Me sytë nga Brukseli dhe Shtëpia e Bardhë

Nga Klementin Mile – Politika shqiptare ka rënë në një lloj qetësie, e cila nuk mund të shpjegohet vetëm me fillimin e kampionatit botëror të futbollit, sport që shqiptarët e ndjekin masivisht, as vetëm me nisjen e sezonit të plazhit. Çështja që i ka topitur të gjithë në qeveri dhe opozitë është vendimi që do marrë në qershor Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Ato pak aktivitete politike, si llogaridhënia e Ramës dhe protestat e të rinjve opozitarë, duken të sforcuara dhe stonojnë me atmosferën e krijuar. Ato nuk janë gjë tjetër veçse një formë pritjeje.

Politika shqiptare, për momentin, është pa busull. Përveç vendimit të Brukselit, të gjithë janë në pritje edhe të ambasadorit të ri amerikan. Pikëpyetjet lidhur me këto gjëra e kanë paralizuar veprimin politik, duke ofruar në vend të tij, si alibi, fasadën e llogaridhënies qeveritare dhe fasadën e protestës opozitare.

Në fakt nuk është hera e parë që politika shqiptare pret në ankth me sytë nga qendra e pushtetit. Dikur sytë e politikës shqiptare qenë drejtuar nga Porta e Lartë, më vonë nga Beogradi, pastaj nga Kremlini, Pekini dhe tani nga Shtëpia e Bardhë dhe Brukseli. Qendrat e pushtetit, natyrisht, duhen marrë në konsideratë. Por ama legjitimiteti i një qeverie dhe opozite nuk duhet pritur të vijë së jashtmi. Janë komunikimet politike brenda sistemit, betejat elektorale dhe grupet e interesit që të japin legjitimitet. Në mungesë të këtyre asnjë qendër pushteti nuk e siguron dot popullin se po qeveriset si duhet.

Sido që të jetë vendimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm për negociatat me Shqipërinë, mirëqenia dhe drejtësia e shqiptarëve do të vendosë për mazhorancën e ardhshme. Politika shqiptare qe e justifikuar të priste me sytë nga Porta e Lartë, Beogradi, Kremlini dhe Pekini – pasi në ato kohë bëhej fjalë për regjime jo demokratike, ku në pushtet të sillte dhe të mbante forca, jo vota. Por në një regjim demokratik si ky i sotmi, pavarësisht defekteve të tij, Shtëpia e Bardhë dhe Brukseli nuk mund të sjellin askënd në pushtet.

Të besosh ndryshe është të operosh me semantikë të prapambetur, me një semantikë që përshkruan një shoqëri që nuk ekziston më. Shoqëria moderne e sotme është e diferencuar funksionalisht, nuk ka më primar dallimin qendër/periferi. Sot politika, ekonomia, e drejta, feja, shkenca etj., kanë secila logjikën e vet autonome të funksionimit. Politika sot nuk mund të kontrollohet dhe përcaktohet së jashtmi nga ekonomia apo sistemet e tjera politike (si ato të qendrave të pushtetit). Çdo tentativë për kontroll pasohet nga kundërkontrolli: kontrolluesi është edhe vetë i kontrolluar. Andaj forcat e jashtme janë të afta vetëm ta shkatërrojnë sistemin politik.

Ndoshta ky është kuptimi real i ankthit të pritjes së qershorit. Brukseli dhe Shtëpia e Bardhë vërtet nuk e përcaktojnë dot çështjen e pushtetit në Shqipëri, madje as të reformave të rëndësishme në vend, por ato mund ta shkatërrojnë tërësisht politikën shqiptare me vendimet e tyre. Politika shkatërrohet atëherë kur komunikimet e saj nuk orientohen më nga interesi për pushtet, për të qenë në qeveri, por ky zëvendësohet nga interesa të tjerë. Siç është bie fjala interesi për t’i shpëtuar drejtësisë.

*Klementin Mile, Pedagog në UET, Rubrika: Peripatos

 
Shkruar Nga
More from Redaksia

PD-LSI braktisin Këshillin Bashkiak: Vendime kriminale për Teatrin Kombëtar dhe ndërtimet te Parku Rinia

  Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të miratojë sot një sërë vendimesh...
Read More