Mapo-150 faqe vjen si revistë stinore: Njihuni me kryeministrin e Tiranës

Revista Mapo ndryshon. Këtë herë ajo vjen si e përtremuajshme. Numri i pranverës sjell mbi 150 faqe me materiale interesante. Në qendër të saj, një dosje kryesore për një personazh që po njeh rritje të fuqisë politike. Bëhet fjalë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj

Nëse u hedh një sy sondazheve, do e kuptosh se thuajse gjithmonë, kryebashkiakët janë më të vlerësuar se politikanët e tjerë. Nuk është e thënë që të gjithë kryebashkiakët ta kuptojnë se kanë një përparësi, pasi janë në kontakt direkt me qytetarin, çka i bën ata pragmatistë. Por ata që e kuptojnë, njohin vetëm rritje në popullaritet.

Duket se ky është rasti edhe me Erion Veliajn, që vjen këtë herë si personazhi kryesor i revistës Mapo, e cila po ashtu vjen e ndryshuar. Këtë herë revista sjell më shumë faqe, është më e plotë, më e thellë dhe më interesante.

Revista tashmë do jetë e përtremuajshme dhe ky është numri i pranverës. Editori i saj, Enton Palushi thotë se revista me 150 faqe ka për qëllim që të eksplorojë një temë themelore në rubrikën ‘Primare’. Këtë herë, kjo temë titullohet “Kryeministri i Tiranës” dhe ka në qendër të saj kryebashkiakun Erion Veliaj.

Një analizë personazhit Veliaj ia bën edhe gazetari i njohur, Mero Baze. “Një nga gabimet e mëdha që bëjnë politikanët e rinj në Shqipëri është se në përpjekje për të mbajtur kokën lart dhe për të parë të ardhmen e tyre “të ndritur”, u verbohen sytë dhe rrëzohen në gropën e parë që u del në rrugën ku nuk kanë mendjen ku ecin. Veliaj për fat nuk po e bën këtë gabim. Ai është i fokusuar te suksesi i ditës, te puna e përditshme dhe është ndoshta tipi më jokonfliktual në politikë. Ambiciet e tij janë pjesë e planeve të tij, por në Shqipëri nuk ka udhëheqës që lënë pasardhës. Udhëheqësit në Shqipëri përpiqen të lënë vetëm emrin e tyre pas dhe jo individë të tjerë”, shprehet Baze.

Një fotoreportazh do ju sjellë më pranë ndryshimet e Tiranës në atë që njihet si Rilindja e parë e kryeqytetit. Më pas vijnë ndryshimet e reja, shoqëruar me një analizë për çështjen e taksave, menaxhimit, politikës dhe marrëdhënieve me publikun.

Por revista sjell po ashtu edhe të tjera shkrime interesante, jashtë universit ‘Primare’. Koloneli Dritan Demiraj, i njohur ndryshe edhe si Rambo, flet për projektet e tij më të fundit, rikthimin në fushën e betejës, doktoraturën në UET dhe kohën e kaluar si ministër i përkohshëm i Brendshëm.

Pedagogu i UET, Selami Xhepa, një nga ekspertët më të mirë të ekonomisë në vend, flet për gjendjen aktuale të ekonomisë, perspektivën, mundësinë e daljes nga situata e ‘kurthit të të ardhurave të mesme’, por edhe analizon punën e qeverisë së Edi Ramës.

Në një situatë dëshpërimi, një intervistë pikante sjell më pranë jush një nga filozofët e rinj më të mirë të Shqipërisë. Pedagogu i UET, Klementin Mile flet për disa nga temat e mëdha të jetës si morali apo vdekja. Disa këshilla nga ana e tij e bëjnë akoma më interesante revistën. “Bashkëngjitur” do gjeni disa këshilla për jetën nga psikologu i famshëm dhe kontrovers, Jordan Peterson.

Një rrëfim i bukur gazetaresk vjen nga gazetarja austriake, Adelheid Woelf, e dashuruar me Shqipërinë. Por ajo u bë protagoniste kur humbi në Llogara, në një zonë të bukur, por të rrezikshme. Operacioni për gjetjen e saj e bëri që të njohë më mirë shqiptarët dhe të dashurohet akoma më shumë me ta.

Për të apasionuarit pas historisë, vijnë disa materiale befasuese. I pari është nga Maks Velo. Revista sjell disa prej materialeve të dosjes së tij gjatë komunizmit, të cilat ia vlen t’i lexosh. ‘Kapitullin’ për komunizmin e plotëson një histori nga Gjermania komuniste dhe disa foto të rralla nga komunizmi shqiptar.

