politikë e kombinuar monetare dhe fiskale është në momente të vështira për buxhetin dhe ekonominë dhe natyrisht që nuk mund të planifikohet për periudha më të gjata se afatmesme. Nëse nuk do të kishte evazion tatimor nuk do të kishte ndoshta edhe një deficit buxhetor, pasi vetëm nëse shikojmë se sa taksa të pambledhura i mungojnë buxhetit mjaftojnë për të mos marrë hua për disa vite rresht. Kufizimi i hendekut tatimor është një nga rrugët më të vlefshme për të kufizuar mundësinë për deficitin buxhetor.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Jo më miqësi, gazi rus është shndërruar në problem për Gjermaninë

Nga Thomas Escritt, Reuters Për dekada të tëra, “tubacioni i Miqësisë” ka...
Read More