Letërsia shqiptare/ 10 librat e Diana Çulit

“Nuk ka nevojë për koment për poezinë kristaline të Zogajt, që sfidon gjithçka, edhe vetë veten e tij”, thotë shkrimtarja Diana Çuli për përmbledhjen me poezi “In love” nga Mapoedition të poetit Prec Zogaj, duke e rekomanduar në një nga 10 librat që duhet ti ketë çdo kush në bibliotekë nga letërsia shqipe.

Më poshtë shkrimtarja vjen me sugjerimet e saj për lexuesin e MapoLetrare.

  1. Ermira Jorgo – Koha e gështenjave

Një vëllim me tregime, me një prekje origjinale dhe të vecantë të marrëdhënieve të ndërlikuara njerëzore, veçanërisht të kohës së regjimit, që shquhet nga eleganca e rrëfimit dhe delikatesa e trajtimit të subjektit.

  1. Virgjil Muci “Piramida e shpirtrave.

Romani që fitoi çmimin KADARE, dhe që trajton temën e mprehtë të vitit 1997, me personazhe pothuajse surealë të një periudhe që sot na duket sureale, por ishte tepër  reale, në të vërtetë. Subjekti i Piramidës … me pak fjalë: Mark Mara, një shqiptaro- amerikan, vjen në Shqipëri në periudhën e të famshmeve piramida financiare, pra në kapërcyell të 1996 ‒ 1997, kur ato janë ende në lulëzim. Shqipëria është në kaosin e saj të tranzicionit të fazës së parë, por Mark Mara nuk tronditet. Ai i prek me doreza të bardha sendet shqiptare dhe i sheh me buzëqeshje toleruese dukuritë shqiptare. E pranon ftesën e Robert Farkës, një nga administratorët e hotel Dajtit për t’u miqësuar dhe për t’u rekomanduar prej tij në njohjet që ai do të bëjë në vend. Mark Mara ka ardhur me synim të qartë, ai kërkon të investojë. Dhe, pas një sërë takimesh e njohjesh me drejtues lokalë e njerëz të zakonshëm në qytete e qyteza të ndryshme të Shqipërisë, ai vendos … të tregtojë shpirtra. Sepse, sheh me sytë e tij se si lista të gjata njerëzish të vdekur “votojnë” për aksh kryetar bashkie a për një tjetër. I duket biznes me fitim dhe ia propozon një sekti fetar që ka behur në vend për të gjetur “grigjën” e vet dhe që nuk ka ende shumë anëtarë.

  1. Arian Konomi “Saga e jetëve legjendë”

Një libër tejet interesant për këdo që dëshiron të rikthehet në histori e të mësojë detaje të jashtëzakonshme për personalitete historikë, që nga Katerina e Madhe e deri te Ajnshtajni. Vetë autori shprehet se e ka shkruar këtë libër me qëllim që t’I sjellë lexuesit shqiptar, copëza jete të personazheve të jashtëzakonshëm që përbëjnë pjesë të rëndësishme, të trashgimisë historike njerëzore, nxitur nga dëshira për të kënaqur një mendje kozmopolite, në kërkim të njohjes, të kulturës dhe erudicionit.

  1. Saimir Muzhaka “Qyteti plak“

Një rrëfim krejtësisht origjinal mbi qytetin e lashtë të Beratit, por kryesisht të banorëve të tij më të rinj, dilemat ekzistencialiste të tyre, dështimet, ëndrrat, sfidat…Një zë tepër tepër i konsoliduar  në letërsinë shqipe të brezit të ri.

  1. Prec Zogaj – 101 poezi In love –

Nuk ka nevojë për koment për poezinë kristaline të Zogajt, që sfidon gjithçka, edhe vetë veten e tij. Është rast i rrallë në letrat shqipe ku një autor përmbledh në një libër gjithë poezitë e dashurisë.  Gëzim Basha shkruan në parathënie se përzgjedhja e librit “In Love”, si thuajse krejt poezia e Preç Zogajt, është një koleksion odesh moderne, ku klasi teknik, efektet poetike dhe finesa gjuhësore ofrojnë diagramin e ndjeshmërive të një mendjeje refleksive, që e sheh botën me sy lirik.

