Me largimin e deputetëve, Shpëtim Idrizi e ka fituar sërish partinë

Nga Ervis Iljazaj

Dy deputetë të Partisë PDIU të Shpëtim Idrizit i janë bashkangjitur zyrtarisht Partisë Socialiste. Në fakt nuk është as hera e parë dhe as e fundit që deputetë të zgjedhur nën logon e një partie, gjatë mandatit parlamentar kalojnë në një parti të ndryshme.

Dhe ky, nuk është një fenomen vetëm shqiptar, por ndodh edhe në vende të tjera europiane, ndoshta jo në këto përmasa, por fenomeni mbetet. Kjo është pasoja e heqjes së parimit të mandatit të detyrueshëm, që ndalonte kalimin e një deputeti nga një parti në një parti tjetër. Jo vetëm kaq, por, zona elektorale që kishte votuar një deputet, nëse ky i fundit nuk vepronte politikisht sipas direktivave të zgjedhësve, mund t’ia hiqte mandatin.

E megjithatë ky parim nuk ekziston më. Që nga koha e Revolucionit Francez, ekziston parimi kushtetues se deputeti përfaqëson kombin në radhë të parë, më pas partinë dhe zonën elektorale ku është zgjedhur.

Në këtë kuptim asnjë normë kushtuese nuk mund ta ndalojë këtë fenomen të kalimit të një deputeti nga një parti në një parti tjetër, ose ta ndalojë atë të krijojë një grup të pavarur me disa deputetë të tjerë brenda Parlamentit, edhe nëse janë zgjedhur nën logon e partive të ndryshme.

Kështu që, deri sa ky parim kushtetues të ekzistojë, duhet të mësohemi me ndryshimin e ngjyrave politike të deputetëve të ndryshëm. E gjykojmë të drejtë ose të moralshëm një veprim të tillë, është tjetër diskutim, që kërkon argumentime të thelluara nga njerëz të fushës.

Për t’u kthyer te rasti i fundit të largimit të dy deputetëve të PDIU—së, nuk është aspak një humbje për PDIU-në dhe për Shpëtim Idrizin personalisht. Sepse, fakti që vetë Kryetari i asaj Partie, nuk arriti të zgjidhej në Parlamentin e Shqipërisë, por arritën të futen persona të tjerë, është një fenomen jo normal për një parti politike, që nuk arrin dot që linjën e saj në Parlament ta shprehë nëpërmjet atij që e përfaqëson.

Një fenomen i çuditshëm, që vjen si pasojë e tipologjisë së deputetëve të larguar nga PDIU. Tipologji e cila nuk erdhi për shkak se ata përfaqësojnë vlerat e PDIU, por sepse janë individualitete të cilët u vunë në lista për të fituar vota, për fuqinë e tyre elektorale në lokalitete të ndryshme të Shqipërisë.

Për këtë arsye, PDIU, në zgjedhjet e kaluara, edhe pse arriti të kishte zyrtarisht deputetë të saj në Parlament, mori një rezultat të dobët politik. Sepse, nuk u zgjodh Kryetari i saj, sepse, deputetë që u zgjodhën nën logon e saj, tashmë të larguar, nuk kishin asnjë lidhje me historinë dhe filozofinë e PDIU-së.

Kështu që, PDIU dhe Kryetari i saj, dukshëm nuk kishin asnjë kontroll politik mbi to. Prandaj, Shpëtim Idrizi, duhet ta kuptojë që ka gabuar me kandidatura të tilla. Fenomeni me deputetët e PIDU-së së larguar, është rasti tipik kur partitë politike shqiptare, duhet të kuptojnë që, listat nuk bëhen vetëm me njerëz me influencë të zonës dhe që nuk i lidh asgjë me partitë politike që ato kandidojnë, por, me njerëz që politikisht përfaqësojnë vlerat dhe filozofinë e një partie politike.

Por, në të gjithë këtë histori, ka një lajm të mirë për Shpëtim Idrizin. Tashmë, me largimin e këtyre deputetëve, mund të konsiderohet se e ka fituar sërish drejtimin e PDIU-së.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kashar: Shfaqen vatra të reja zjarri gjatë mëngjesit, ja dyshimet e para

Vatra të reja zjarri janë ndezur këtë mëngjes në fabrikën e riciklimit,...
Read More