MAPO ROZE/ Altin Sulku: Rrëfehet ‘Voci nga Dibra’

Shpesh na është vrarë veshi me paragjykimet e pafundme që ekzistojnë mbi veriorët dhe karakterin e tyre. Megjithatë gjithmonë ka hapësira për të hedhur poshtë tezat e atyre që paragjykojnë apo konstatojnë në atë mënyrë për arsye të ndryshme. Intervista e radhës u realizua me ‘Vocin nga Dibra’ dhe vlen për t’u vlerësuar spontaniteti dhe thjeshtësia në përgjigje dhe në komunikimin e mbajtur.

Bëhet fjalë për Altin Sulkun, i cili është një nga këngëtarët më me zë në estradë me origjinë nga Dibra. Diskursi i mbajtur me Sulkun hodhi poshtë edhe një herë të gjitha ato aludime të masës që thonë se është e vështirë të merresh vesh me një ‘malok’. Padyshim që merresh vesh dhe madje shumë mirë kur primare është t’i bësh mirë dhe t’i lësh fjalën e mirë tjetrit.

Altini së fundmi është bërë baba i një djali, emri i të cilit është Roal. Ai foli për ndjesitë e të qenit baba, sa i përkushtuar është, përse nuk shohim shpesh aspekte nga jeta e tij private etj.

Si u bë pjesë e tregut muzikor ‘Voci prej Dibre’ dhe pse vendosët të angazhoheshit në muzikë dhe jo në një profesion tjetër?

Voci prej Dibre hahahahahaha më pëlqen. Unë muzikën e kam trashëgimi nga babai, sepse ai ka kënduar gjithmonë dhe ka qenë pjesë e shtëpisë së kulturës në Dibër dhe jam me fat që i ngjava babait sepse muzika është ushqim i shpirtit dhe mendova të merrem dhe unë me këtë profesion.

Sa dibran e ndjen veten Altini? Je krenar për prejardhjen tënde dhe çfarë parimesh le të themi ose zakonesh ndiqen ende nga ju dhe familja juaj?

Normale që çdokush është krenar për prejardhjen dhe ndjehem shumë krenar për këtë, sepse ne dibranët jemi dhe të zgjuar (shaka). Sado që të mundohemi që të ecim me kohën prapë se prapë disa zakone dhe parime nuk i harrojmë dot dhe jam i mendimit, që mirë bëjmë sepse me këto zakone jemi rritur dhe jemi më të sjellshëm, më të dashur dhe më të respektuar sepse për kohën që jemi aktualisht, sikur po veniten këto gjëra dhe është për të ardhur keq.

A e vizitoni shpesh qytetin tuaj të lindjes? Dhe a po mendoni pse jo të realizoni një klip atje së fundmi?

Me aq sa mundem e vizitoj dhe pse pak herë për shkak të angazhimeve, sepse unë kam dhe prindërit në Dibër, të cilët shkojnë gjatë verës andej dhe dimrit vijnë prapë në Tiranë dhe sa herë shkoj kam një emocion të papërshkruar, sepse më vjen në mendje fëmijëria, mosha më e bukur.

Kemi menduar me Noizyn që t’i bëjmë një këngë Dibrës dhe patjetër nëse do realizohet kënga normale që klipi në Dibër do të filmohet gjithashtu.

Në qershor të këtij viti ju jeni bërë baba për herë të parë. Si ndiheni për këtë ‘status’ të ri? Emri i djalit është Roal. Si lindi ideja për këtë emër dhe a po i kushtoni mjaftueshëm kohë atij pavarësisht angazhimeve dhe udhëtimeve të shumta që profesioni kërkon?

Ta përshkruash këtë emocion është mjaft e vështirë. Vetëm ata që e kanë përjetuar mund të flasin për të. Besoj se nuk ka gjë më të bukur në këtë botë sesa kontakti i parë me fëmijën tënd sidomos kur e ke fëmijën e parë. Jam shumë me fat që Zoti më bekoi me këtë engjëll. Roal është bashkim emrash në fakt. Emri i bashkëshortes time është Rolanda dhe morëm vetëm ‘Ro’ dhe i imi Altin ‘Al’ dhe vendosëm për emrin Roal. Vetëm gjatë kohës që jam nëpër koncerte apo evente të tjera, që nuk rri me të sepse përndryshe gjithë kohës jam aty. Dua ta përjetoj çdo moment të tijin me sa mundësi kam.

Çfarë do donit që Roali të merrte nga ju, ndonjë karakteristikë në karakter ose zërin? Dhe cila është ajo gjë që e thua shpesh me vete, ‘Nuk më pëlqen që fëmija im të më ngjajë në këtë aspekt’ gjithmonë nëse ka?