Analisti i njohur Mustafa Nano vjen me rubrikën e tij të zakonshme, ku zbulon njohjet e tij me disa nga personazhet më të rëndësishëm të historisë moderne shqiptare. Këtë herë ai flet për njohjen me Fatos Nanon. “Fatos Nano më la një shije të mirë, sidoqoftë. Më pëlqeu natyra e tij ekspansive. Ishte si një garip Tirone. Kam përshtypjen se në historinë politike shqiptare ai është një gjë e rrallë: ishte “sundimtari” i parë i vendit që nuk të fuste frikën. Të gjithë të tjerët para tij kanë qenë në një mënyrë a në një tjetër të frikshëm”, shkruan Nano.

Ndërkohë, për të gjithë të apasionuarit pas letrave, në këtë numër do gjeni dy emra të njohur: Fituesin e Çmimit Kadare, Virgjil Muçi dhe autorin Luan Rama.

Artisti i njohur Edi Hila, i rikthyer me një ekspozitë, ‘rrugëton’ me gazetaren tonë nëpër artin dhe jetën e tij.

‘Qershia’ mbi tortë e këtij numri është një speciale me ata që mund të vlerësohen si 50 njerëzit më të fuqishëm në politikën shqiptare. Njihuni me listën e këtyre personave, që kanë ndikuar, ndikojnë dhe do të ndikojnë në politikën e vendit tonë.

‘Grimca’ të tjera interesante do i gjeni thuajse në çdo faqe, shoqëruar me fotot më të mira të kësaj periudhe nga Florion Goga i MapoImages.

 

 

Pse duhet të lexoni revistat

 

Ju ka rastisur që të shihni zogjtë? E keni parë se sa pak të përqendruar janë? Një ekspert i huaj thotë se falë mediave, njerëzit tashmë e kanë kohëzgjatjen e përqendrimit sa të një zogu. Kjo është një nga gjërat më të këqija që po sjellin mediat e reja në mbarë botën.

Paaftësia për t’u përqendruar për një kohë të gjatë po kthehet në një problem, sidomos për brezin e ri. Por edhe brezi i ri nuk ngelet më pas. Historia e mediave ka treguar se çdo media e re e godet një media më të vjetër, duke i marrë audiencën dhe reklamat. E kështu, ajo media që mbetet në fund të ‘zinxhirit’ kohor, mbetet edhe më e dëmtuara.

Për ta ilustruar, gazeta i mori lexuesin librit, radio i dha një goditje gazetës, televizioni e goditi radion e tashmë është interneti që po u merr të gjithave nga pak. Më i dëmtuari nga kjo histori mbetet libri dhe nuk do shumë mend për ta kuptuar këtë gjë. Njerëzit po lexojnë gjithmonë e më pak dhe kjo mbetet një plagë e madhe sidomos në Shqipëri. Televizioni dhe interneti i kanë dhënë thuajse dërrmën këtij mediumi kaq të rëndësishëm për zhvillimin e njerëzimit.

Ky është një problem botëror, por si gjithmonë, problemet botërore vijnë me pasoja më të rënda në Shqipëri. Megjithatë ka një zgjidhje. Më të guximshmit po sfidojnë ligjet e vëmendjes dhe po vazhdojnë të lexojnë libra. Ata që duan të tentojnë, shkojnë te revistat, një medium tepër i rëndësishëm, që ka mbetur diku mes mediave të shpejta dhe librit. Për këtë arsye, shkëlqimi i tyre nuk ka humbur në vendet perëndimore.

Ndërkohë në Shqipëri, revistat janë thuajse të parëndësishme në treg. Qëllimi i tyre më shumë duket reklama e ndonjë kopertinë. Pjesa tjetër është për të ardhur keq. Nisur nga kjo, revista Mapo tashmë vjen me më shumë faqe, me qëllimin që të tërheqë lexuesin te ky medium jo vetëm informues, por edhe opinion-formues.

Sfida është shumë e vështirë, por kjo është një tentativë. E përtremuajshmja Mapo do të sjellë fillimisht një portret të pautorizuar për atë që po njihet në qarqet mediatike si kryeministri i Tiranës. Bëhet fjalë për Erion Veliajn. Më pas do keni disa intervista pikante, foto për të mos u humbur dhe shkrime që do ju befasojnë. Lexim të këndshëm!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tahiri thumbon gazetaren, Berisha i dërgon ‘selam’ Edi Ramës

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri mbërriti në ambientet e Kryesisë së Kuvendit...
Read More