  1. Artan Fuga – Murgu

Një vepër dinjitoze dhe unike për identitetin tonë, një udhëtim përtej shekullor, një sprovë intelektuale e rrallë.Ja historia e librit: Dy grabitje të bujshme kanë ndodhur: Njëra kohën tonë, në një apartament buzë detit, në Durrës, ku janë vjedhur mijëra euro; tjetra, përpara disa shekujsh, në katedralen e qyteze mesjetare, dy piktura krejt të veçanta për nga estetika dhe mesazhi i tyre janë zhdukur pa lënë gjurmë.Çfarë lidhjesh kanë këto dy grabitje me njëra-tjetrën? Dy njerëz hetojnë për të zbuluar grabitësit: Etnologu Tristan Bardhi, një intelektual bashkëkohor, dhe murgu mesjetar, Martin de Chassagne. Përgjatë hetimeve, duke kapërcyer ndarjet shekullore në kohë, ata zbulojnë njëri-tjetrin, përballen me enigma. të papritura, dhe hedhin dritë, secili kohën e vet, mbi epokat kur kanë jetuar, mbi paranë, pushtetin, pavdekësinë e shpirtit, seksin, historinë dhe gjithçka që e bën njeriun të mendohet kur kërkon kuptimin e jetës së tij.Nëpërrmjet një rrëfimi sa filozofik aq edhe historik, libri i rimerr këto tema për t’ia paraqitur lexuesit nëpërmjet dramave dhe sfidave të personazheve të tij.

  1. Bashkim Shehu –Moxart me vonesë

Edhe pse nën petkun e veprës që “demaskon” shtresat e pasura, apo pretendimin e pronësisë së gruas nga ana e burrave, opera komike e Mozartit nuk qëlloi me fat për ata që donin ta vinin në skenë. Spiunime, hetime, burgosje, tradhti… Këtë muaj është hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Toena”, romani më i ri i shkrimtarit Bashkim Shehu, “Mozart, me vonesë”. Sfondi historiko-shoqëror, ku vendosen ngjarjet është Shqipëria në vitet e regjimit totalitar, kur sapo kishte ndodhur çarja e madhe midis regjimit komunist në Shqipëri dhe Kampit Socialist të Lindjes me në krye Bashkimin Sovjetik. Në këtë roman rrëfehet vënia në skenë e një opere të Mozartit, “Cosí fan tutte”, në Shqipërinë e viteve ’60, dhe se si veprimi skenik dhe pasojat e shfaqjes i kapërcejnë kufijtë e skenës, duke u ndërthurur në fatet e personazheve të ndryshëm: në skandale marrëdhëniesh erotike për disa, po për disa të tjerë gjithçka shndërrohet më tej në një histori absurde përndjekjesh policore dhe akuzash politike me pasoja nga më të rëndat. Në qendër të romanit nuk është thjesht fati i një individi, por i shumë syresh, të “lidhur” me njëri-tjetrin me anë të Mozartit. Nis me gruan e një kandidati të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, gjithashtu drejtuese e lartë në vitet ’60, për të vijuar me fatet e shumë personazheve të tjera, si drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, tenorin, sopranon, baritonin, skenografin e të tjerë artistë, ose jo që morën pjesë në ndërmarrjen e vënies në skenë të operës mozartiane.

  1. Vera Bekteshi – Ora me rere

Vepër origjinale, e jetës së Tiranës, e dëshirave, sfidave, mundimeve, mbijetesës – një freski mrekulluese e ripërtëritjes njerëzore në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.  Një krijim i mrekullueshëm letrar, ku shpresat, ëndrrat, përpjekjet, dashuritë, sfidat dhe humbjet e njerëzve vijnë si një filigran e punuar nën dritë, ndonëse zonat e errëta janë gjithnjë aty pranë, për të shpalosur kontradiktën dhe kompleksitetin e jetës. Një grup miqsh nga Tirana, vajza dhe djem – më vonë burra dhe gra – që përshkojnë një trajektore të mundimshme ekzistence e kohe, ku secili ndjek shtegun e tij, të përcaktuar nga fati, nga rrethanat apo nga zgjedhjet personale, por që rikthehen vazhdimisht tek njeri tjetri, si në një spirale. Që është e ëmbël si dashuria, e hidhur si ndarja, therëse si tradhtia, e trishtë si miqësia e humbur, e bukur si vetë drita që shpërndahet si tis mëngjesor përmbi fatet njerëzore. Një rrëfim për goditjet e jetës dhe për përballjet e tyre, ku dhimbja dhe lumturia shkojnë pranë e pranë, në këtë kaleidoskop karakteresh origjinalë e tërheqës. Një udhëtim nëpër shpirtin njerëzor dhe hovet e tij, përmes një Tirane vazhdimisht në ndryshim, si vetë personazhet e këtij libri që përshkojnë rrugët e saj.

