Më mirë me gjykata bosh, se sa të mbushura me gjykatës të korruptuar

Nga Ervis Iljazaj

Procesi i vettingut përtej misionit për të pastruar  figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mision të cilin e ka përmbushur relativisht me suksese deri më tani, është duke dhënë një efekt kolateral. Pothuajse 50 % e trupës së gjyqtarëve që kanë janë futur në sitën e kontrollit, kanë ngelur në klasë.

Si pasojë, procesi i vettingut është duke zbrazur gjykatat nga trupat gjyqësore, ku shpesh herë, bllokohet dhe funksionimi i tyre siç është rasti i Gjykatës Kushtetuese. Me shumë gjasa do të ndodh e njëjta gjë edhe me Gjykatën e Lartë. Për shkak të vonesës të Reformës në Drejtësi dhe mënyrës se si ajo është parashikuar, efekte të tilla ishin te pritshme. Kjo është një reformë rrënjësore, e cila do të rrezikonte futjen në një fazë tranzitore që po bllokon shumë nga institucionet e drejtësisë. Sa më shumë zgjatet kjo Reformë , aq më të mëdha që janë efektet e dëmshme që sjell jo vetëm për drejtësinë, por, edhe në shumë fusha të tjera si ekonomia, politika dhe shoqëria.

Prandaj, pyetja që duhet ngritur në këtë rast është nëse është më mirë që institucionet të rijnë për një kohë pa gjykatës, apo me gjykatës të korruptuar, ashtu sikurse po del shumica e tyre nga kontrolli i pasurisë. ?

Nuk është e lehtë të japësh një përgjigje, por , e sigurt është se vettingu, deri  më tani është një nga proceset më të suksesshme të Reformës në Drejtësi. Një gjë të tillë e theksonte fort edhe raporti ku rekomandohej hapja e negociatave të Shqipërisë.

Ka një parim universal të drejtësisë i cili thotë se, më mirë 100 fajshëm jashtë sesa një i pafajshëm i dënuar me burg. Duke u nisur nga ky parim, është krijuar dhe prezumimi i pafajësisë, apo të gjithë procedurat që garantojnë një proces gjyqësor shkencor. Dhe prova, është shkencore, pikërisht për të evituar që një i pafajshëm të dënohet pa të drejtë dhe pa një proces të sigurt. Ky parim universal vlen për tu kontekstualizuar për momentin që po kalon drejtësia shqiptare. Momentin ku procesi i pastërtisë së figurës po boshatis gjykatat shqiptare.

Nga të gjitha sondazhet dhe studimet që janë bërë, rezulton se, gjyqësori është pushteti më i korruptuar gjatë tranzicioni shqiptar. Në fakt nuk ka nevojë për sondazh për të kuptuar një gjë të tillë, pasi të gjithë njëherë na ka rastisur të heqim në kurriz këtë korrupsion.

Të gjithë e dimë se, njerëz të pafajshëm janë dënuar në mënyrë të padrejtë, apo kanë marrë vendime të padrejta, vetëm e vetëm se nuk kanë patur fuqinë ekonomike apo politike për ta ndikuar atë vendim.

Në këtë kuptim, duke parë këtë panoramë aspak normale të drejtësisë shqiptare, dhe padrejtësitë pa fund që ka bërë ajo deri më tani, po të bazohemi të parimi i lartpërmendur, atëherë, më mirë me gjykata bosh se sa të mbushura më gjykatës të korruptuar., të cilët nuk kanë dhënë drejtësi, por vetëm padrejtësi.

Sigurisht që, kur u aprovua Reforma në Drejtësi, mund të mendohej një fazë tranzitore tjetër, e cila nuk do të krijonte këtë vakum. Mirëpo, kjo situatë nuk ka ardhur deri këtu vetëm si pasojë e saj, por edhe si pasojë e vonesës së zbatimit të saj. Vonesë e cila, dukshëm po vjen nga politika shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gilman Bakalli, homazh heroizmit të njeriut në vetëmbrojtje

Është promovuar dje, në UET, në prani të familjarëve, miqve, kolegëve, pedagogëve...
Read More