Do doja që Roali të merrte zërin nga unë po ashtu edhe karakterin tim, sepse jam shumë i qetë dhe i logjikueshëm si tip. Unë besoj shumë te njerëzit dhe pa i njohur mirë dhe shpresoj që Roi të mos e ketë këtë gjë si unë.

Sa i lidhur jeni me familjen? Kush është njeriu më i shtrenjtë për ju?

Me familjen normale jam shumë i lidhur. Ne jemi familje e madhe prej 7 fëmijësh, 4 vëllezër dhe 3 motra dhe jam shume me fat që i kam. Ne e kemi ndihmuar njëri-tjetrin shumë në çdo aspekt dhe jemi shumë të lidhur bashkë.

Më i shtrenjtë për mua? Unë mendoj që të gjithë në familje janë të shtrenjtë, domethënë janë të ndara dashuria, për prindërit për vëllezërit e motrat, për njeriun e jetës dhe për Roin. Janë tërësisht dashuri të ndryshme me pak fjalë e gjithë familja është e shtrenjtë për mua.

Përse nuk shohim në postimet tuaja aspekte nga jeta personale, që do të thotë foto me mamanë e djalit tuaj dhe me djalin gjithashtu, një tablo e plotë e familjes Sulku?

Do vijë dhe ai moment që unë të hedh aspekte nga jeta personale, por për momentin nuk e shoh shumë të arsyeshme sepse familja është familje dhe nuk dua ta përziej me punën time.

Me Noizyn keni realizuar edhe disa këngë bashkë. A keni arritur më shumë klikime nga bashkëpunimet me të apo kjo pjesë nuk ndikon fare? Sa vlerë kanë klikimet për ju?

Noizyn e kam djalë daje dhe jam shumë me fat për këtë gjë sepse s’do kisha mundësi të flisja me të e jo më të bashkëpunoja sepse siç po e shohim dhe vetë muzika ka ndryshuar shumë. Që do të thotë është futur muzika moderne dhe falë Noizyt e kam patur më të lehtë suksesin. Normale që me të klikimet janë shumë më shumë të larta. Mendoj se kanë shumë vlerë klikimet, sepse aty teston veten sesa i pëlqyer je.

Jeni më shumë pro këngëve të realizuara solo apo në bashkëpunim dhe pse?

Në bashkëpunim është më mirë në fakt, sepse bashkimi bën fuqinë thonë dhe është e vërtetë, sepse bashkohen fansat e të dyve si për shembull mund të marr rastin e këngës ‘Kaçurrelat’ me miken dhe këngëtaren e mrekullueshme Ponin dhe ishte realisht një sukses.

Veçoni dot dy këngë, një nga repertori juaj dhe një të preferuar nga ndonjë këngëtar tjetër që ju ‘flenë në zemër’?

Unë kam shumë këngë të preferuara, por do zgjidhja një baladë sepse i dua shumë baladat. “Në gjakun tim jeton” është titulli i këngës që e kam kënduar para 4 viteve mos gaboj, të cilën e dëgjoj ende sot dhe nuk mërzitem me të. Ndërsa këngë të këngëtarëve të tjerë janë të shumta nuk mund të veçoj vetëm një. Me pak fjalë muzika shqiptare ka përparuar shumë dhe kjo është shumë gjë e mirë për ne.

Petro Xhori është një nga tekstshkruesit që mban autorësinë e disa këngëve tuaja. Pse pikërisht atë?

Petro në radhë të parë është një djalë artist, shumë i talentuar dhe me pëlqente shumë mënyra se si shkruante. Bota që ka brenda vetes dhe mënyra si e shpreh në tekste më tërheqin shumë.

A ishte shumë e ngarkuar kjo verë që lamë pas dhe cili është qyteti që ju ka lënë më shumë mbresa për nga mënyra e organizimit dhe atmosfera e krijuar nga fansat, që nuk do t’i thonit kurrë jo në një vizitë tjetër?

Normale që ka qenë shumë e ngarkuar dhe shyqyr që e kemi këtë ngarkesë, sepse janë të shumta shpenzimet që bëjmë, jo vetëm për veten tonë por dhe për këngët dhe klipet e reja, sepse duhet të jemi aktivë përndryshe ta zënë vendin (shaka).

Gjithkush prej nesh ka kismetin e vet themi ne.

Unë kam qenë në shumë vende, por Elbasanin e kam vizituar më shpesh dhe gjithmonë kemi kaluar super dhe nuk do t’i thoja kurrë jo këtij qyteti dhe gjej rastin t’i përshëndes dhe t’ju falënderoj dhe ju për këtë intervistë dhe ju uroj vetëm suksese dhe falënderimi më i madh shkon për fansat që janë më të mirët në botë që na ndjekin hap pas hapi dhe na motivojnë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Protestat e Partisë Demokratike, jo kreative, të përsëritura dhe aspak efikase

Nga Ervis Iljazaj Ditët e fundit, Kryetari i Partisë Demokratike është duke...
Read More