  1. Aurel Plasari “Skënderbeu”

Në vitin e Skënderbeut nuk mund të mungojë kjo vepër unike e , Plasarit, kjo përpjekje titanike për një jetë titane. “”Skënderbeu ishte jo vetëm një nga ushtarakët më të shquar të shek. XV. Ai ishte gjithashtu një realist politik. Historiani që studion burimet dokumentare lidhur me karrierën e tij gjen dëshmi të pareshtura të qartësisë së vizionit të Skënderbeut. Ashtu si papët, ai kishte një kuptim të thjeshtë mbi marrëdhëniet me turqit: të luftojë gjithmonë me ta, duke bërë paqe (kur ishte e mundur) vetëm për të fituar kohë për përgatitje të mëtejshme për luftë. Sado të rrekeshin venedikasit, gjenovezët dhe grekët moreotë të peshonin protë dhe kundrat për bashkëjetesë paqësore me turqit, Skënderbeu ishte i mendimit se çmimi përfundimtar i një paqeje të tillë do të ishte robëria përdhosëse. Sado ndjesi nderi të kishin pasur sulltanët e mëparshëm, Mehmeti ll as donte t’ia dinte për skrupuj moralë. Egoist i pamëshirshëm, ëndërrimtar arrogant, ai nuk i jepte asnjë rëndësi jetës njerëzore dhe nuk kishte kurrfarë respekti për dinjitetin e të tjerëve. Sundues i një shteti robërish, ideja e tij për pushtimin e botës ishte thjesht robërimi i njerëzimit. Prej kohësh armiq të ambicies perandorake, kudo që ajo të shfaqej në Bizant apo Gjermani, papëve Turku i Madh nuk mund t&#39u dukej veçse dyfish i neveritshëm: si pushtues dhe si i pafe. Nuk është për t’u habitur që ata iu kthyen Skënderbeut si kampion i tyre”, shkruan Kenneth M. Setton.

  1. Grigor Banushi “Sinfonia e pambaruar”

Një jetë e kaluar nën regjim, arratisja, jeta ne Perëndim, përndjekja…Një vepër që nuk e lëshon dot nga dora, për fatin njerëzor, për botën e madhe dhe të vogël, për burgun dhe lirinë. Subjekti i librit: Inspektori Byzh nuk kishte asnjë koment për të dhënat personale të qytetarit Adrian Mara, viktimë e një sulmi më 18 shtator, në orën 18:10, në të dalë të Sen Orionit. Ngjarja u raportua nga polici i zonës, Zhylien Larme. Më pas qytetari Mara u dërgua në spitalin rajonal në Sen Deni.

Megjithatë, Byzhi nuk duroi dot pa thënë dy fjalë, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen dhe nuk ndihmonin në zbardhjen e saj. Komentet e inspektorit ishin mënyra më e mirë për të mbushur disi boshllëkun e krijuar nga mungesa e të dhënave.

Qytetari Mara nuk kishte kombësi franceze, çka mund të linte shteg për të dyshuar rreth ndonjë sulmi për arsye raciste. Byzhi ishte pak i çuditur dhe i befasuar nga kombësia e viktimës. “Un albanais”, tha me vete i habitur, pasi kombësia shqiptare e Adrian Marës nuk i thoshte ndonjë gjë. Ishte njëlloj si të ishte shkruar “pa kombësi”. Ah, u kujtua më pas, Albanie. E vetmja gjë që dinte për Albanie dhe albanais ishte diçka që kishte lexuar në gazetë. Me sa mbante mend, para pak kohësh kryeministri i këtij vendi kishte vrarë veten. Një ngjarje e rrallë dhe e çuditshme për një vend europian, edhe pse krejt të panjohur.

Ideja e kryeministrit të vetëvrarë iu duk intriguese dhe ndoshta shërbeu edhe si nxitje për t’u thelluar edhe më te qytetari Adrian Mara. Byzhi arriti ta shqiptonte në mënyrë korrekte emrin dhe mbiemrin e shqiptarit që kishte humbur kujtesën.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ja si ndikon djathi në sëmundjet e zemrës

  Disa herë është folur për të mirat e djathit, mirëpo si...
Read More